Rrugët e Tiranës, por edhe çdo qendre tjetër urbane ngjallin ende pasiguri për gratë dhe vajzat, të cilat kanë raportuar se përballen me forma të shumta ngacmimi.
Duke përfituar sa nga errësira e sa nga mungesa e efektivëve të Policisë të rinjtë apo edhe burra në moshë nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike kthehen në një kërcënim. Komentet mbi pamjen, fishkëllimat apo shikimet e pandërprera janë ato çka shqetësojnë më tepër gratë dhe vajzat.
STUDIMI
Të dhënat u publikuan dje nga një raport i realizuar nga IDRA me mbështetjen e UN women. Sipas studimit, 38 për qind e femrave të anketuara kanë pranuar se kanë qenë të ekspozuara ndaj ngacmimeve dhe dhunës seksuale. Në studimin e shtrirë në tre qarqe kryesore të vendit, përkatësisht Tiranë, Durrës dhe Fier u përfshinë 750 gra dhe vajza. “Studimi tregon se 38 për qind vajzave dhe grave të anketuara janë rrezikuar nga ose janë ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe dhunës seksuale para ose pas moshës 15- vjeçare (disa i kanë përjetuar të dyja).
Pothuajse gjysma (44%) e të gjithë të anketuarve kanë një mik ose anëtar të familjes, i cili ka qenë subjekt i ngacmimeve seksuale ose formave të tjera të dhunës seksuale”, thuhet në njoftim. Faktorët kryesorë, që ndikojnë në pasigurinë në lagje, janë mungesa e ndriçimit të mjaftueshëm në rrugë dytësore, hyrjeve të shtëpive dhe stacioneve të autobusit.
Po ashtu grupet e burrave dhe djemve që qëndrojnë përgjatë rrugës dhe konsumojnë alkool apo edhe lëndë narkotike përbëjnë një problematikë më vete, që çon në prodhimin e akteve të dhunës apo ngacmimeve seksuale. Gratë dhe vajzat e anketuara kanë ngritur edhe shqetësimin për indiferentizmin e qytetarëve. Sipas tyre, në jo pak raste ata bëhen dëshmitarë, por preferojnë të mos reagojnë, duke ushqyer besimin e rremë se çfarë nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me mua nuk është çështje që duhet të më interesojë.
MUNGESA E RAPORTIMIT
Nga ana tjetër, mungesa e informacionit se ku duhet të raportojnë dhe të kërkojnë ndihmë, besimi i minuar në institucionet përgjegjëse dhe frika e etiketimit apo gjykimit në komunitet janë disa nga arsyet e vënë në dukje që pengojnë gratë dhe vajzat që të raportojnë.
“Mesazhi kryesor që të gjithë duhet të kemi në konsideratë është që çdo lloj forme ngacmimi dhe dhune ndaj grave dhe vajzave është një shkelje e të drejtave të njeriut, që cenon rëndë dinjitetin e tyre dhe është totalisht e patolerueshme”, vuri në dukje menaxherja e Programit Kundër Dhunës ndaj Grave pranë UN Women, Agustela Nini-Pavli. Studimi thekson se shpesh janë gratë dhe vajza, që bien pre e ngacmimeve seksuale, ato që fajësohen dhe stigmatizohen dhe jo vetë dhunuesit.
Po ashtu, në të identifikohen format e dhunës që gratë dhe vajzat përjetojnë, strategjitë që kanë në dispozicion për të përballuar dhunën dhe çfarë mund të bëhet për t’i bërë qytetet dhe lagjet më të sigurta.
TE DHENAT E STUDIMIT
Studimi shqyrton dimensionet e ndryshme të ngacmimeve seksuale dhe formave të tjera të dhunës gjinore ndaj grave dhe vajzave shqiptare në hapësirat publike urbane lidhur me sigurinë dhe ndikimin që kjo çështje ka në jetën e tyre, si dhe format e dhunës që ato përjetojnë.
Gjetjet kryesore
Gjetjet e përgjithshme të këtij studimi tregojnë se gratë dhe vajzat në hapësirat publike të të gjitha zonave të përzgjedhura, në të tre bashkitë në Shqipëri, përballen me forma të shumta ngacmimi, veçanërisht verbal.
Ngacmimet fizike janë më pak të zakonshme, por janë të pranishme sipas shumicës së të anketuarve.
Gjetjet e përgjithshme tregojnë një situatë alarmante, ku 38 për qind e 750 të anketuarave deklarojnë se kanë qenë rrezik ose janë ekspozuar ndaj ngacmimeve seksuale dhe formave të tjera të dhunës gjatë jetës së tyre.
BASHKIA TIRANË
Transporti publik i mbipopulluar dhe mungesa e ndriçimit rrugor janë çështjet më problematike në zonën e “Astirit” dhe në qendër. Gratë dhe vajzat nga të dy zonat ndjehen veçanërisht të pasigurta nga ekzistenca e grupeve të burrave dhe djemve, që konsumojnë alkool ose lëndë narkotike në rrugë dhe në hyrje të ndërtesave të tyre. Shqetësim edhe indiferenca e qytetarëve, shohin, por nuk ngacmojnë.
Mungojnë denoncimet
12 në 100 gra në Tiranë qendër kanë kërkuar ndihmë
18 në 100 gra në zonën “Astir” kanë kërkuar ndihmë
BASHKIA DURRËS
Për të tria zonat, përkatësisht zonën e stadiumit, qendrën e qytetit dhe zonën e Shkozetit, mungesa e ndriçimit dhe grupet e burrave/djemve që qarkullojnë nëpër rrugë janë faktori më i zakonshëm i perceptuar që mund të ndikojë në sigurinë personale. Meshkujt që duken të jenë shpërndarës ose konsumojnë lëndë narkotike gjithashtu i bëjnë gratë të ndjehen të pasigurta.
BASHKIA FIER
Gjetjet tregojnë se ndriçimi i dobët, burrat dhe djemtë që janë shpërndarës ose konsumojnë lëndë narkotike dhe mungesa e policëve të dukshëm kanë një ndikim të rëndësishëm në ndjenjën e pasigurisë në zonat urbane në Fier
/PANORAMA