Home KRYESORE Kosova do të ketë Ushtrinë e saj, votim unanim në parlament

Kosova do të ketë Ushtrinë e saj, votim unanim në parlament

Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjet që i hapin rrugë themelimit të ushtrisë së Kosovës. Si rrallë ndonjëherë, shumica dhe opozita bashkuan votat për tre pr/ligje. 98 vota “Pro” mori projektligji që i hap rrugë shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, 96 vota “pro” ai për shërbimin në FSK dhe 101 ai për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Asnjë deputet nuk votoi kundër dhe asnjë nuk abstenoi. Lista serbe braktisi sallën duke e konsideruar krijimin e ushtrisë së Kosovës shkelje të rezolutës 1244. Por për kryeministrin Haradinaj, ushtria e Kosovës garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe pakicat.

“Ju siguroj që në një Kosovë të sigurt të gjithë kanë arsye të ndjehen të sigurt edhe komunitetet. Kjo është një punë që bëhet për të gjithë qytetarët e vendit”.

Edhe presidenti Hashim Thaçi, si dhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, në pamundësi për të marrë pjesë në seancë, shprehën mbështetje përmes rrjeteve sociale. Ndërsa në Beograd, ky vendim i Kuvendit të Kosovës nuk u prit aspak mirë.

“Mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë në rajon. Presim nga bashkësia ndërkombëtare që të ndalojë militarizimin dhe përshkallëzimin. Serbia do të mbroj interesat e saj në tërë territorin e saj dhe do të mbroj sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për destabilitet”.

Ky votim i hap rrugë shqyrtimeve të amendamenteve që do të përfshihen në ligjin e ri për ushtrinë, për t’iu nënshtruar më pas një votimi të dytë për miratimin përfundimtar.

Share: