Këtë fillimjave gjyqtarët rikthehen në punë.
Një nga dosjet që pritet më shumë interes, është ajo e Azem Hajdarit, për të cilën ka një kërkesë nga Izet Haxhia, për t’u rihapur.
Vendimi për hapjen apo jo të kësaj dosje, do të merret nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Në rast se dosja do të rihapet, për Sali Berishën do të ishte një problem i madh, pasi ka 8 dëshmitarë dhe disa prova të forta, që mund ta fundosin atë.
Një ndër ta është Zenel Neza, ish-truproja i Azem Hajdarit, i cili u qëllua gjatë atentatit.
Ai ishte prezent kur ndodhi sulmi dhe është personazhi kryesor që ka parë në sy vrasësit.
Madje Zenel Neza është personi i parë i cili pati kontakt me Berishën dhe ky i fundit i pëshpëriti në vesh kur ishte në spital.
Emër tjetër është Marjan Gryka.
Edhe ky i fundit ka qenë truproja i Hajdarit.
Në disa intervista ai ka akuzuar si vrasës të Hajdarit, ish-kryeministrin Berisha.
Emra të tjera që kanë qenë në të njëjtën linjë janë Jaho Mulosmani dhe vëllezërit e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, të dënuar si autorë të ngjarjes.
Ata e kanë mohuar krimin dhe po ashtu kanë akuzuar Berishën.
Grupit i bashkohet Fatos Klosi, ish-kreu i SHISH, që po ashtu pretendon se Berisha ka gisht në ngjarje.
Një tjetër emër është Ylli Rakipi, gazetari i cili ka qenë prezent në rrëfimin që Zenel Neza ka dhënë para Berishës në spital.
Rakipi e ka regjistruar bisedën, por nuk dihet se ku ajo ka përfunduar.
Tjetër emër është Astrit Muldaka.
Ai është dëshmitar i penduar i ngjarjes, pasi akuzohet se ka qenë pjesë e atentatit dhe ka qenë ai që ka siguruar makinën me të cilën lëvizën atentatorët.
Ndërkohë, janë dhe 3 prova të reja që mund të ndryshojnë situatën, shkruan Sot.
I pari është ditari i Perikli Tetës.
Asnjëherë nuk është përdorur në gjykatë ajo se çfarë thuhet aty.
Së dyti janë tabulatet telefonike të personave rreth ngjarjes.
Haxhia pretendon se falë këtyre tabulateve është shumë e thjeshtë të vërtetohet me kë ka folur Hajdari dhe Berisha.
Prova e tretë është regjistrimi i bisedës me diktofon i gazetarit Ylli Rakipi në momentin që i shkuan së bashku me Sali Berishën të plagosurit rëndë Zenel Neza, në Spitalin Ushtarak në Tiranë.(TemA)