Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini ka deklaruar se “spekulatorë si Soros” qëndrojnë pas marzhit të fitimeve të bonove të thesarit me interes mbi 300 pikë dhe ata synojnë falimentimin e Italisë.
Lideri i Legës i bëri komentet pasi vuri në dukje hendekun në rritje midis pikës së referencës për bonot 10-vjeçare dhe ekuivalentit në Gjermani, gjatë një konference të përbashkët në Romë me Marine Le Pen, liderja e partisë Rassemblement National.
“Nëse do të kisha mendime të këqija, do të thosha se pas marzhit të ditëve të fundit qëndron një lëvizje spekulatorësh si Soros, të cilët synojnë falimentimin e vendit, për të blerë bizneset e tij të shëndetshme me çmim të leverdisshëm”, tha ai.
Salvini iu referuar të Mërkurës së Zezë, më 16 shtator 1992, kur miliarderi hungaro-amerikan gjunjëzoi Bankën e Anglisë me shitjen e aksioneve që i sollën një miliard dollarë fitime dhe detyroi qeverinë britanike të tërhiqte monedhën e saj nga Mekanizmi Evropian i Kursit të Këmbimit (ERM), operacion që i dha epitetin “njeriu që theu Bankën e Anglisë”.
Operacioni i atëhershëm i solli humbje 30% lirës italianë kundrejt dollarit, çka e nxori Italinë jashtë Sistemit Monetar Evropian.
“Në emër të qeverisë, ju them se nuk ka kthim prapa”, shtoi Salvini, duke aluduar për kundërshtimet nga ana e Eurokratëve për vendimin e tij për rritjen shpenzimeve buxhetore për vitin tjetër me 2.4% të GDP, duke e çuar borxhin publik deri në 131% të GDP.
Salvini ka sulmuar shefin e ekonomisët së BE, Pierre Moscovici, dhe presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker si “armiq të Evropës”, duke fajësuar “politikën e shtrëngimit” për “rritje të borxhit italian dhe varfërim të Italisë”, pasi Juncker e krahasoi gjendjen e ekonomisë italiane me krizën financiare greke të një dekade më parë, insinuata për të cilat zëdhënësi i Komisionit fajësoi përkthimin.
Javën e kaluar, Moscovici kërkoi që Brukseli të krijonte një buxhet të përbashkët për të gjitha vendet e eurozonës dhe t’i jepte fund sovranitetit kombëtar mbi financat, për të eliminuar politikat populiste në BE./360grade.al