Home KRYESORE Katalogu i pyetjeve që Fevziu nuk deshi t’ia bëntë Hashim Thaçit!

Katalogu i pyetjeve që Fevziu nuk deshi t’ia bëntë Hashim Thaçit!

Nga Enver Bytyçi

Parmbrëmë në emisionin “Opinion” ishte i ftuar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai erdhi në këtë ekran me ndërmjetësinë e këmbngulësinë e bashkëpunëtorit të Milosheviçit, Baton Haxhiu.

Ndërkohë që ky i fundit ishte dhe përpiluesi i pyetjeve që duhej t’i bënte zotit Thaçi moderatori Blendi Fevziu. Se Batoni ishte bashkëpunëtor i Milosheviçit, këtë të vërtetë e publikoi dje edhe një institute serioz studimesh e kërkimesh në Ljubljanë të Sllovenisë.

Se çfarë i bie të jenë Thaçi e Fevziu, këtë nuk mund ta përcaktoj qartë! Vetëm di se Batoni është këshilltar i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit e mik i ngushtë i dy personazheve në opinionin e datës 6 shtator. Ndërkohë që di se Haxhiu është në këto pozicione pikërisht për meritë të faktit se ka qenë bashkëpunëtor i Milosheviçit dhe Shejshelit, dy liderëve kryesorë, të cilëve u ka shërbyer Aleksandër Vuçiq. Ndaj dhe munguan shumica e pyetjeve që duheshin bërë mbrëmë në adresë të Hashim Thaçit.

Një pjesë prej këtyre pyetjeve të munguara po i rendis më poshtë:

1. Ju zoti Thaçi thatë se Serbia nuk bën kompromis e marrëveshje (pa i dhënë territore shen. im) dhe këmbngulët se vetëm korrigjimi i kufijve mund të bindë Serbinë të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën. Pyetja që shtrohet është e qartë. Pse nuk shpjegon se çfarë koptoni ju personalisht, edhe nëse nuk keni diskutuar në detaje, me shkëmbim territoresh?! Kur hidhet një ide detyrimisht paramendohet rezultati i saj. Vërtet ju nuk e keni paramenduar se cili do të jetë ky rezultat?

E pabesueshme! Atëherë pse nuk jeni transparent me publikun, pse nuk i thoni cili është përceptimi juaj në terrenin praktik kur kërkoni “korrigjim kufijsh”? Çfarë fshihni pas kësaj enigme?

2. Ju thatë në opinion se ““Unë nuk kam fuqi t’a bind Serbinë t’a njohë Kosovën”! Kur nuk ke fuqi, pse vazhdon ta udhëheqësh dialogun? Mendoni se pa ju nuk mund të zhvillohet ky dialog?! Ndërkohë pse keni kaq ngut të madh për kompromis me Serbinë duke i dhënë territore asaj? Pse duhet t’ia japim Serbisë pasuritë më të mëdha e më të çmuara të Kosovës në këmmbim të një ulëseje në OKB dhe anëtarësimit në NATO e BE?

Pse qenka më e vlefshme një karrige në OKB se pasuritë dhe territori i Kosovës? Çfarë i duhet Kosovës anëtarësimi në NATO në këto moment, kur NATO është në Kosovë dhe e garantuar prej saj? Nga se kërcënohet Kosova, kur NATO (KFOR-i) është aty? Pse pretendon se mosanëtarësimin e Kosovës në BE e pengon mungësa e marrëveshjes në Serbinë?

Po Serbinë a nuk e pengon mungesa e kësaj marrëveshjeje? A nuk e pengon integrimin më shumë se kjo marrëveshje dështimi juajt për ta ndërtuar shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Kosovë? A nuk jeni ju aktori kryesor i politikës së Kosovës nga pavarësia e deri më sot e njëkohësisht përgjegjësi kryesor për korrupsionin, krimin e organizuar, fallsifikimin e zgjedhjeve të lira, lidhjet nepotike dhe politizimin e shoqërisë së Kosovës?

Dhe a nuk janë këto shkaqet themelore të mungesës së hapave seriozë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian? Pse doni t’i transferoni përgjegjësitë tuaja te Merkel, kur i thoni se “bëni pesë vendet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën e pastaj nuk po flasim për ndryshim kufijsh”?

3. Ju zoti Thaçi thatë mbrëmë se çeshtjen e korrigjimmit të kufijve e përmendët për herë të parë kur pritët përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Pse gënjeni, ju lutem? Atë ditë keni përmend këmbimin e territoreve. Deri atë ditë për së paku dy muaj keni folur për “kommpromisë të dhimbshme që çojnë në humbjen e territoreve të Kosovës”.

Atëherë pse e futët këtë gënjeshtër në përgjigjet dhe bisedën tuaj televizive? Cili është kurthi i një deklarate të tillë? A mos doni të sensibilizoni opinionin me kurthin tuaj për “të drejtat e shqiptarëve në Luginë” dhe të hiqeni “patriot” për të fshehë komprimisin e dhimbshëm, siç e keni quajtur ju, me Serbinë?

A e ftuat Luginën e Preshevës në takim me qëllim që ta mashtroni opinionin publik në Kosovë të tronditur nga përcaktimet tuaja të njëjta me ato të Beogradit për ndarjen e vendit? Si e shpjegoni që pjesa për ndarjen e Kosovës konfirmohet nga hamologu juaj në Beograd dhe nuk kontestohet nga ana juaj, ndërsa pjesa për bashkimin e Luginës mohohet nga presidenti i Serbisë?

4. Cfarë fshihni kur thoni se “nuk do të ketë humbje territoresh e njëkohësisht u luteni ndërkombëtarëve që t’ju lejojnë ju që bashkë me Vuçiq të merrni vendime në emër të së ardhmes së të dy vendeve”? Si e komentoni faktin se në Beograd deklarohet hapur dhe bëhen emisione televizive pafund me hartat e Kosovës, e cila, sipas tyre, do të ndryshojë me nënshkrimin e marrëveshjes nga ana juaj? Pse fillimisht folët për kompromis të dhmibshëm me humbje territoresh, më pas e ndryshuat terminologjinë me këmbim territoresh e në fund po flisni për korrigjim kufijsh? Pse ndryshon diskursi juaj nga dita në ditë e ndërkohë luteni e kërkoni me këmbngulje që të të lejojnë ta nënshkruash një marrëveshjeje të tillë me Beogradin?

5. Pse i kundërviheni cilitdo që kritikon përpjekjet tuaja për arritjen e një marrëveshjeje e ndarje të territorit të Kosovës me Serbinë? Pse iu kundërvutë zonjës Merkel e ndërkohë thoni se do të keni mbështetjen ndërkombëtare për “korrigjimin” (lexo: ndryshimin) e kufijve? Pse fshiheni pas akuzës, sipas së cilës “Ata që më kundërshtojnë mua janë kundër dialogut”? Ku e merrni guximin të sulmoni çdo ambasador dhe ekspert perendimor që i kundërvihet idesë tuaj për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë

6. Pse i fyeni dhe shpifni për figurat qendrore të shqiptarëve kur kritikojnë idenë tuaj të çmendur të ndarjes së Kosovës? Ose pse spekulloni me ta, si në rastin me Rugovën, kur doni të justifikoni qëndrimet dhe veprimet tuaja për ndarjen e Kosovës?

7. A e dini se ju jeni i pari kryetar shteti në botë që tregoni gatshmëri për tjetërsimin e territorit të vendit që qeveris? A e dini se edhe pushtuesit nuk na i kanë tjetërsuar territoret, përveçse pushtuesve serbë e grekë? Si munde të bashkohesh me këta lloj pushtuesish të pamëshirshëm e të propagandosh cënimin e integritetit territorial të Kosovës?

8. Ju thatë se nuk jeni takuar dhe nuk keni biseduar me Ramën. Dhe përmendët Metën për një takim tangent. Unë po ju pyes: A nuk quhet bisedë me kryeministrin shqiptar këmbimi i e-mailleve për deklaratat që mbani në raste të shumta? A nuk ishte formulimi i Ramës deklarata juaj kundër Sali Berishës? A nuk ishte shkruar nga Rama lutja juaj para ambasadorëve për t’ju lejuar ta ndani Kosovën në favor të mikut tuaj Vuçiq? A nuk janë aranzhime të Ramës me Baton Haxhiun të gjitha qëndrimet tuaja lidhur me marrëveshjen me Serbinë?

A nuk ishte Rama i pari që e ka shtruar si opsion ndarjen e Kosovës dhe më pas ua dha ju këtë detyrë? Pse hesht Rama dhe a nuk hedh ai gurin e pastaj fsheh dorën në këtë aventurë antishqiptare? Me deklarata të tilla amatorësh nuk mashtrohen shqiptarët. Gjithkush e di ju komunikoni çdo ditë e çdo natë me Edi Ramën, Baton Haxhiun, madje dhe me Vuçiqin e të tjerë miq tuaj!

9. Gjithçka që keni thënë deri tani të krijon përshtypjen se ju zoti Thaçi me vetiniciativë keni hedh në treg territoret shqiptare/ Pse po e bëni këtë pazar me Serbinë, zoti Thaçi? Pse jeni kaq i përkushtuar, edhe pse i vetëm, për t’ia dhënë një pjesë të Kosovës Serbisë?

I trembeni gjykatës speciale dhe kësisoj keni marrë garanci nga Serbia se nuk do të dërgohet asnjë dosje për ju në këtë gjykatë? I trembeni kësaj gjykate dhe besoni se me ndarjen e Kosovës do ta zhbëni edhe shtetin e saj e më pas gjykata speciale delegjitimohet, për pasojë nuk do të ekzistojë më? Keni frikë nga ndonjë çorbë e helmuar që mund ta keni gëlltit diku e dikur?

Apo doni që me faljen e territorit të vendit të merrni çmimin Nobel për Paqe? Mos lavdia personale dhe egoja juaj ngrihen më lart se interesi nacional dhe territori i vendit? Nëse është kjo e fundit, a e mendoni se në këtë rast miliona shqiptarë do të nënshkruanin kundër këtij çmimi për ju? A e mendoni se dikush do t’i shpalosë të gjitha gazetat e Perendimit në të cilat ju akuzoheni për trafiqe dhe njëmijë të zeza dhe do t’ia dërgojnë Komitetit të këtij çmimi?

A e dini se dhjetra mijë shqiptarë do i shkruajnë dhe ia dërgojnë dëshmitë e tyre të panumërta këtij komiteti, në të cilat do të shkruhen aventurat tuaja deri te vrasjet politike? Pse doni ta ngacmoni plagën që keni hap te mijëra shqiptarë me këtë ambicje për t’u quajtur nobelist?

10. Pse nuk llogarisni në pasojat e ndarjes së Kosovës zoti President? Pse e mohoni faktin se ndarja e Kosovës sjell pasoja zingjir? Ju jeni në atë detyrë për t’i analizuar dhe vlerësuar thellësisht e seriozisht këto pasoja? Pse i injoroni ato duke dhënë garanci se nuk do të ndodh asgjë? Ku e dini ju se serbët në jug të Mitrovicës nuk do të kërcënohen e nuk do të dëbohen për në Serbi në rastin e një konflikti të shqiptarëve me ju për t’i dhënë territore Serbisë?

A nuk e kuptoni se shumica dërmuese e shqiptarëve janë kundër kësaj ideje tuajës? Ku e dini ju se shqiptarët në hakmarrje të qëndrimit tuaj antikombëtar nuk do të revoltohen dhe kësisoj nuk do të pajtohen me praninë e priftërinjve ortodoksë në vend? Ku e dini ju se Republika Srpska nuk do t’i bashkohet Serbisë ose nuk do të shpallë pavarësinë? Kë besoni ju, demagogjinë dhe gënjeshtrat e Aleksandër Vuçiq?

A nuk zotohej Nikolla Pashiq para 100 vjetësh se me shqiptarët “do sillej si edukator e jo si dhunues e mizor”?! Edhe ai kishte mbështetjen e Perendimit. Ku e dini ju zoti Thaçi se shqiptarët në Maqedoni do të pranojnë të qëndrojnë në një shtet me maqedonasit? Pse serbët u dashka të krijojnë shtet etnik të pastër, e madje minishtete me ekstraterritor në Kosovë, ndërsa shqiptarët u dashka të jetojnë në pesë shtete?!

Dhe nëse ndodhin këto a keni llogaritur se shqiptarët humbasin edhe më tej territore? A e dini gjithashtu se territori dhe popullsia janë dy komponentët themelorë të një kombi? A e njihni faktin se po shkatërrove njërin prej këtyre komponentëve ke shkatërruar ekzistencën nacionale? Pse nuk e shpjegoni, nga i keni garancitë tuaja se “asgjë e ngjajshme nuk do të ndodhë”?! Dhe pse këto ua përsërisni gjithnjë ndërkombëtarëve? Vërtet mendoni se ata janë aq naivë sa nuk e dijnë se çfarë ndodh më tej nëse Kosova ndahet?!

11. Ju thirreni vazhdimisht në atë se “keni mirëkuptimin e ndërkombëtarëve”! Të cilëve ndërkombëtarë? Të atyre që ishin kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të organizatave ndërkombëtare që kanë protestuar në mbrojtje të Milosheviçit dhe krimeve të tij kundër shqiptarëve në pranverën e vitit 1999? Për cilët ndërkombëtarë bëni fjalë? Për Moskën, Pekinin, Beogradin, Madridin, Nikozian, Beogradin? Edhe këto vende i takojnë komunitetit ndërkombëtar! Pse ndërsa flisni për përkrahje të ndërkombëtarëve sulmoni ashpër e pa takt diplomatik ambasadorin britanik në Prishtinë, në të njëjtën kohë e në të njëjtën mënyrë siç e sulmoi Vuçiqi abasadorin e të njëjtit vend në Beograd?

Pse e sulmuat Angela Merkelin? Pse sulmuat Daniel Serwer? Pse sulmoni çdo zë të ndërkombëtarëve që del kundër idesë tuaj të çmendur për ndarjen e Kosovës?! Pse jeni kaq hipokrit, mashtues e manipulues zoti President, në vend që të dëshmoni transparencë, dinjitet dhe sinqeritet, cilësi këto të domosdoshme për një kryetar shteti?!

12. Kushtetua e vendit shkruan qartë: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Neni 2, pika 2 e Kushtetutës. A e dini se cënimi i kushtetutës nga ana juaj, ose dhe përpjekja për ta cënuar atë ju ngarkon me përgjegjësi shtetërore dhe penale?

Share: