Përktheu nga origjinali anglisht Elvis Zaimi
Kjo është një vepër e dogmatikës, është pra një përpjekje për të parashtruar një sistem bindjesh, pa u ndalur në argumentimin e pyetjeve abstrakte, në lidhje me të cilat ky sistem rreket të ofrojë përgjigje. Dogmatika e konservatorizmit duhet dalluar nga filozofia mbi të cilën ajo mbështetet, dhe nga politikat të cilat lindin prej saj.
Realiteti i politikës është veprimi, por veprimi, sadoqë në mënyrë të mbuluar, e ka prejardhjen nga mendimi, dhe veprimi konsekuent kërkon edhe të menduarin konsekuent. Duke qenë se nuk ka një politikë konservative universale ka lindur edhe iluzioni se nuk ekziston mendimi konservator, një korpus besimesh apo parimesh, një viszon i përgjithshëm mbi shoqërinë i cili I motivon konservatorët të veprojnë. Pra keqkuptimi që ka lindur është se veprimi konservator është thjesht reaksionar, se politikat konservatore thjesht mbajnë peng dhe zvarrisin progresin, se besimi konservator është “nostalgjia” për të shkuarën.
Unë do të argumentoj se përqasja konservatore, dhe dogma që e mbështet atë, janë sistematike dhe të arsyeshme. Konservatorizmi rralë e shpreh vetveten me maksima, formula apo objektiva. Thelbi i tij është i paartikuluar, dhe mënyra sesi shprehet, kur është i detyruar ta bëjë këtë, është skeptike. Por ai është në gjendje ta shprehë vetveten, dhe në kohë krize, I shtrënguar ose nga nevoja politike, ose nga kërkesat e zhurmshme për doktrinë, konservatorizmi jep më të mirën e tij, ndonëse nuk është gjithmonë e sigurtë se fjalët e gjetura për ta shprehur atë janë të një niveli me instiktin që i kërkon ato.
Kjo mungesë sigurie nuk rrjedh nga mosbesimi ose nga droja, por nga të qenurit i ndërgjegjshëm mbi kompleksitetin e qenieve njerëzore, dhe nga të qenurit I lidhur ngushtë me vlera të cilat nuk mund të kuptohen me qartësinë abstrakte të teorive utopike.
Është bërë e zakonshme për intelektualët e kohëve tona të besojnë se pozicioni konservator nuk është më i vlefshëm. Shekulli XX do të kujtohet më së shumti për dhunën e tij, dhe përpjekja për ta kuptuar këtë dhunë ka sjellë edhe ngritjen e ideologjive politike.
Ndërsa ushtritë injorante ndesheshin në natën e Evropës, bashkë me këtë ndeshje zhurmuan edhe “shkaqet” për të cilat ato ishin duke luftuar, të tilla si “barazia”, “liria”, dhe “drejtësia sociale”. Ndërkaq, nuk pati asnjë raportim të tillë në lidhje me flamurin e konservatorizmit, dhe për këtë arsye intelektualët nxorrën konkluzionin se nuk ka një kauzë konservatore, pra nuk ekziston as dogma konservatore.
Ne kemi trashëguar një botë të përshtatur për nevojat e “të rekrutuarve”, për të cilët kredoja pa një dogmë nuk sugjeron një veprimtari koherente. Por një gjeneratë e re, për të cilën shpirti i luftës nuk është shpirti normal, mund të tërhiqet përsëri nga vizioni I njeriut në kompleksitetin e tij të plotë, i pathjeshtësuar nga teoria, ose nga idealet mbizotëruese. Kjo gjeneratë e ruan historinë për diçka më të madhe, diçka për të cilën ajo ka nisur të kërkojë. Por pa dogmën-në kuptimin e besimit të arsyeshëm-ajo gjithashtu mund ta humbë vetveten në lojën tranzitore të politikës.
Mendja evropiane ka nevojë për një përshkrim të thellë të politikave të saj, një përshkrim që reflekton realisht ngushticën e situatës ku ndodhet, por e cila gjithashtu mbetet e pandotur nga e përditshmja. Socialistët dhe liberalët e kanë synuar këtë mendje, secila ideologji duke pretenduar të ofrojë sistemin e parimeve të cilat kalojnë nga politika tek doktrina, dhe nga doktrina mbrapsht përsëri tek politika.
Konservatorët, të cilët shohin vlera tek paragjykimi, dhe rrezik tek mendimi abstrakt, kanë dalë jashtë kohës, duke I shprehur besimet e tyre në një gjuhë pajtuese dhe të vagullt. Megjithatë, as socialistët dhe as liberalët mund të kënaqen dhe të qetësohen. Fanatizmi i tyre, (dhe nuk ka fanatizëm më të madh do të argumentoja unë sesa fanatizmi i liberalizmit), nuk e lejon pajtimin, përsa pohimet e tyre duken të qarta, përfundimtare, dhe të themeluara në mënyrë sistematike.
Nëse konsevatorët nuk mbahen fort pas parimeve që i motivojnë, ata do të gjejnë veten të “luajtur mendsh” prej zgjuarsisë dhe mendjemprehtësisë të atyre që pretendojnë se kanë bindje, të cilat ata nuk i ndjejnë por janë gjithmonë në gjendje dhe të gatshëm t’I shprehin.Pa dogmën e tij konservatorizmi do të humbasë tërheqjen dhe thirrjen për njerëzit, (dhe sado se konservatorët nuk janë të gatshëm që ta pranojnë), politika moderne bëhet nga intelektualët.