Home KRYESORE AVOKATI I POPULLIT NIS HETIMIN PER PRETENDIMET PËR USHTRIM DHUNE NDAJ SHTETASES...

AVOKATI I POPULLIT NIS HETIMIN PER PRETENDIMET PËR USHTRIM DHUNE NDAJ SHTETASES XH.M, SI DHE VEPRIMET E INSTITUCIONEVE SHTETERORE

Institucioni i Avokatit të Popullit në zbatim të detyrimit të tij kushtetues dhe ligjor, ka nisur hetimin administrativ në lidhje me pretendimet e publikuara në media për ushtrim dhune ndaj shtetases XH.M.

Pasi u njoh me informacionet e bëra publike dje dhe sot në media, nga Policia e Shtetit, si dhe protagonistë të tjerë të kësaj ngjarjeje, Avokati i Popullit urdhëroi ditën e sotme nisjen e një hetimi, i cili do të ketë si objekt verifikimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, pas denoncimeve të kryera nga shtetasja e dëmtuar dhe nga një punonjës i Policisë së Shtetit.

Hetimi do të synojë të marrë përgjigje për shumë pikëpyetje duke iu drejtuar organeve përgjegjëse, konkretisht: Komisariateve të Policisë në Tiranë e Fushë-Krujë, organit të Prokurorisë si dhe subjekteve që kanë dijeni për rastin.

Në objekt të hetimit do të jenë veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë lidhur me denoncimin e së dëmtuarës, zbatimi i detyrimeve ligjore si nga punonjësit e Policisë dhe nga subjektet e tjerë si dhe veprimet e organit të Prokurorisë për ndjekjen e rastit.

Avokati i Popullit dënon me vendosmëri çdo shfaqe dhune ndaj vajzave dhe grave dhe i inkurajon ato të ndjekin në çdo rast procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke i garantuar se do të jetë me të gjitha format dhe mjetet që disponon, në mbështetje të tyre.

Gjithashtu Avokati i Popullit inkurajon institucionet shteterore për zbatimin me korrektesë maksimale të ligjit, me qëllim për të garantuar gëzimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Share: