Deputeti demokrat, Genc Pollo kërkon Sandër Lleshi i propozuar për ministër, tu përgjigjet publikisht 8 pyetjeve përpara se të betohet tek presidenti.
Statusi në facebook i Pollos:
Nuk kam paragjykim për zotin Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e sigurisë që nga viti 2013 dhe tashmë i propozuar për postin e Ministrit të Brendshëm nga Edi Rama.
Por do të thoja se në këtë moment publiku ka të drejtë të dijë dhe zoti Lleshi, mundësisht para votëbesimit e betimit të tij, ka për detyrë të informojë për sa vijon:
Cilat janë këshillat që z. Lleshi i dha Kryeministrit:
1- kur u mor vesh se avionë të vegjël transportonin drogë nga Shqipëria në Itali duke përdorur aeroporte ushtarake si Gjadri apo edhe aerodrome e pista rrethanore;
2- kur u bë e qartë se mohimi nga Ministria e Mbrojtjes i përdorimit të aeroporteve nga avionët e drogës rezultoi i pavërtetë;
3-Kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bazo në maj 2014 pretendoi publikisht se është i pamundur trasporti i drogës me avion “meqë hapsirën ajrore të Shqipërisë e monitoron NATO” çka ishte tërësisht e gënjeshtërt pasi NATO nuk ka objekt aviacionin civil e aq më pak aeroplanët privatë;
4- kur debatohej në publik se mbjellja masive e drogës vendin tonë në vitin 2016 përbënte rrezik për sigurinë publike e kombëtare;
5-Kur raportet e Europolit, Departamentit të Shtetit të ShBA, Zyrës për Drogën e Krimin të OKB (UNODC) dhanë alarmin pas vitit 2016 për kanabizimin e vendit e pasojat e rrezikshme të tij;
6-Kur rezultoi se bandat e narkotrafikantëve kontrollonin radarët e bregdetit dhe i fiknin ata sa herë u nevojitej atyre për fshehur transportet e drogës.
7-Kur një ministër i qeverisë Rama sugjeroi ndërhyrjen antidrogë të Ushtrisë pasi Policia konsiderohej e kanabizuar;
8- kur u hartua e miratua ligji mbi Forcat e Armatosura, i cili u rrëzua në vitin 2014 nga Gjykata Kushtetuese pasi transferonte të gjithë pushtetet e organeve kushtetuese tek kryeministri duke e bërë atë “edhe komandant edhe komisar” siç u shprehën ekspertët;