Home KRYESORE Dhembje bastarde! Nga Angelica Piras

Dhembje bastarde! Nga Angelica Piras

Shqipëroi Klodeta Dibra

Të urrej dhembje bastarde,
që shpon mishin tim njomëzak
dhe e shqyen,
e pamëshirshme je dhembje bastarde,
që ngul thonjtë e tu majucë
për të sakatuar trupin tim.
Në damarët e mi përvëlues
gjaku rrjedh ngadalë,
ndiej duhmën e mishit të kalbur
dhe nga frika se mos vdes
dhunoj veten.
Çohu trup i flashkët,
pastrohu trup i nënshtruar,
mbathi teshat trup i pashërueshëm,
maskohu trup i lënguar,
shfaqu trup i gjallë,
reago ndaj këtij bastardi qelbësirë,
mos e lejo të të zhveshë krejt
e të të ndërtojë në qenësinë tënde
një shkretëtirë gjëmëzesë.
Lufto pa reshtur,
kundërvihu dhunës së saj të marrë,
mos e lejo të të burgosë
në humbëtirën e vdekjes.
Eja bastard,
po të pres,
do të mbërrish e do të rrëzohesh
në pëlhurën e shpirtit tim ylber,
ngjyrat e tij do të të çojnë
larg prej trupit tim të shqyer,
nuk do më ndalosh, nuk do më zësh
duart e mia,
nuk do mundesh që të heq dorë
prej të shkruarit, prej të pikturuarit,
sepse ato do të jenë amëshueshmërisht
skuta ime e paqtë.
(Angelica Piras, Dhembje bastarde)

Share: