Home KRYESORE Investigimi/ Paratë e të drejtave të autorit i merr agjencia e re...

Investigimi/ Paratë e të drejtave të autorit i merr agjencia e re ‘GRAMM’-A që nuk përmbush ligjin

Report TV nis transmetimin e disa investigimeve ku tregohet se si Ministria e Kulturës për mbledhjen dhe shpërndarjen e parave që lidhen me të drejtat e producentëve, ka licencuar kompaninë e re GRAMM-a e cila nuk përmbush kushtet e licencimit.

Rregullat e reja rreth pagesës së të drejtave të autorit, të miratuara në fshehtësi të madhe nga ministria e Kulturës në mes të gushtit të një viti më parë, kanë shkaktuar polemika të ashpra mes pronarëve të lokaleve publike dhe medias, të detyruar të paguajnë një taksë të re për muzikën, e cila shpesh nuk kuptohet mirë se në xhepat e kujt përfundon realisht.

Autorë e interpretues kanë denoncuar më shumë se një herë publikisht se nuk kanë marrë as edhe një qindarkë të vetme nga këto fonde, të mbledhura në emër të tyre.

Problemi rikthehet të jetë aktual pas një viti, po sot dhe njolloset nga hija e një skandali.

Siç edhe shihet nga ky dokument bëhet fjalë për një vendim të ministrisë së Kulturës të muajit korrik me të cilin licencon agjenci të reja që duhet të merren me mbledhjen e këtyre taksave.

Liçensimi i Shoqatës GRAMM-A nga Ministria e Kulturës

Sipas një ligji të miratuar në vitin 2016, të drejtat e autorit duhet të shpërndahen mes producentëve, autorëve dhe interpretuesve: secila nga këto kategori përfaqësohet nga një shoqatë, e cila pajiset nga Ministria e Kulturës me një licencë trevjeçare si Agjencia e Administrimit Kolektiv (AAK).

Ky dokument tregon se si, më 6 korrik 2018 ministria e Kulturës ka vendosur “Për mos ripërtëritjen e licencës së agjencisë “AMP”, si agjenci e administrimit kolektiv në fushën e të drejtave të prodhuesve të fonogrameve”,  duke zgjedhur për të licencuar në vend të saj agjencinë GRAMM-A.

Urdhëri i Ministrisë së Kulturës për mosripërëritjen e liçensimit të AMP

Nga dokumentet që zotëron Report TV, në fakt, del se agjencia GRAMM-A nuk plotëson pjesën më të madhe të kërkesave të ligjit për të administruar mbledhjen e të drejtave të destinuara për producentët e muzikës, Një shumë kjo që llogaritet rreth 16 milionë lekë (të reja) çdo vit. Gati 130.000 euro, që tani nuk kuptohet mirë në cilat duar do të përfundojnë.

GRAMM-A është regjistruar pranë Gjykatës së Tiranës si organizatë jo fitimprurëse më 28 maj 2018 , po atë ditë kur skadonte afati i caktuar nga Ministria e Kulturës për të paraqitur kërkesën për të marrë licencë.

Nëse shikojmë me kujdes datat e këtij dokumenti, më 28 maj GRAMM-A nuk arrin të paraqesë të gjithë dokumentet e duhura për aplikimin, që plotësohen vetëm më 29 maj, pra 24 orë pas kalimi të afatit. Në rast se ministria do të kishte respektuar afatin e caktuar për aplikantët e tjerë, agjencia GRAMM-A do të ishte skualifikuar menjëherë, pasi dosja e saj ishte jo e plotë. Në fakt, kërkesa pranohet pa vërejtje.

Dokumentat e paraqitura nga GRAMM-A në 29 Maj në Ministrinë e Kulturës nderkohe qe afati i fundit per dorezimin ishte 28 maj

Por problemet dhe parregullsitë janë edhe më të rënda. Ligji 35/201 që rregullon të drejtat e autorit, përcakton në Nenin 133 se, për të marrë licencën, agjencia duhet të ketë një seli me “hapësirën dhe logjistikën e përshtatshme dhe mekanizma të mjaftueshëm për mbledhjen, shpërndarjen dhe pagesën e shpërblimit”. Por selia e deklaruar nga GRAMM-A në kërkesën e saj për të marrë licencën nuk ekziston:

Një gazetar i Report TV shkoi në rrugën “Ymer Kurti”, P. nr.8 H, Ap. nr. 42, por plaku që hapi derën nuk di asgjë për GRAMM-A-n.

Kam tash 12 vjet studio dublimi dhe regjistrimi, kështu që keni ardhur gabim.

Personi përgjegjës që përgjigjet

Ne zyrën e kemi pasur aty ku keni shkuar ju, në apartamentin që keni shkuar ju. Ne kemi një adresë e cila është e regjistruar edhe në gjykatë edhe në Ministrinë e Kulturës. Ka konçiduar që ne dy ditë para kemi marrë zyrat e reja. Keni shkuar edhe nuk na keni gjetur aty. Kemi ushtruar veprimtarinë deri dy ditë para se të vinit ju, pas kësaj date ne kemi bërë marrëveshje me zyrat tona të reja

Romeo Koçi drejtor i GRAMM-A

Një kusht tjetër, edhe më i rëndësishëm, për të marrë licencën, është ai që caktohet në Nenin 135 të ligjit, sipas të cilit: ”Administrimi kolektiv i të drejtave (…) i jepet nga ministria përgjegjëse për të drejtat e autorit vetëm një subjekti (AAK), i cili:

a) ka marrë pëlqimin për kryerjen e administrimit të të drejtave nga ana e shumicës së mbajtësve të të drejtave të kësaj kategorie, të cilët i kanë dhënë kompetencat e tyre të përfaqësimit për administrimin e të drejtave të tyre;

Report TV pyeti drejtuesin e GRAMA-s  Romeo Koçi Sukniqi nëse e kanë respektuar këtë pikë të nenit 135.

Pas shpalljes së konkursit, konkurs të hapur nga MK një grup interesi që janë prodhuesit e fonogrameve më kontaktuan edhe më thënë për të marrë licencën.

Romeo Koçi

Pika B e këtij neni sanksionin se ”Administrimi kolektiv i të drejtave (…) i jepet nga ministria përgjegjëse për të drejtat e autorit vetëm një subjekti ka numrin më të madh të kontratave të lidhura me agjencitë reciproke të huaja.

Por Agjencia GRAMM-A në të vërtetë nuk ka marrë pëlqimin nga shumica e mbajtësve të të drejtave të producentit, të cilët siç duket nga ky dokument gati të gjithë janë anëtarë të agjencisë AMP , pra të agjencisë që u s’kualifikua.

Ajo që të habit është fakti se disa nga ortakët themelues të agjenci GRAMM-, pak ditë pasi kanë marrë licensën nga ministria, kanë pushuar aktivitetin e tyre.

Është fjala për shoqërinë Global Media Com, e cila, siç rezulton nga ekstrakti i QKB, në datën 30 korrik 2018 ka pezulluar aktivitetin e saj  ose shoqërinë Zyra Kombëtare e Import-Export të Fonogrameve, e cila ka pezulluar aktivitetin e saj më datë 16.06.2018.

Pesë nga 11 themeluesit e GRAMM-A janë thjesht persona fizik, pra nuk kanë një aktivitet tregtarë si producentë pasi nuk janë me NIPT, ndërsa dy  anëtarët e tjerë, Blendi Kalivaçi dhe Fejzo Subashi në datën 25 maj 2018  kanë paraqitur dorëheqje nga anëtarësia e GRAMM-A, duke lajmëruar edhe Ministrinë e Kulturës siç edhe shikohet në këto dy letra dorëheqje që disponohen nga Report Tv.

Deklarata e dorëheqjes së dy anëtarëve të GRAMM-A Blendi Kalivaçi dhe Fejzo Subashi

Një anëtarë,  tjetër dhe pikërisht TOP RECORDS, është krijuar vetëm në ditët e para të muajit maj, pra pak javë para themelimit të agjencisë. Lind pyetja,  çfarë  kanë prodhuar vetë dhe cilët producentë përfaqësojnë këto kompani themeluese te GRAMM-a, nëse janë mbyllur, apo sapo kanë lindur, apo thjesht janë persona fizikë pa asnjë aktivitet të tatueshëm?

Ne jemi në fazën kur të gjithë prodhuesit e fonogrameve po bëjnë kontrata me agjencinë që mbron këtë cilësi dhe ne deri tani kemi 11 kontrata të firmosura, por që shumë shpjet do të plotësohet e gjithë cilësia që mbrojmë ne.

Romeo Koçi drejtor i GRAMM-a

A ka pasur deri më tani regjistrime të reja?

 Jo, sepse ne kemi një muaj që kemi filluar punë.

Romeo Koçi

Drejtori  i GRAMM-A i referohet 11 kontratave  me producentë, që në fakt janë 11 anëtarë themelues të kësaj agjencie. Por praktikisht siç edhe e treguam përmes dokumenteve,  pamë se nga 11 themelues të GRAMM-A vetëm një prej tyre kompania MIA, mund të quhet producentë muzikore edhe nëse siç duket nga profili i saj në QKB kompania, mes aktivitete të saj liston  edhe ndërtime, gërmimet, instalimet të sistemeve hidro-sanitare, deri te menaxhimi i një kafeneje apo restorante. Por sa kontrata me agjencie homologe të huajë zotëron agjencia GRAMM-A?

11 themeluesit e GRAMM-A

Po me homologët, me të jashtëm keni kontrata?

Shoqëria apo agjencia GRAMM-A duhet që të bëjë marrëveshje ndërkombëtare me të gjithë agjencitë homologe në të gjithë botën. Gjë që jemi ende në proces. Agjencia GRAMM-A bashkë me Ministrinë kanë njoftuar për ndryshimet që kanë ndodhur edhe jemi në hapat e parë për të bërë marrëveshjet ndërkombëtare.

Romeo Koçi

Po ligji mbi të drejtën e autorit e parashikon ndryshe. Sipas neni 133, siç kemi parë pak përpara, për të fituar një licencë nga ministria e kulturës, Agjencia duhet të ketë  ”numrin më të madh të kontratave të lidhura me agjencitë reciproke të huaja”. Ndërkohë që GRAMM-A e siç edhe e pranon vetë drejtori i saj Romeo Koci Sukniqi  nuk  ka të lidhur ende asnjë kontratë,  por pretendon që  se është në proces, bile në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës.

Si shpjegohet qe Ministria e kultura e ka licencuara shoqata GRAMM-A si Agjencia e Administrimit Kolektiv te drejtat e producentëve duke e ditur qe ajo përfaqëson vetëm një producent vendas dhe asnjë producent te huaj, në shkelje flagrante te ligji?  Një abuzim, i cili, siç do të shohim në vijim të investigimit tonë, është vetëm një nga kapitujt e një skandali edhe më të madh. Për këtë situatë me licensimin problematik të GRAMA Report TV kërkoi të kishte edhe prononcimin e Ministrisë së Kulturës por deri më tani, kjo ministri nuk ka dhënë asnjë përgjigje./d.ba./shqiptarja.com

Share: