Home KRYESORE Mustafa Nano dhe Hashim Thaçi, ose imoraliteti si moral

Mustafa Nano dhe Hashim Thaçi, ose imoraliteti si moral

  1. U publikua një lajm, i cili bënte të ditur se disa personalitete shqiptare, qenkan financuar prej Shërbimit Sekret Grek. Në portale nuk e lexova, sepse nuk i lexoj kurrë, jo vetëm pse përhapin gënjeshtra çdo ditë, por pikë së pari, pse nuk dihet kush qëndron pas tyre dhe kush financon ato. Nja tri  apo katër gazeta në Shqipëri dhe nja tri apo katër në Kosovë, i konsideroj si serioze dhe i vizitoj ato çdo ditë. Pash se njëra prej tyre në Shqipëri dhe dy prej tyre në Kosovë, kishte publikuar lajmin dhe qysh në titull, kuptohej se Mustafa Nano, po financohej nga Greqia.

Pasi lexova shumë statuse në fb, plot mllef dhe sharje, më 22 tetor, shkrova këtë: “Mos mendoni se Shërbimet Sekrete e thonë të vërtetën. Së paku për Mustafa Nanon më duket shpifje! Nuk është në natyrën e atyre shërbimeve të përhapin të vërtetën, por të prodhojnë kaos. Se kush paguhet, nuk duhet të na tregojë as shërbimi grek, as serb, as turk e as ai rus. Veprimtaria tregon financuesit dhe shërbëtorët! Kosova para se t‘i gëzohet shërbimit sekret grek, le të demaskojë shërbëtorët e Serbisë!”

Nanon e kam lexuar dhe e lexoj dhe njoh qëndrimin  e tij dhe bindja ime ishte, se po përhapej një lajm për të fshehur spiunët e vërtetë të shërbimeve antishqiptare dhe për të drejtuar gishtin tek ata që nuk janë. Po jetojmë në një mjegullnajë, ku rrena besohet më shumë se sa e vërteta. Ajo prek emocionet e njerëzve, prodhon huti dhe pjesa dërmuese, nuk lodh trurin për të kërkuar motivet e një lajmi skandaloz, por e beson. Besimi i është shumë i lehtë dhe nuk kërkon asnjë përpjekje, e as mençuri të madhe! Ata nuk janë njerëz të ligë pse besojnë idiotizma të tilla, por mundësitë e tyre, janë ato që janë!

Sot lexova qëndrimin e Nanos dhe aty kuptova, se ajo gazetë greke, së cilës i qaseshin portalet shqiptare, nuk ka shkruar kurrë atë protokoll denoncues. Damkosja u realizua me sukses, por ata që dëshirojnë të besojnë rrenën, do ta bëjnë tutje. Nuk ishin viktima vetëm ata të përmendur, por kjo dukuri tregon, se çdonjëri prej nesh, mund të shpallet spiun i huaj dhe vizatohet ashtu si i pëlqen një shërbimi sekret antishqiptar.

Është në natyrën e shërbimeve sekret të etiketojnë të mirët, për të fshehur veglat e veta brenda një shoqërie. Ajo bëhet herë publikisht, herë me mesazhe me mendime të llojit: “ Po flitet se filani punon për…, po thuhet, dëgjova se filani po financohet nga …”, dhe kur pyetet ai maskara, kush i kishte thënë, refuzon të përgjigjet, sepse në fakt, detyra e tij është të denigrojë njerëzit që kanë dinjitet dhe të shpërndajë dezinformata në mënyrë sugjestionuese dhe subversive. Ai paguhet dhe duhet të arsyetojë paratë që i merr. Ai duhet vazhdimisht të etiketojë të tjerët me “spiun”, “agjent” në mënyrë që vet të mos zbulohet! Dhjetëra email më janë dërguar për “agjentë” të Serbisë, të Vatikanit etj., por kur shikoja veprimtarinë e atij, kuptoja se ai që më shkruante, ishte shërbëtor i ndonjë shërbimi të huaj. Sepse ai formalisht, merrje me diçka tjetër, por detyra tij kryesore, ishte të damkosë të drejtët, të mirët!

Shqipërisë, Kosovës, por edhe të gjitha vendeve tjera, u duhen një ligj, që mbyll faqet e internetit, që shpërndajnë lajme të rrejshme. Kjo katrahurë, do të rrënojë moralin dhe rendin demokratik, sepse të pacipët, kanë kohë dhe aftësi për të shpallur çdo njeri të moralshëm, lavir!

2.

Shikova te Pressing T7 debatin mbi Hashim Thaçin dhe vëllezërit e tij. Ishte dramë! Mbeta i shokuar! Flitej dhe raportohej për miliona, për pallate, për pozita të vëllezërve të tij, për tenderë, për punësimin e klanit dhe me të mbaruar ai debat, njeriu i bën vetes këtë pyetje: A ka ky popull dinjitet? A ka mend ky popull? A donë shtetin apo e urren si Serbia? Si është e mundur që gati dy milionë veta, të kënaqen duke shkruar statuse, por të mos dalin në rrugë për të kërkuar llogari?

Ata që guxonin të flisnin, si Parim Olluri, Berat Buzhala dhe një anëtar i VV-së, (për fat të keq emri nuk më kujtohet) nuk janë rrahur ende, por nuk mund të besohet, se t’ u falet! Sepse edhe mafia italiane, i rrah njerëzit për të mirën e tyre dhe pastaj, i rrahuri, me përkulje, kërkon ndjesë.

Në atë debat u nënvizuan metodat mafioze të elitës politike. Rrihet polici nga djali i komandantit, rrahësi paguan gjobë, polici përjashtohet nga puna. I kërkohet prokurorit të veprojë kundër ligjit, ai nuk pranon, përjashtohet nga puna. Është i akuzuar dikush për dy apo tri vepra penale, fiton vend udhëheqës, i drejti humb. Domethënë, çdonjëri që nuk pajtohet me sistemin mafioz të Klani Pronto, është kriminel, por një ditë do të kuptohet, se të gjithë ata, që shërbyen dhe pranuan pozita nga ky klan, nuk ishin asgjë tjetër pos mafiozë të vegjël në shërbim të vetes apo dikujt tjetër brenda, ose jashtë.

Nga ai debat, mund të dalë vetëm ky konstatim: Nuk duhet shkruar më kundër tyre. Aty duhet vepruar vetëm ,sepse vendi gjendet para zbrazjes dhe fundosjes. Vështrimet politike janë të mirëseardhura, kur shkruesi u drejtohet politikanëve, por me mafian, nuk polemizohet.

Aty u kuptua se gjykatat dhe prokuroritë, janë organe, ku atyre u legalizohen veprat penale, ose vende, ku qytetari nuk ka guxim të shkojë dhe denoncojë mafian. Kosova sot është në atë gjendje, ku i rrahuri duhet të kërkojë ndjesë, ku i ndershmi kërkon të falur pse nuk mund të vjedhë dhe ku ne presim që t’ i anulohen vizat një qeverie dhe presidence, që ka më shumë njohuri si vidhet, si fshihet krimi, se sa si ndërtohet shteti. BE duhet t’i heqë vizat popullit të Kosovës dhe të ruajë atë regjim për të gjithë politikanët kosovarë, që nuk mund të tregojnë origjinë e pasurisë!

Sikur Kosova të ishte shtet me ligje, pas mbarimit të debatit, prokuroria do t ‘ishte shfaqur para dyerve të atyre njerëzve, që u përmendën dhe do të përfundonin në burg. Merreni me mend, atë debat e kanë shikuar edhe ambasadorët dhe tani duhet të presim të hiqen vizat?!

Nga ajo që u tha në atë debat, mund të bëhej një film si Kumbari (Padrino , The Godfather) me Francis Ford Coppola si regjisor, muzikën Ennio Morricone dhe me aktorë kryesorë, Robert de Niro dhe Al Pacinon.

Këtu keni lidhjen dhe shikojeni ju lutem morfologjinë dhe tipologjinë e mafias në skenën politike:

Televizion 7

Më shumë nga Lis Bukuroca:

Ngjyrat e dashurisë,

Hijedritat e jetës, poezi 2010 – 2017

Letër burrave 1

Letër burrave 2

Share: