Home KRYESORE Balla: Basha nxori njerëz nga burgu për ti përdorur në zgjedhjet e...

Balla: Basha nxori njerëz nga burgu për ti përdorur në zgjedhjet e 2009-ës

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të enjten, përgjatë një takimi me gra dhe vajza në qytetin e Elbasanit, akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se në vitin 2009 ka liruar të burgosur për t’i përdorur në zgjedhje.

Balla foli për nismën e qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit dhe basteve sportive, e cila u votua sot në Kuvend.

Ai theksoi se pjesë më e madhe e pronarëve të këtyre kompanive, sikurse e tha edhe kryeministri Rama, janë persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale.

Sipas tij, kjo tregon qartë se ku ndahen ata që e kanë seriozisht betejën me krimin me ata që krimin e kanë thjesht dhe vetëm një alibi për si kanë bashkëpunuar me krimin.

“Pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre kompanive, sikurse e tha edhe kryeministri sot në Kuvend, ishin persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale. Ja pra ku ndahen ata që seriozisht e kanë betejën me krimin dhe ata që krimin e kanë thjesht dhe vetëm një alibi për si kanë bashkëpunuar ata me krimin. Nuk është larg 2009-a dhe Elbasani e di fare mirë si bashkëpunoi Lulzim Basha me persona me të shkuar kriminale, madje i nxori edhe nga burgu, për ti përdorur për intimidimin e socialistëve, për intimidimin e qytetareve të Elbasanit”, tha Balla.

“E pra kjo është e vërteta e madhe, sot Partia Demokratike, nëse realisht e do familjen shqiptare, i do nënat dhe motrat shqiptare, i do të mirën këtij vendi, duhet të ishte e pranishme në Kuvendin e Shqipërisë dhe të jepte votën pro mbylljes së basteve dhe të lojërave të fatit në këtë vend. Megjithatë, Partia Demokratikë, ne e dimë, ekip, ku ekip ata, lidership, jo e jo, program as që bëhet fjalë”, shtoi Balla.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, Basha bëri akuza të ngjashme ndaj kryeministrit Edi Rama. “Sot, mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës”, tha kryedemokrati gjatë një deklarate nga selia blu.

Share: