Home KRYESORE Vdekja, ky udhëtim pa kthim…Ju lexues, miq dhe armiq, Fat i madh...

Vdekja, ky udhëtim pa kthim…Ju lexues, miq dhe armiq, Fat i madh për mua

Nga Artur Zheji

Kur gdhihemi në mëngjes, mendojmë rrejshëm se s’kemi për të vdekur asnjëherë. Të paktën kështu sillemi, kështu veprojmë dhe kështu gënjejmë veten dhe të tjerët.

Kur rreth nesh, rrallohen njerëzit e dashur dhe ndërmarrin një udhëtim pa kthim mbrapsht, pyetjen e parë që bëjmë është se nga çfarë u shkaktua ky largim dhe ngushëllohemi që sot jemi mirë e nuk vuajmë nga ajo gjë.

Pataj dita të rrëmben, me të zakonshmet e veta, herë të rëndomta herë interesante.

Dhe mbetemi kështu, herët a vonë, gjithmonë e më vetëm.

Breza të rinj, rriten e marrin formë, që kanë ëndrrat, iluzionet, shtysat dhe dëshirën e madhe për të jetuar jetën e tyre.

Dhe ashtu si ne, dje, kur ishim shpërthyes si ata, pothuajse nuk na shohin, na kapërcejnë apo vështrojnë përmes nesh, a thua se jemi të tejdukshëm ose të padukshëm.

Oborri i të dashurve tanë, rrallohet dhe radha jonë për të ikur, afrohet ditë pas dite.

Kështu ka qenë dhe me sa duket kështu do të jetë, njerëzit janë vdekatarë, të zëvendësueshëm dhe të harrueshëm, e andaj kur krekosen e fryhen, e për më tepër kur shkelin mbi të tjerët, duhet të gjejmë forcën e të tallemi me ta.

Por mbi të gjitha, duhet të ruajmë pjesën e mirë e të paprekur të shpirtit, të jetojmë pozitivisht e të dimë të zgjasim dorën, për një ndihmë apo për një urim, apo ngushëllim që duhet të burojë nga zemra.

Në këtë xhungël urrejtjeje ku jetojmë, njerëzit më të fuqishëm që marrin vendime të rëndësishme për jetën tonë, kanë një shkretëtirë të thatë e të egër në shpirtrat e tyre grabitqarë.

Ata kanë shpresën e rreme, se pushteti dhe pasuria, do të mund ti shpëtojë nga ankthi dhe frika e tyre e madhe, që kanë nga vdekja e ardhshme, apo nga thika pas shpine, ashtu si e do edhe zakoni i xhunglës ku ata janë banorë të dorës së parë.

Dhe mbjellin vuajtje dhe vdekje, që të mundin ankthin dhe vuajtjen që i gërryen brenda tyre, por kot e kanë, nuk ka shërim në këtë mënyrë e në këtë rrugë.

Sot e 5 vite më parë, unë humba Nënën time, Besa Imami. Për shumë vite kam vuajtur nga ankthi se si do ta përballoja, apo nëse do të mundesha ta përballoja.

Por jam këtu, gjallë dhe në barazpeshë mendore.

Mes jush, lexuesve të mi, që janë miq dhe armiq, por janë me mua sidoqoftë dhe kjo është një Familje e Madhe dhe kjo Familje është një Fat i madh për mua.

Mijëra njerëz të padukshëm që ndajnë të njëjtën kohë me mua, anipse mendime të ngjashme apo krejt të ndryshme.

Po pra, vdekja, përballohet kur bëhemi një Familje e Madhe njerëzore…

Shtator 2018/360grade.al

Share: