Nuk ka ende asnjë person të shoqëruar për ngjarjen e rëndë në Laknas të Tiranës, ku banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala ra pre e plumbave të kallashnikovit. Ndërkohë, burimet kanë thënë për gazetën “Panorama” thanë se hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës janë përqendruar në përplasjen apo kërcënimet që Klodiana Lala ka pasur edhe më herët si gazetare. Kujtojmë se rreth 2 vite më parë, një kallëzim për kanosje që ajo kishte depozituar në Prokurori ishte pushuar pasi nuk u arrit të identifikohej autori.
Edhe për ngjarjen e fundit, hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se sulmi është bërë për shkak të detyrës. Fakti se është qëlluar me armë në shtëpinë e prindërve të saj dhe jo në banesën ku ajo jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat, nuk shërben për të devijuar drejtimin e hetimeve. Madje, burimet thanë se nuk ka dyshime që sulmi ka qenë për gazetaren, por shtëpia e saj është shumë e vështirë për t’u sulmuar për disa rrethana konkrete.
Ajo jeton në një apartament në katin e 8-të të një pallati, që është i monitoruar nga kamerat në të gjitha anët. Por, një arsye tjetër është edhe prezenca e shtuar e forcave të rendit në pallatin ku ajo banon, pasi aty jeton edhe një police e mbrojtur.
Për këtë arsye, autorët kanë zgjedhur shtëpinë e prindërve të gazetares, duke u nisur edhe nga automjeti që ajo përdor, i cili ditën e ngjarjes ka qenë i parkuar para shtëpisë së babait të saj, pasi ishte përdorur nga të afërmit./Opinion.al