Christiani ishte djali i dëshiruar i Sabine Lappes. Por djali i ëmbël një ditë u bë terrrorist dhe shkoi të luftojë në Siri, ku edhe humbi jetën. Nëna e tij ka vendosur të rrëfejë historinë e tij për Deutsche Wellen.
Nga Esther Felden
Një të shtunë në mëngjes në vitin 2015 herët në orën 05:45 bie zilja e telefonit në shtëpinë e Sabine Lappes. Kush telefonon kaq herët…ishte ngritur e zemëruar ajo. Christiani, djali i saj 27 vjeçar ishte në telefon. “Mama jemi në Turqi, po presim për të na çuar në Siri”, i jep lajmin ai. Bashkë me gruan Yasmina, ai kishte vendosur brenda natës të bashkohej me milicët e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Sabine Lappe iu lut që të kthehej. “Jo, nuk kthehemi, do të shkojmë atje, ku është më e lartë fjala e Allahut”, më tha ai, kujton Sabine Lappe.
Sabine Lappe është një grua rreth të 50-ve që jeton vetëm në një banesë me dy dhoma në Dortmund. Fotografi të Christianit nuk ka nëpër mure, vetëm një kaftan i tij, të cilin ajo ka vendosur ta lërë të varur pas dere përgjithmonë. Sabine Lappe nuk del me dëshirë jashtë shtëpisë. Jashtë ajo është nëna e terroristit. Edhe pse askush nuk mban zi për të ajo thotë: “Unë e dua tim bir, edhe pse nuk mbeti asgjë nga ai Christiani që ishte.”
Konvertim nënë e bir
Christian ishte një fëmijë inteligjent, me dëshirë për të mësuar, çapkën, rrëfen nëna e tij. Por fëmijëria e tij nuk ishte e lehtë. Christian u rrit pa baba, më vonë ai ra në shoqëri të keqe, u bë i varur nga droga, megjithatë Sabine nuk e la kurrë vetëm të birin. Kur ishte adoleshent Christian u sëmur dhe askush nuk e gjente dot diagnozën. Në moshën 20 vjeçare një natë ai ka pasur kaq shumë dhimbje barku, saqë Sabine Lappe vendos të thërrasë urgjencën. Mjekët konstatojnë një inflamacion kronik të zorrës së trashë, Morbus Crohn.
Pasi i doli narkoza, Christiani bëri një premtim, kujton Sabine Lappe. Ai dontetë falënderonte Zotin për këtë shans të dytë të jetës. Deri në atë kohë, Christiani nuk e njihte aspak fenë, aq më pak salafizmin. Familja e tij ishte katolike, edhe pse jo praktikuese. Pas disa operacioneve, Christiani u ndje gjithnjë e më mirë. Ai vendosi të rikthehej në shkollë, të mbaronte maturën dhe më vonë të studionte psikologji. Por në shkollë u njoh me disa djem marokenë dhe turq, djem që i rrëfenin me entuziazëm për fenë islame. “Një ditë ai erdhi në shtëpi dhe më tha se po mendon të konvertohet”. Ishte viti 2012, kujton nëna. Sabine Lappe në këtë moment ndodhej vetë në një krizë personale, pas vdekjes së partnerit të saj. Edhe ajo vetë ishte në kërkim të kuptimit të jetës. Kjo ishte arsyeja e afrimit me islamin. Gjashtë muaj pas djalit, u konvertua edhe Sabine Lappe në fenë myslimane. Ajo thotë se besimi e bëri një “njeri të ekuilibruar”.
Diferencat e para
Sabine Kappe kur del jashtë shtëpisë mbulohet, po jo me nikab. Fytyra e mban zbuluar. Nuk shkon, thotë ajo, jemi gjithsesi në Gjermani. Por në këtë pikë filluan grindjet me djalin. “Ai mori shumë shpejt një qëndrim radikal”, kujton Sabine. Ai zemërohej, kur nëna shkonte në treg, bisedonte me shitësin dhe i jepte madje edhe dorën. “Kjo nuk lejohet mama, kjo gjë është harram, e ndaluar-” nervozohej Christiani. Por këtë nuk e lejonte Sabine Lappe. “Unë ia jap dorën kujtdo që mendoj se duhet t’ia jap, kështu është këtu, një myslimani jo. Por zotit Müller, ku blej prej 15 vitesh domatet nuk mund t’i them papritur, më vjen keq, nuk ta jap më dot dorën, se jam bërë myslimane.”
Një takim me pasoja
Pak para maturës, në vitin 2014, Christiani njihet me Yasminën, gruan e tij të mëvonshme. Një vajzë marokene-gjermane nga një familje me probleme, thotë Sabine. “Në të vërtetë unë i njoha ata të dy me njëri-tjetrin”. Sabine Lappe vonë e kuptoi, se Yasmina kërkonte të martohej, e të kishte dikë, me të cilin mund të shkonte në Siri. “Christiani ra plotësisht në dashuri me këtë vajzë, që e pranonte ashtu siç ishte. Me puçrrat, me sëmundjen Morbus Crohn dhe qëndrimin në spitale.” Një gjysmë viti më vonë dy të rinjtë martohen në një xhami në Frankfurt. Me ndërrimin e viteve 2014/2015, Sabine Lappe dëgjoi, se Christian dhe Yasmina donin t’i bashkoheshin IS-it, kujton ajo. “Nuk e besova, ajo ishte ende një fëmijë”, thotë Sabine.
Por të dy kishin filluar ndërkohë përgatitjet për t’u larguar nga Gjermania. Christian njihte djem nga skena salafiste në Gjermani. Para largimit nga vendi,ai ishte vënë edhe në fokus të Mbrojtjes Kushtetuese Gjermane, raporton Sabine Lappe. Pas largimit në Siri, kontakti u vështirësua. Herë pas here Sabine Lappe telefononte me djalin, më pas shkruan mesazh në whatsapp. Ishte Christiani ai që shkruante i pari nga telefona të ndryshëm. “Ai ishte në Rakka, në Idlib, Abu Kamal dhe njëherë në Irak.”
Dora e prerë
Sabine Lappe thotë se është përpjekur ta bindte djalin të kthehej, por ai ishte i dhënë me mish e me shpirt pas vendimit që kishte marrë. Nëna kujton se vetëm kur pa një video, “ndjeu se djali iu bë i huaj.” Ka qenë shtatori i viti 2016, një vit pas Christiani u largua nga Gjermania, kujton ajo. Përmes platformës së IS-it, Furat Media kishte publikuar një film. Aty Christiani thotë se ka marrë një emër të ri, Abu Isa-Al-Almani dhe bën thirrje për atentate në Europë. Në video tregohet edhe dora e lidhur e një burri dhe një sëpatë që bie. Nuk kuptohet qartë, nëse është Christiani ai që i pret dorën atij burri, por një pamje është e qartë – Christiani i jep një të puthur në kokë një të torturuari.
Sabine Lappe kujton, se për të nga ajo ditë bota ndryshoi. Në një telefonatë ajo grindet me djalin për videon, dhe ai i thotë se “ajo nuk e ka kuptuar si duhet besimin.” Në rrëfimin e saj Sabine Lappe përdor vetëm emrin Christian, jo emrin që ai i dha vetes në Siri, Abu Isa. “Për mua ai ishte dhe mbetet Christiani.” Më vonë nëna merr një foto, ku çifti pozon me krenari, Christiani me kallashnikov, Yasmina tërësisht e mbuluar -ata i bëjnë të ditur se Yasmina pret një fëmijë. Sabine Lappe kujton, se iu përzie në stomak nga ky lajm, por asgjë nuk ndryshoi tek Christiani. Madje ai u bë edhe më radikal.
Nëna e terroristit
Në gusht 2017 ajo dëgjon për herë të fundit nga djali. Ai i tha se” dëshiron të luftojë dhe se më do.” Sabine Lappe kujton se pati një ndjesi të keqe nga kjo telefonatë. Më 19 shtator nënës i vjen një telefonatë nga Yasmina. “Ajo më tha me krenari se Isa është tani Shahid, martir. Ai ka rënë në luftë për Allahun.” Zëri i Sabines Lappes ndërron. Me një ton të hidhur ajo thotë. “Jo, Christiani nuk ra në luftë për Allahun, por për Al-Bagdadin dhe kriminelët e tij.” “Në një moment të tillë, ti nuk mendon dot më”, thotë ajo.
Sot Sabine Lappe ndjehet e vetmuar. Në farmaci ka qëlluar që nuk i kanë shërbyer, por i kanë kërkuar të largohet. Ajo vëren, se si njerëzit e shohin me frikë, ajo është tani nëna e terroristit, një nënë që ka dështuar./dw/