Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se reforma në drejtësi është një shans për vendin tonë për të larguar korrupsionin dhe politikën nga sistemi i drejtësisë”.
Sipas saj, vetingu në drejtësi nuk duhet të ngatërrohet me vetingun në politikë, teksa shtoi se se raporti i pasurisë së politikanëve në Shqipëri bëhet nga ILDKP, si organi kompetent për këtë lloj vlerësimi.
“Për politikanët ashtu si dhe për çdo person tjetër, veprat penale si korrupsioni dhe të tjera shkelje ligjore duhet të ndiqen penalisht. Në një shtet ligjor ekzistojnë rregulla dhe ligje të qarta për të cilat çdo shtetas duhet t’i përmbahet, qoftë ky dhe politikan”, tha Schütz .
“Është mjaft e rëndësishme që për këtë qëllim të ndërtohen organet e duhura të sistemit të Drejtësisë për t’u ndjekur edhe politikanët nga drejtësia, por thelbësore është të mos ngatërrohet vetingu në drejtësi me atë në politikë. Krahas kësaj mbi bazën e informacioneve të mia ekzistojnë në Shqipëri, mekanizmat e duhura për të verifikuar raportet pasurore të personave të rëndësishëm, si politikanët, si ILDKP, që është organi përgjegjës për këtë dhe rëndësi ka që këto informacione të mbledhura të bëhen transparente në rrugë elektronike që të jepet mundësia të bëhet krahasimi i raporteve pasurore dhe vlerësimi i këtyre raporteve sipas ligjit”, tha Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz.
Sa i takon reformës në Drejtësi, Ambasadorja the se “procesi i vetingut është një shans real dhe mjaft i rëndësishëm, që krijon një bazë të rëndësishme për të larguar politikën dhe korrupsionin nga sistemi i drejtësisë”.
“Mesa di unë ky proces ka pasur vonesat e veta për shkak të hapave të ndryshëm për të cilat s’do doja të hyja në hollësi të veçanta, por KPK dhe KLGJ do ngrihen së shpejti që t’i hapin rrugën ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAKUT që janë kyçe në realizimin e plotë të Reformës në Drejtësi”, tha Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./ata/