Home Gjeo-Ekonomia Rama: Bashkimi Doganor me Kosovën do bëhet, nuk na ndalojnë dot

Rama: Bashkimi Doganor me Kosovën do bëhet, nuk na ndalojnë dot

Nga Kukësi ku zhvilloi mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Doganor Kosovë-Shqipëri do të ndodhë dhe askush nuk e ndalon dot këtë.

I pyetur për komentet e ndërkombëtarëve, sipas të cilëve diçka e tillë do të ndodhte vetëm kur këto vende të hyjnë në BE, Rama tha se ata “nuk na ndalojnë dot dhe s’kanë as pse të na ndalojnë.”

“Së pari nuk flasim për Shqipëri dhe Kosovë pa dogana, flasim për bashkim doganor dhe kjo nuk ka asnjë arsye të shikohet me vështrim të vëngër, është e drejta e dy shteteve tona të bëjmë një marrëveshje. Ne kemi qenë gati prej vitit të shkuar, Kosova nuk ishte gati, por ne po përgatisim mbledhjen tjetër që do të mbahet në fund të Nëntorit në Kosovë dhe besoj se jemi gati të vendosim për Bashkimin Doganor. Kjo do të thotë se Durrësi do të bëhet dogana e përbashkët për të gjithë mallrat që hyjnë drejt Kosovës, ndërsa këtu do të kemi një shërbim, dhe jo dy palë kontrolle, dy palë shërbime dhe dy palë dhimbje koke.”

Kreu i ekzekutivit tha se nëse diçka të tillë e dëshiron edhe Serbia, kjo mund të ndodhë.

“Ua kam thënë edhe miqve tanë Europianë që nëse Serbia do të bëjë bashkim doganor me ne, nuk ka asnjë problem, mund ta bëjmë edhe me Serbinë, por me Kosovën ne do ta bëjmë dhe nuk na ndalojnë dot. S’kanë se si dhe pse. Është shumë e mundur, shumë e thjeshtë dhe lehtësuese për të gjithë.”

Share: