Bizneset e deklaruara si pasive në tatime, por që në të vërtetë vazhdojnë aktivitetin do të kalojnë në vlerësim tatimor nga zyra.
Administrata tatimore thotë se ka identifikuar të gjitha subjektet, të cilat edhe pse deklarohen si pasive nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre.
Gjergji Duro, drejtor i riskut te Tatimet, thotë: “Kategoria e tatimpaguesve që rezultojnë me importe në dogana, por me status pasiv, për ata, bazuar në importe, do të llogaritet detyrimi tatimor”.
Vlerësimit tatimor nga zyra do ti nënshtrohen edhe ato bizneset me aktivitet, të cilat kanë bërë blerje ose shitje tek subjektet pasive.
“Këtyre tatimpaguesve nuk u njihet TVSH-ja e kreditueshme në blerje, ndërsa për ata që janë shitës pasivë, menjëherë kalojnë në status aktiv dhe llogariten si shitjet e kryera dhe llogariten detyrimet përkatëse”, shpjegon Duro.
Sipas të dhënave zyrtare aktualisht Shqipëria ka 114 mijë biznese në status pasiv me aktivitet të pezulluar. Ky numër është krijuar në vite, ndërkohë që për këtë vit kanë kaluar në status pasiv rreth 8720 biznese.
Ky fenomen ka qenë edhe një temë e nxehtë e debatit politik. Opozita ka akuzuar qeverinë se shifra e lartë e bizneseve që dalin në pasiv është dëshmi e krizës ekonomike, por qeveria thotë se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve kalojnë në pasiv për të shmangur taksat, ndërkohë që në total numri I bizneseve në vend është rritur./tch