Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
P.Pendelton Cooke, jurist dhe poet, argumenton se rrëfimet e E.A. Poe prezantojnë idetë më fanatstike të mundshme, si maskat e të vërtetave më themelore, deri në atë pikë sa gazetat joamerikane i kishin publikuar krijimet e E.A.Poe jo si të zhanrit të trillimeve letrare.Cooke shpall se Poe është i paarritshëm në fuqitë e tij narrative dhe analitike si shkrimtar.Ai e kontraston “narracionin në ngjasim të së vërtetës” së Poe, me Robinson Crusoe e Daniel Defoe, sepse ky i fundit shpërfaq “realen” me të cilën jemi familjarizuar, ndërsa Poe e shtyn lexuesin drejt “mbretërisë shqetësuese të së mistershmes”, por jo më pak të vërtetë, të monomanisë, dhe “konvulsioneve të shpirtit”.
Korbi, është një poemë, në veçantësinë e saj, shumë e bukur. Shumë lexues nga ata që preferojnë dritën e diellit përkundrejt dritësimeve allasoj dhe të pazakonta me të cilat z.Poe mbush qiellin e tij, mund të shtangen të topitur përpara bukurisë së saj, por ajo mbetet gjithsesi një triumf madhor I imagjinatës dhe artit.Pavarësisht publikimeve të shumta të kësaj poeme mbresëlënëse, nëse do të më nevojitet, unë do ta citoj këtu atë të plotë, si mjeti i fundit për të justifikuar lavdet që unë i blatoj.
Strofa hapëse e poemës, vrullshëm dhe qartësisht, bashkërendit duke rregulluar vendin, kohën etj, për misteret që do të vijnë më pas;
Një mesnate të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa prralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dremitja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’odës sime
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mbi derën time”.
Vetëm kjo dhe asgjë më.
***
Vini re se me sa ujdi artistike, poeti i ka rregulluar rrethanat hapëse të subjektit poetij, sesa të përputhshme , të harmonishme, dhe të përshtashme janë ato ndaj njëra-tjetrës. Kjo përputhje shtrihet edhe tek frazeologjia, çdo fjalë është e përzgjedhur në mënyrë të admirueshme, në mënyrë të atillë që përmendja e saj i bën aluzion kuptimit të së gjithës.Madje edhe fjala “e trokitur” është mjaft mirë e përzgjedhur, duke shtuar në tablo prekjen e fantastikes, e cila menjëherë më pas prezantohet si një përbërëse e rëndësishme e poemës. Strofa e dytë e rrit dhe e shquan më fort dallimin dhe konturet e pamjes që tashmë na është paraqitur. “Mesnata e bezdisur” është mesnata e “një dhjetori të ftohtë dhe të acartë”, dhe “urët që shuhen në hi” nisin të marrin forma të çuditshme dhe fantastike në oxhakun e studentit. Por le t’i lemë tashmë pas këto detaje të së jashtësishmes në strukturën fantazmagorike të fiksionit artistik të poemës, sepse me disa fjalë të një melodie të ëmbël dhe të ndjeshme, që na provokon dhimbje therrëse, poeti na shpie në sekretin e rrënjëve të trishtimit që ka shkaktuar studimin e pafrytshëm vetmitar dhe të çmeritur të mesnatës:
Se më kot nga librat prita
Të më ngushëllonte drita
Për të lumturën Lenorë,
Vajz’ e rrallë dhe rrezore
Q’i thon’ Engjëjtë Lenorë,
Përmi dhé pa emër më.
Kurrë ndonjëherë tjetër një vdekje nuk është e treguar më poetikisht sesa në fjalët me italike.
Përsëri vjen një trokitje-
Era frynte që përjashta,
Rrihte perdet e mëndafshta
Dhe më ngjethte dhe më derdhte
Tmere që s’i ndjeva kurrë.
Dhe tani, që të pushonte
Zemr’ e mjerë që lëftonte,
Goja po më belbëzonte:
“Dikush do të hyjë brënda;
Ndonjë vizitor i vonët
Që kërkon të hyjë brënda.
Kjo do jet’ e asgjë më.”
Pas disa strofash piktoreske, sa të çuditshme por po aq edhe origjinale për nga mjeshtëria artistike, korbi shfaqet në dritare;
“Hap ahere xhamën time
Kur me shumë fërfëllime
Brenda hyn një Korb i vrenjtur”
…dhe tashmë më lejoni ta citoj deri në fund.
Ritmi i poemës shijohet së tepërmi, frazeologjia e saj është e një muzikaliteti të shkallës më të lartë, e zgjedhur me një dhunti të habitshme dhe zgjuarsisht krejt me vend, toni i së gjithës mbahet dhe përshtatet mrekullisht me subjektin, i cili, ashtu siç jepet i përmbytur nga një melankoli e egër dhe e magjishme, është përzgjedhur admirueshëm mjaft mirë nga poeti.
Ky është gjykimi im i ndershëm, në të cilin unë ndjehem i fortifikuar nga opinione të tjera autoritare. Z.Willis thotë për këtë poemë se “është shembull unik i poezisë më efektive fugjitive të publikuar në këtë vend, dhe e patejkaluar në poezinë e shkruar në anglisht për nga delikatesa dhe finokëria, koncepsioni artistik, për nga mendjemprehtësia dhe mjeshtëria e hollë e
vargëzimit, si dhe lartësimi imagjinatitativ i vazhdueshëm dhe i pareshtur në të cilin e ngjit lexuesin deri në fundin e saj. Është një nga ato brishtësitë e hijshme artistike, të stisura me delikatesë, nga të cilat ushqehemi pafundësisht.Çdokujt që e lexon do t’i ngulitet, për mos t’i dalë kurrë nga kujtesa”
Znjsh.Barret thotë për të; “Ky shkrim, i cili të le një kujtim dhe përfytyrim kaq të gjallë-kjo fuqi që ndjehet!. “Korbi” ka prodhuar bujshëm këtu në Angli një ndjenjë të përgjithshme dhe sensacionale- një “shpërthim horrori”-. Disa nga miqtë e mi i ka vënë përpara kjo ndjenjë frike, të tjerë janë rrëmbyer nga muzikaliteti i poezisë.Kam parë njerëz të turbulluar dhe të përhumbur nga shqetësimi i të dëgjuarit pandashëm “Kurrë më”, dhe një e njohura ime, e cila ka fatin e keq të mbajë një bust Palade, nuk guxon kurrë ta shohë atë pas perëndimit të diellit.Poeti ynë i madh, z.Browning, autori i Paracelsus-it etj, është admirues entuziast i ritmit të poemës….Po ashtu, një përallë është përhapur dhe qarkullon nëpër gazeta mbi “hipnozën”, e cila na hedh në “çrregullimin më të admirueshëm” në lidhje me poeëmën, ose në mbretërinë e dyshimeve llahtarisëse rreth saj, njëlloj siç shprehen fëmijët mbi fantazmat, nëse subjekti i poemës mund të ketë ndodhur realisht në këtë botë. Ajo çfarë mbetet e qartë dhe padyshimtë në këtë përrallë është forca e shkrimtarit, dhuntia dhe aftësia që ai disponon për të na bërë të duken si të afërta dhe familjare, llahtare të pamundshme.”