Home KRYESORE Edhe “trimat” paskan nisur të qahen!

Edhe “trimat” paskan nisur të qahen!

Nga Altin Bamllari

Para ca ditësh dikush më shkruan në inbox: “Altin, të ftoj të vizitosh Steblevën. Ka për të të pëlqyer shumë”. Nuk e njihja as personin, as fshatin që më rekomandonte. Googllova pak në rrjet dhe mora një info të shkurtër. Pashë që Stebleva ndodhet në lindje të Shqipërisë, në kufi me Maqedoninë dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Kisha kohë që planifikoja të shkoja në atë drejtim dhe ja, rasti ma solli të kem edhe një shoqërues.

Eljod Hoxha është 22 vjeç dhe sapo ka mbaruar masterin në Universitetin Epoka. Megjithatë, shkolla nuk i hyn në punë. Ai ka mbi 7 vjet që angazhohet në biznesin e familjes dhe, me ç’kuptova, nuk ka ndërrmend ta lerë, të paktën hë për hë.

Udhëtimi ynë nis në mëngjes. Stebleva s’është shumë larg. Vetëm 110 km nga Tirana. Në Librazhd kthejmë timonin majtas dhe ecim në asfalt deri pak përtej fshatit Zgosht. Më pas na pret një rrugë e pashtruar përgjatë Qafës së Lunikut deri në Fushë Studen. Varfëria është prezente ngado. Ndërtesa gjysmë të rënuara, mullarë nëpër oborre, gropa e gurë nëpër rrugë, njerëz që vuajtjen e kanë të vizatuar në fytyrë, kafshë të lodhura që mezi çapiten dhe makina të mbingarkuara me dru. Ndalojmë herë pas here dhe shkrepim ndonjë foto. Njerëzve u marrim leje, natyrës jo.

Në ekranin e aparatit vemë re një kontrast të madh. Natyra shkëlqen në gjithë dimensionet e saj, ndërsa njerëzit, edhe kur buzëqeshin, s’e fshehin dot zymtësinë. Ankesa, ankesa, vetëm ankesa dëgjon prej tyre. S’kemi rrugë. S’kemi ku shesim patatet. S’ka kush na merr bulmetin.

Tregtarët e qytetit na imponojnë çmimet. Shteti s’na ndihmon. I njëjti refren ngado. Si kudo, shqiptarët kanë katandisur në një racë qaramane, që s’kanë lidhje fare me ata që takoi Bajroni, Durhami, Nopça e të tjerë.

U mungon krenaria, vetëbesimi, mosbindja, kryelartësia, trimëria e dikurshme. Shikoni fotot. Kryqëzuar duart mbi lopatë (shekuj më parë do mbështetej mbi një pushkë), shqiptari i sotëm ngjan thjesht me një njeri të nënshtruar, i pafuqishëm të mbajë familjen, i braktisur nga fëmijët, i mashtruar dhe i dorëzuar në fatin e vet.

I vetmi “trim” që ndeshëm ishte një tip në kthim, që na preu udhën me makinë mu në mes të Librazhdit. Zbriti gjithë inat e na u drejtua gati për sherr. Me siguri në brez do ta kishte edhe ndonjë pisqollë, përderisa mori gjithë atë guxim.

E dini kush ishte arsyeja? Ne fotografuam një makinë dingas me dru dhe birboja nga Librazhdi ishte nxehur keq. Siç duket, ndonjë mizë i dogji nën kësulë. Erdhi me tërsëllëmbë, por u zbyth shumë shpejt. Filloi të qahej, pa ia kërkuar kush, që kamionin dhe drutë i kishte me leje. I bëmë foto edhe atij. Pastaj pamë njëri-tjetrin në sy. Edhe “trimat” paskan nisur të qahen!

Share: