Ndonëse nuk është përfshirë në debatin për godinën e Teatrit Kombëtar, thuajse të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë çështje, e kanë ditur se Artan Shkreli, arkitekt dhe aktivist i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, do të ishte kundër shembjes së kësaj ndërtese 80-vjeçare.
Por në pozitat e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk e ka pasur të thjeshtë dhe etika e nëpunësit të shtetit ia ka kufizuar të shprehurit të asaj që mendon. Dje, ai ishte i ftuar në Forumet e Universitetit Europian të Tiranës, moderuar nga shefja e Departamentit të Komunikimit, prof.as. dr. Belina Budini. Shkreli përgëzoi hapjen e një fakulteti të ri pranë UET, ku një nga degët është edhe Arkitektura, siç edhe do t’u përgjigjej pyetjeve të moderatores për sigurinë e ndërtesave në Shqipëri, një debat që u rizgjua pas shembjes së Urës Morandi në Itali. Shkreli u shpreh se tashmë një grup pune po merr në shqyrtim rreth 600- 650 ura në akset nacionale, të cilat do të pajisen me pasaportat përkatëse që lidhen me ndërtimin, ndërhyrjet, rrezikshmërinë etj.. Sa u përket ndërtesave, ai u shpreh se “çështja e rrezikut është relative sepse rreziku ka indekset e veta. Objektet që janë bërë në vitet ‘80 paraqesin problematika me përshtatjen e kodeve të reja, që do të thotë që është e nevojshme që në çdo ndërhyrje restauruese, objekti duhet sjellë në normën e sigurisë. Duhet të fillojë me objektet publike, si shkollat, spitalet, ku njerëzit janë në duar të shtetit”. Por çështja më e nxehtë ishte padyshim ajo e Teatrit Kombëtar, për të cilën, edhe pse Shkreli nuk do të kishte dashur të prononcohej dhe siç tha, nuk kishte një qëndrim, përmbushi pritshmëritë e atyre që e prisnin përgjigjen e tij. Artan Shkreli arkitekt, restaurator dhe mbrojtës i trashëgimisë, do ta ruante godinën e Teatrit Kombëtar.
Keni pasur një fondacion për mbrojtjen e monumenteve dhe keni qenë më aktiv, por tani jeni në një pozicion zyrtar që ndoshta nuk ua lejon të shpreheni…
Është në etikën e punonjësit të shtetit, i cili duhet të bëjë nëpunësin e shtetit dhe jo aktivistin e shoqërisë civile. Ne kemi qenë një grup shokësh, që nuk kishim një fondacion, por një forum në të cilin ngrinim problematika në grupe të vogla apo edhe në rrjetet sociale për çështje të caktuara, përmes të cilave sensibilizonim.
Pse reshtët?
Në momentin që kemi marrë një detyrë shtetërore, për hir të etikës së nëpunësit nuk mund të jesh lakuriq nate, edhe mi, edhe zog. Ose do të bësh nëpunësin shtetëror dhe do të jesh përgjegjës për atë që mbulon, ose do të bësh kritikun e politikave, duke parë nga jashtë dhe për të sensibilizuar opinionin publik. Por kjo nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë nga angazhimi për ato gjëra, për të cilat kemi luftuar dikur. Vetëm se tashmë debatet tona zhvillohen në tryeza më të mbyllura, edhe më të larta. Ju siguroj që kjo bëhet, pastaj kjo është në ndërgjegjen e gjithsecilit për ta zhvilluar këtë në nivelet e shoqërisë civile. Edhe pse nuk jam nga ata që i heq përgjegjësitë nga vetja, them se ka një përgjegjësi brezash dhe tashmë ka të rinj që po e zhvillojnë këtë debat.
E megjithatë ju keni qenë shumë aktiv për çështjen e trashëgimisë kulturore, deri në detaj, a nuk mund të kemi mendimin tuaj?
Çështja e Teatrit, duam apo nuk duam ne, tashmë ka marrë përmasa të atilla, që problemi nuk shtrohet më që foli apo nuk foli dikush. Kjo nevojë shtrohet kur opinioni publik nuk ka një zë. Kjo situatë nuk ekziston në Shqipëri. Tashmë kjo është një çështje e shtruar për zgjidhje dhe do të marrë drejtim. Është futur në kanalet ligjore. Ka shkuar në qeveri, në Parlament në institucionet europiane. Të gjithë janë dakord që Tirana ka nevojë për një teatër të ri, çështja shtrohet nëse do të ndërtohet me partneritetin publik-privat, a do të ndërtohet aty apo në Bulevardin e ri, a është aq i amortizuar ekzistuesi dhe a mban restaurim… Kemi qenë aktiv kur opinioni publik kishte nevojë për një zë, tashmë disa janë larguar, ndonjë ka vdekur, disa kanë filluar në shtet, forumi ka drejtues të rinj që kanë qëndrimet e tyre. Sot është e rëndësishme të koagulosh mendimin e atyre që nuk kanë zë. Kur zëri është i fuqishëm, është e kotë..
Por a mund të jemi “indiferentë” karshi një godine, e cila i përket qytetit, është pjesë e jetës së qytetarëve të Tiranës prej 80 vjetësh? A mund të sakrifikohet kjo godinë, e cila për më tepër ndodhet në një zonë të mbrojtur për disa kulla më tepër, kur Tirana ka kaq shumë hapësira për të ndërtuar?
Është një debat shumë më i gjerë se mendimi personal i një njeriu dhe nuk lidhet me faktin që a është i bukur Teatri apo jo, as nëse duhet restauruar ose jo, a duhet një i ri apo jo. Problemi është që ai teatër në atë gjendjen që është sot, nuk mund të mbahet. Nëse një qeveri do të mbante një qëndrim cinik, do të thoshte mbajeni atë teatër dhe nuk do ta financonte më atë, sepse aty nuk bëhet më teatër. Ajo godinë kërkon një restaurim shumë të thellë dhe sjelljen në normën e sigurisë. Por buxheti i shtetit ka ca xhepa që nuk mund të ngatërrohen. Zgjidhja e qeverisë është të bëjë një ndërtesë të re bashkëkohore dhe më pas një godinë rezidenciale. Çështja tanimë nuk shtrohet më të ndërtohet apo të mos ndërtohet teatri, por a është e drejtë që të ndërtohet me partneritetin publik-privat. Këtu hyjnë llogaritë matematikore, së cilës unë nuk jam në gjendje t’u hyj, që nxjerrin fitime miliona euro. Ndërkohë që jo gjithnjë investuesit dalin me fitim, ndërtuesit gjithnjë ankohen, sepse kjo industri te ne nuk është edhe aq fitimprurëse. Nëse unë do të flisja si Artan Shkreli, si restaurator, që më intereson vetëm Teatri dhe nuk më intereson pjesa tjetër, do kërkoja restaurimin e Teatrit. Ideale do të ishte që një teatër bashkëkohor të ndërtohej diku tjetër nëse do të ekzistonin paratë për të blerë truallin. Por jemi në dualitetin mes njeriut që do të restaurojë godinat e vjetra me një vlerë historike në këtë qytet dhe atij që kërkon një teatër bashkëkohor. Nëse do të isha sot përfaqësues i shoqërisë civile, do të kërkoja me papërgjegjshmërinë e ligjshme: Gjejini paratë ku të doni dhe restauroni Teatrin! Unë këtë nuk e them dot nga pozicioni që jam.
Komisioni Europian u shpreh për çështjen e tenderimit. Si zëvendësministër, si do të shpreheshit për këtë problem?
Ata e panë këtë çështje nga pikëpamja e paritetit të firmave që marrin pjesë në partneritetin publik-privat. Ata nuk përjashtojnë idenë e prishjes së Teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri, por janë kundër përcaktimit me ligj të firmës që do të hyjë në këtë partneritet. Ata e shmangin debatin për godinën. Në këtë pikëpamje, mendoj se duhet marrë në konsideratë rekomandimi i tyre, që ishte shumë i qartë dhe specifikisht i adresuar që gara për partneritet publik-privat të jetë më e gjerë, duke dhënë mundësinë e opsioneve të tjera.
Ju thatë se bisedimet janë zhvilluar, por ka pasur një mungesë tolerance apo arrogance nga ana e qeverisë…
Toleranca ka munguar nga të dyja palët. Zërat e njerëzve duhen dëgjuar, qeveria duhet t’i dëgjojë ato dhe vendimmarrjet janë më të qëndrueshme. Unë mendoj që zërat janë dëgjuar dhe do të vazhdojë të dëgjohen. Në këtë debat janë përfshirë edhe deputetët. Shumë gjëra duhen ruajtur, por nuk mund të ruhet çdo gjë.
Ju keni protestuar kundër heqjes së kangjellave të Presidencës. Pse tani, qëndrimi ndaj Teatrit Kombëtar, do ishte jo etik?
Heshtja nuk është detyrimisht pohim për prishje. Qëndrimi im do të ishte amoral nëse do të kisha vazhduar në të njëjtën organizatë dhe do t’i isha bashkuar qeverisë sot. Qëndrimi im është etik. Unë nuk kam ndërruar qëndrim për Teatrin, sepse nuk kam pasur një qëndrim. Ky është një gjyq që ma bëjnë njerëzit dhe nuk e kuptoj pse. Nëse unë jam ngritur për kangjellat e Presidencës, këtë e kam bërë jo për kangjellat në vetvete, por sepse Presidenca është qyrku i një vendi. Ajo nuk është si Kryeministria që nuk kishte lindur pa kangjella dhe një moment u rrethua me mure dhe u tjetërsua imazhi i atij objekti, për t’u mbrojtur nga sulmet e njerëzve. Ndërsa Presidenca ka lindur me rrethim në mënyrë monumentale dhe ishte pjesë integrale e atij objekti. Zhveshja nga rrethimi është si t’i heqësh lëkurën një njeriu dhe tani ka dalë si të jetë ambasada kineze, me ato dritat, që e çorienton shikuesin në imazhin e vet historik, pasi ne kemi një imazh historik për të. Edhe pse dukej si cingërimë, mua më dukej e rëndësishme. Sa i takon Teatrit, nëse do kërkohej dhe do ishte mundësia të bëhej teatri diku tjetër, do të isha unë i pari që do të merrja lapsin për të bërë një projekt restaurimi dhe për të bërë rifunksionalizimin e këtij teatri, pasi ky teatër nuk funksionon as sot siç funksiononte dikur Klubi “Skanderbeg”, që ka pasur bibliotekë, restorante, klube, ekspozita, teatër. Ishte një qendër multikulturore dhe duhej kthyer në qendër multikulturore. Piramida po kthehet në një qendër multikulturore, ndoshta si Center Pompidou. Atëherë, duhet ngritur një tjetër qendër kulturore? Ky është një debat shumë i madh. Unë nuk mendoj se ka mendime monolite për këtë çështje, e cila e kalon kornizën e një restauratori. Unë kam dyshimet e mia, por jo bindje aq të forta sa për të dhënë dorëheqjen nga detyra që kam. Dhe debatet nuk duhet të bëhen në momentin kur ndodhin, por shumë më përpara. Sensibilitetet do ta ishin më të larta. Në atë teatër nuk është vënë asnjë pllakë. Ne presim të flasë Robert Ndrenika për të thënë nëse vlen Teatri ose jo. Për 27 vjet, as qeveritë e majta, as të djathta nuk vunë asnjë tullë në të.
Është vënë re që në diskursin për Teatrin, pala që kërkon ta shembë TK është përpjekur të ulë vlerat e godinës, duke e quajtur dopolavoro, kazermë, gërmadhë…
Janë thënë shumë gjëra të pavërteta nga të dyja palët. Historia e asaj godine është shumë interesante. Është përdorur edhe si dopolavoro, edhe si Teatër edhe si sallë në gjyqet e famshme të ’45-ës, edhe për ekspozita… Nuk mund të thuash se kanë mashtruar ata që e kanë bërë kryevepër, sepse s’ka qenë dhe as ata që e kanë bërë fare pa vlera, sepse nuk është, por secili ka marrë pjesën e vet dhe e ka përdorur për synimin e vet. E mirëkuptoj Erion Veliajn, i cili kërkon ta vibrojë qytetin që administron dhe është vota e qytetarëve ajo që do të vlerësojë se si ka punuar Erion Veliaj. Erioni ka marrë një përgjegjësi të madhe. Nëse ka përdorur një gjuhë përçmuese për Teatrin e vjetër, këtë e bën sepse imagjinon teatrin e Bjarke Ingels që është një bizhuteri e arkitekturës, pastaj nëse duhet bërë aty apo në një vend tjetër, është tjetër debat. Ajo godinë është pjesë e memories së qytetit, po a mundemi që këtë memorie ta bëjmë pjesë aktive të qytetit tonë? Apo do të ikë dhe një brez tjetër pa teatër dhe na rrofshin memoriet kur nuk i jetojmë ato. Kjo është balanca e gjërave.
360grade.al