Home KRYESORE Protesta në Prishtinë – shansi i humbur i LDK-së, fitore e pastër...

Protesta në Prishtinë – shansi i humbur i LDK-së, fitore e pastër e Vetëvendosjes!

Nga Enver Bytyçi

Pasnersër, me fatën 29 shtator 2018 në orën 14.00, Lëvizja Vetëvendosja do të organizojë në kryeqytetin e Kosovës protestën e parë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi. Disa elementë të kësaj proteste, e ndryshme nga të gjitha protestat e derisotme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, mund të jenë:

1. Organizatorë të protestës – Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.

2. Pjesmarrës në protestë: Anëtarët, simpatizantët dhe gjithë shqiptarët që e kanë të shënjtë atdheun dhe territorin e tij. Pjesmarrës do të jenë edhe anëtarët e Lidhjes Demokratike, të partive në koalicionin qeverisës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo krerët e tjerë të opozitës ose të pushtetit.

3. Protesta adresohet kundër planeve të presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, përkatësisht Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për ndarjen e territorit të vendit.

4. Qëllimi i protrestës është të ndalohet çdo mundësi për bisedime për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, gjë që përkthehet në ndryshim kufijsh.

5. Vendi i protestës është sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Por në këtë protestë ka edhe disa risi:

1. Opozita e Kosovës e ka lënë Vetëvendosjen të vetme në organizimin e saj. Ndërsa Lidhja Demokratike i ka shpall luftë kryeministrit të vendit, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur papajtueshmërinë e saj me presidentin e Republikës, Hashum Thaçin, për (mos) ndryshimin e kufijve dhe mbrojtjen e territorit të vendit.

2. Lidhja Demokratike nuk i është bashkuar protestës për mbrojtjen e territorit, sepse kërkon të shfrytëzojë situatën dhe konfliktin midis kryeministrit dhe presidentit me qëllim marrjen e pushtetit! Kjo do të thotë se LDK bëhet mbështetje e presidentit Thaçi për ndarjen e vendit! Pra për LDK-në ka rëndësi pushteti, për Vetëvendosjen e Albin Kurtit ka rëndësi tërësia territoriale e Kosovës!

3. Lidhja Demokratike e Kosovës me qëndrimin e saj kundër ose asnjanës ndaj protestës potencon se “Institucionet e shtetit janë të rëndësishme” dhe beson se Kosova mund të ketë institucione pa territor! Absurde! Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë del në mbrojtje të shtetit të Kosovës e njëkohësisht territorit të saj, ndërkohë që vitet e shkuara ka zhvilluar disa protesta me moton e mosnjohjes së institucioneve të vendit! Ky është një kapërcim i madh në vetëdijësimin e saj!

4. Këto zhvillime në opozitën e Kosovës dëshmojnë se LDK dhe Vetëvendosje po ndërrojnë rolet, po zhvendosen në pozicione të panatyrshme ose të kundërta me atë çfarë ato janë proklamuar në të kaluarën!

5. Nga protesta e të shtunës del e fituar Kosova, pas saj Lëvizja Vetëvendosje dhe do të humbasin presidenti i Kosovës dhe aleatët e tij në Lidhjen Demokratike! LDK-së do t’i duhet shumë kohë t’i bindë qytetarët se nuk lufton për pushtet, por lufton për shtet e mbrojtjen e atdheut. LDK nuk mundi të kapë trenin e për pasojë do të vonohet! Çdo vonesë e saj do ta rrënojë besimin që ka te zgjedhësit në Kosovë.

6. Kam qenë kritik i Albin Kurtit, por me protestën dhe qëndrimet e qarta e të drejta të tij në mbrojtje të territorit të Kosovës ai nuk meriton kritika, përveçse vlerësimit maksimal të qytetarëve! Nëse Albin Kurti vazhdon ta përmbushë detyrën e tij në këtë objektiv, ai do të tejkalojë çdo vështirësi që mund t’i vijë për të qenë së afërmi kryeministër i Kosovës! Atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kuptojë se treni i humbur është edhe shans i humbur!
Tirane, 27.09.2018

Share: