Nga Arian Galdini
Le ta nisim duke thënë se qytetarët nuk e kanë fare për detyrë të dinë të drejtat e tyre. Do të ishte mirë, por nuk e kanë për detyrë.
E përderisa edhe po t’i dinë, jo të gjithë i kuptojnë ç’janë, lind nevoja, madje domosdoshmëria që ata të cilët kanë dhuratën nga Zoti a natyra për t’i kuptuar të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga këto të drejta të kujdesen e luftojnë për të gjithë.
Problemi me shoqërinë tonë qëndron tek e vërteta e trishtë, se këta që e kanë “dhuratën” e të diturit dhe kuptuarit të të drejtave janë bërë cenues, tjetërsues, kundërshtarë, kufizues apo tradhëtorë të këtyre të drejtave.
Ndaj edhe rruga e së vërtetës në Shqipëri është tepër e vështirë.
Kanë mbetur shumë pak, shumë shumë pak nga ata që kanë shtysa dhe kurajë për t’i thënë të vërtetat e mbrojtur të drejtat.
E ngase janë shumë pak, janë të pakuptuar e shpesh nën agresionin e “pakicave tradhëtore” dhe shumicave të pamundura për të kuptuar. Zoti na e lehtësoftë udhëtimin drejt së vërtetës dhe të drejtave, lirive dhe dinjitetit tonë!
E vërteta është se Shqipëria gëlon nga ushtruesit e pushtetit par excellence, të cilët janë shndërruar në skandaloidë të jashtëzakonshëm, duke e mbytur interesin publik, nën vëmendjen e tërhequr prej skandaleve që plasin çdo ditë. Interesi publik nuk është më çështje dhe pjesë e debatit publik në Shqipëri. Skandalet po.
Vëmendja kushtuar skandaleve është i vetmi sport kombëtar që na kanë dhënë mundësinë të luajmë ne qytetarëve, këta skandaloidët që na udhëheqin atje lart.
Një ditë plas skandal i Xhisielës, pastaj vijojnë seritë e Babaleve dhe Babileve.
Çudia është se edhe pse STOP në TV Klan dhe gazeta Standard buçasin për 93% të ilaçeve të skaduara në QSUT, as Opozita, as Civilët, as Mediat, e askush tjetër nuk e prekin këtë skandal të vërtetë dhe lemeritës.
Pra është e qartë se skandalet që marin legjitimitet si skandale në Shqipëri janë vetëm ato të përgatiturat me plan e kalendar në zyrat e partive dhe janë të dakordësuara mes palëve.
Për t’i arsyetuar e vendosur në krahasueshmëri skandalet që vijojnë sipas axhendës në ndjekje të njëri tjetrit, logjika e përdoror nga PD-së, nis me agjipropopin se po mbështet viktimën vajzë e dhunuar e përfundon me zemëratën se ajo vajzë ka syze 400 euro dhe Peugot te 2017. E kështu e nis me Babalen hero e përfundon me Babalen tradhëtar dhe Salianjin hero. Kështu edhe PS dhe Edi Rama kurrë nuk kanë qenë në krah të të dobëtit por kanë mbrojtur horrat, batakçinjtë, të fortët, dhunuesit dhe të korruptuarit.
Ku është vlera dhe interesi publik këtu, në këtë qëndrim të opozitës, me këto skandale të planifikuara e me këta heronj katastrofikë dhe kaqola që na përzgjedh dhe imponon?
Çfarë mendjeje e dështuar dhe e ligë mund tu imponojë demokratëve, opozitarëve dhe shqiptarëve heronj të tillë palaço e kaqola si Babalet e Salianjët?
Si mund të katandiset Partia më e madhe e Opoziës sot, Partia e parë Opozitare në vend, në një Parti që degradon në zyrë investigimesh, përgjimesh, avokatësh dhe fikserësh që prodhojnë skandale me Babale dhe besojnë heronj si Salianjët.
Ky është mjerim ulëritës.
Është turp e faqja e zezë.
Salianji heroi i PD, Salianji kalorësi i PD, Salianji shpreda e PD.
Broçkulla.
Sikurse e kam shkruar edhe më parë, këta janë mësuar me kaqola, kokëboshë e skuthokratë në oborret e partive dhe përrethnitë e tyre, e kujtojnë se të gjithë qytetarët janë kaqola.
Por jo. Këta po na thonë pak a shumë se duke qenë se Edi Rama është KM i krimit dhe horrave, meqë Rama ka Taulant Ballën, ne demokratët meritojmë mbi krye kaqolë si Salianji.
Nëse është kështu si është katandisur puna, këtu ku është, vetëm punë për të mirën e publikut dhe për publikun nuk është.
E këta nuk po e kuptojnë dot më se qytetarët nuk bëjnë as lojëra, as skema e as kalkulime partiake.
Qytetarët bëjnë aktin e tyre civil dhe politik duke u ngritur pa asnjë mëdyshje e pa asnjë rezervë, si rojtarë të interesit publik, kundër “problemit” të radhës.
“Problemi” i radhës që kanë sot qytetarët në axhendën e tyre është siguria ushqimore, ilaçet e skaduara, pagat e ulëta, borxhi publik, çmimet e larta, papunësia, etj, etj.
Nëse opozita nuk e kupton axhendën e qytetarëve, kurrë nuk ka për t’i pasur qytetarët me vete kur të ketë nevojë. Qytetarët kanë nevojë për liri e dinjitet, që të jenë të fortë e të zëshëm.
Një opozitë që ua lexon traumën qytetarëve dhe u bën terapi me Babale e Salianjë, vetëm për lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve nuk punon.
Kush nuk e ndjek axhendën e qytetarëve sot, të mos u kërkojë qytetarëve t’i jenë në krahë nesër.
Opozita duhet ta ndjekë qytetarin dhe axhendën e qytetarëve, dhe jo e kundërta. Nuk mundet kjo opozitë t’u imponojë qytetarëve axhendën e saj partiake. Kurrsesi. Dhe e ka të pamundur. Sot është koha kur më shumë se kurrë vlen parimi i Demokritit ndërsa thotë se “shpresa e të diturve qëllimmbarë vlen më shumë dhe është më e fuqishme se pasuria e idiotëve e kaqolave mendjengushtë e shpirtvegjël…”.