Ditën e djeshme për Stresin ishte paracaktuar të zhvillohej seanca për shqyrtimin e ankimimit në Gjykatën e Apelit në orën 09:45. Mirëpo, avokati i tij, Marash Ibraj, hoqi dorë nga kërkesa për lirim. Ai dha pak detaje.
Ai tha se Lushaj nuk besonte te drejtësia. Stresi u arrestua më 17 tetor. Ai u arrestua për akuzën “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Babai i Stresit, Sali Lushaj, thotë në një postim në “Facebook” se tërheqja nga ankimimi në Apel i masës së sigurisë ka ardhur pasi gjyqtarja e çështjes është “gjyqtare e devotshme dhe e zellshme e partisë në pushtet”.
“E pamë të udhës dhe më të drejtë të mos dalë një i persekutuar politik përpara kësaj gjyqtareje militante të partisë. Duke mos pasur pikën e besimit në dhënien e drejtësisë për Stresin. Dua t’ju bëj me dije se gjithë ajo bujë e madhe si organizator dhe si drejtues e si janë mësuar këta etërit e tyre në emër të popullit është shfryrë dhe nuk po dinë si të bëjnë. Askënd deri më sot nuk po mund ta bëjnë të dëshmojë kundër Stresit”, shkruan ai më tej.
“Gjyqtare e Apelit është Edlira Petri. I thashë Stresit në takim që të mos vijë fare në gjyqin e së hënës. Një familje persekutorësh nuk mund të gjykojë një të persekutuar. Pinjolle e një familje persekutorësh, nën urdhrat e partisë në pushtet”, u shpreh dje Lushaj për gazetën “Panorama”.
Ndërsa ai shtoi se djali i tij, me shumë gjasë, as këtë herë nuk do të fitojë drejtësi. Ai do të përfaqësohet në seancën e masës së sigurisë nga avokati./Opinion.al