Ky është titulli i librit më të fundit që kam në duar. Kur ma propozoi për ta lexuar një kolege në zyrë, u nxita ta marr shpejt e ta shfletoj. Më ngacmoi titulli “Shqipëria mund të bëhet”. Më ngacmoi autori që mban emrin Ylli (Çabiri), për të cilin, për hir të së vërtetës, vetëm çanta e Tij në rrugët e bllokut më intrigonte. E ka me letra apo me lekë ? -thoja me vete. Por më shumë më erdhi në mënd një pyetje, e bërë në fund të provimit, të vitit 1997, në Universitetin e Medias në Oklahoma të SHBA.
Pyetja ishte:
A mund të bëhemi Ne, zonja Patt?
Kjo ishte pyetja qe i bëra pedagoges time pas provimit në grup të gazetarëve shqiptarë.
Pyetja vinte natyrshëm, pas një provimit teoriko praktit që pedagogët amerikanë kishin përgatitur për grupin tonë prej 9 gazetarësh.
Cili ishte provimi?
Duhet të provonim dijet pas afro 3 muaj në fushën e manaxhimit të medias. Të zgjedhjes së liderit. Të prodhimit të lajmit, të kronikës, të publicitetit. Tema të debatit ishin edhe këto që autori Çabiri ngre në parathenien e librit të Tij.
Përse jemi këtu ku jemi pas…27 vjetësh?
Si mund të hiqet dorë përfundimisht nga e keqja e trashëguar e së kaluarës? Si mund të kemi vazhdimësi në administratë ?Si mund të Reformohemi, etj, etj.
Dita e provimit
Të heshtur nën emocionet e provimit në amerikë hymë në sallën e auditorit në hotelin ku ishim prenotuar. Ulemi rreth një tavoline dhe presim të na japin tezat me pyetje…
Por jo! Asnjë nga këto. Pedagogët na shpjeguan se provimi është zbatim i atyre dijeve që kemi marrë gjatë muajve por i realizuar në mënyrë praktike në terren. Si fillim na dhanë të mbanim në duar një litar njëri pas tjetrit. Na mbyllën sytë me një shami dhe na shoqëruan jasht salle në një livadh. Këtu na dhanë ushtrimin:
Duhet të formonim me sy mbyllur trekëndëshin barabrinjësh. Koha ishte 12 min për Ne lindorët.
Për amerikanët zgjidhja ishte 8 min. U instalua edhe një kamera që t’na filmonon veprimet.
Tani… filloni zgjidhjen!
Grupi ynë miks veri-jug e “filloi zgjidhjen” qysh në fillim me të shara. Shanim njëri tjetrin, amerikanët, pedagogët, por asnjë fjalë për zgjidhjen e ushtrimit. Na dukej karagjozllëk i madh ky provim symbyllur. Pedagogët ndërkohë na vështronin në detaj, në çdo sjellje.
Kështu kaluan afro 8 min, e hiç zgjidhje.
Nuk mbajta më. Thërrita i nxehur: Të bëjmë ushtrimin! Ka njeri që jep zgjidhje këtu?
U hodh një nga vajzat e grupit, një menaxhere obeze e TV Shkodrës. Di unë si zgjidhet ky ushtrim, vetëm më dëgjoni! -tha
Sapo Ajo foli, iu hodhën në grykë edhe asaj. Ti je budallaqe, je cop mishi, ti e ke dhjerë gjithë kursit etj etj. Shkodranja një tip me humor se prishi qefin fare. Degjoni tha: i pari dhe i fundit duhet të terhiqen që litari të kthehet në një drejtëz. Në fund do realizojmë brinjët e trekëndeshit tre nga tre… Kështu me mundim e pranuam liderin, vajzën shkodrane, obeze, që sipas nesh nuk ishte dalluar gjatë orëve të shkollës.
Ajo e zgjidhi ushtrimin.
Ajo ishte lideri ynë….pas 14 minutave.
Në përfundim pas u qetësua grupi i gazetarëve e pyes pedagogen Patti në koefidencë:
A mund të bëhemi Ne shqiptarët?
Përgjigja ishte: Maybe! (ndoshta).
Tani, po nis të lexoj librin e autorit Çabiri.