Home KRYESORE Korrigjimi i kufirit/ Rezoluta kundër Thaçit votohet sot në Kuvend, seanca e...

Korrigjimi i kufirit/ Rezoluta kundër Thaçit votohet sot në Kuvend, seanca e jashtëakonshme

Kuvendi i Kosovës diskuton sot për rezolutën kundër Presidentit Hashim Thaçi, përpara nisjes së bisedimeve të tij me Presidentin e Serbisë në Bruksel, për të shqyrtuar “korrigjimin e kufijve”. Ideja e Thaçit për të përfshirë brenda territorit të Kosovës Luginën e Preshevës, me sa duket nuk është përfolur shumë nga serbët, pasi ata presin këmbimin e saj me Veriun e Mitrovicës.

Seanca është thirrur sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës kërkohet miratimi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës, propozoi emrat e ekipit negociator. Në krye të këtij ekipi u propozua zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i Partisë Nisma Socialdemokrate.

Zëvendëskryesues do të jetë zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, ndërsa anëtarë do të jenë: Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi e Mahir Yagcillar.

Qeveria ka kërkuar që edhe partitë opozitare të caktojnë nga një përfaqësues në këtë ekip.

Seanca është thirrur të fillojë në ora 09:00, kurse një tjetër seancë pasuese, po ashtu e jashtëzakonshme, është thirrur nga opozita, në përpjekje të miratimit të një resolute kundër bisedimeve që kanë për qëllim ndryshimin e kufirit të Kosovës.

***

Serbia është zotuar se nuk do të pranojë një marrëveshje që e turpëron atë, si ajo që kërkohej më parë nga vendet perëndimore, ku Beogradi duhej të pranonte shumë thjesht pavarësinë e Kosovës. Në fund të fundit, kështu ka bërë Serbia me ishrepublikat e tjera jugosllave. Pse të mos ndodhte edhe me Kosovën? Por, të mbështetur nga Rusia, serbët kërkojnë më shumë. Dhe kërkesa e tyre bazë është veriu i Kosovës. çështja pritet të diskutohet në takimin e 7 shtatorit në Bruksel, ku delegacioni i nivelit të lartë nga Kosova, i drejtuar nga Presidenti Hashim Thaçi, do të takohet me delegacionin e nivelit të lartë nga Beogradi, i drejtuar nga Presidenti Aleksandar Vuçiç, më ndërmjetësimin e kryediplomates europiane, Federica Mogherini.

Por, përpara këtij takimi, në Kosovë ka një votim të rëndësishëm në Kuvend, mbi një rezolutë që do të ndalojë Presidentin e Kosovës të diskutojë ndryshimin e kufijve. Seanca e kërkuar nga opozita mbahet të martën, ndërsa mbrëmjen e së hënës, në një orar të pazakontë, kryesia e Kuvendit ka mbajtur një seancë urgjente për të diskutuar mbi këtë çështje. Një seancë e jashtëzakonshme është caktuar për në orën 10:00. Pikë e vetme e rendit të ditës për të do të jetë debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Para saj, mbahet një tjetër seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në orën 9:00, me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj, për të shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar zyrtarisht se kush do ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë. Shef i tërë ekipit vazhdon të mbetet Presidenti Hashim Thaçi.

“Si Qeveri me këtë delegacion po marrim përsipër dhe përgjegjësitë tona për dialog. Kjo është një mundësi e mirë që Qeveria ta kryejë punën e vet dhe Parlamenti punën e vet”, ka thënë Haradinaj. Sipas vendimit, Fatmir Limaj emërohet kryesues, ndërsa Enver Hoxhaj-zv-kryesues i ekipit qeveritar. Listës, Kryeministri i Kosovës i ka shtuar edhe nga një përfaqësues nga partitë opozitare: LDK, VV, PSD dhe Alternativa. Në procesin e dialogut do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Share: