Shqipëria normale është sot më e papërfaqësuar se asnjëherë më parë. Asaj nuk i lejohet refuzimi, madje as mospërfillja, sepse edhe kjo e fundit e ka çmimin e vet. Ngaqë është përdhunshëm e detyruar të zgjedhë patjetër njërin mes dy “Babaleve”, nëse do që të ketë një zë publik.
Edhe po qe e neveritur prej të dyve, është e detyruar që patjetër të rreshtohet në njërën prej turmave të klakerëve, që duartrokasin me ose pa lekë liderin e tyre, nëse do që dikush ta numurojë. Në mos gjithmonë, të paktën vetëm atëherë kur ka zgjedhje.
Shqipërisë normale nuk i lejohet as të mendojë me kokën e vet, sepse është e detyruar të pranojë njërin nga dy versionet zyrtare, edhe sikur të jetë e bindur plotësisht që janë të dyja gënjeshtra të trasha. Të udhëheqësit në qeveri, apo të atij tjetrit në opozitë.
Që do të thotë se e vërteta nuk duhet kërkuar askund tjetër, përveçse tek njëri prej tyre, madje në jo pak raste, tek të dy njëkohësisht. Dhe për këtë nuk ka nevojë domosdoshmërisht të presësh 17 majin. Sepse në këtë vend nuk lejohet të arsyetosh vetë apo të kërkosh shpjegime, larg qoftë, prova dhe fakte, jo e jo.
Shqipërisë normale nuk i lejohet as të kthejë kokën nga ana tjetër, nëse është e lodhur nga luftërat e vërteta apo të rreme me “Babale”. Sepse e ka të pamundur të shpëtojë nga pusitë, që fillojnë në mëngjes me produktet apo fjalimet që dalin prej fabrikave të dy partive dhe mbarojnë në darkë me konspektimin e tyre nga të gjitha mediat elektronike.
Shqipërisë nuk i lejohet të flasë e jo më të debatojë për tema të tilla të “rëndomta”, si taksat, çmimet, mjedisi, shërbimet publike, administrata, drejtësia, reforma zgjedhore, shteti, kushtetuta etj, sepse është e detyruar të pranojë si kauza kombëtare vetëm hallet personale dhe familjare të udhëheqësit në qeveri dhe të atij në opozitë. Të cilëve, çuditërisht, jo rrallë u përputhen agjendat.
Shqipërisë normale i ndalohet madje dhe që të qëndrojë mënjanë, sepse kjo i llogaritet që punon për llogari të armikut nga të paktën njëri prej liderëve, në mos nga të dy njëherësh. Shqipëria normale është e detyruar, jo vetëm të pranojë, por edhe të zgjedhë patjetër njërin prej tyre, jo vetëm një herë në dy vjet, kur shkon të votojë, por edhe çdo ditë tjetër që i ka falur Zoti.
Ndaj dhe banorët e saj janë sot më të dobët, më të pambrojtur dhe më të pamotivuar se kurrë, edhe pse me letra ne quhemi vend i lirë. Sepse të vetmen gjë që zgjedhin vetë dhe me dëshirë ata kanë, ose mbijetesën këtu, ose ikjen si refugjatë, duke braktisur dhe zbrazur Shqipërinë.
PS. Shqipëri normale quhet bashkësia e qytetarëve të pështirosur nga banaliteti dhe egërsia e race politikanësh, që e kanë futur atdheun mes këmbëve dhe po e shqyejnë pa mëshirë, duke na treguar se këtë “sakrificë” po e bëjnë për të mirën tonë. Popullsia e saj shtohet dita-ditës në përpjestim të drejtë e zvogëlimin e njerëzve që mund ta përfaqësojnë atë ende në të gjitha nivelet e pushtetit apo të hapësirës publike. Dhe jam shymë i sigurt që, nëse nuk do të ketë reagim, më e keqja nuk ka ardhur ende.