Home KRYESORE Tony Blair lobues për ndryshim kufijsh, çfarë thotë Fondacioni i tij?

Tony Blair lobues për ndryshim kufijsh, çfarë thotë Fondacioni i tij?

Shumë kosovarë, pas bombardimeve të vitit 1999, pagëzuan fëmijët me emrin e urdhërdhënësit e intervenimit në luftën e Kosovës, ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Heroi i kosovarëve që bombardoi Beogradin, me të lënë politikën britanike, ndryshoi kah. Është kthyer në biznesmenin që paguhet prej shumë qeverive, prej shumë liderëve, për t’i këshilluar ata. Kjo e ka vendosur në marrëdhënie pune edhe me Serbinë, shtetit të cilin para dy dekadash e bombardoi në emër të humanizmit.

Ka disa vjet që privatisht, Tony Blair, për Serbinë ka rol krejt të kundërt që pati në vitin ’99, kur forcat tokësore britanike hynë në Kosovë për ta larguar ushtrinë serbe. Blair tani ndihmon qeverinë serbe, si këshilltar. Është raportuar për lidhje të ngushta mes Vuçiqit dhe Blairit.

Blair si njohës i mirë i gjendjes në Ballkan, u akuzua se po lobon në emër të Vuciqit për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Instituti i Blairit, i thirrur “Tony Blair Institute for Global Change”, në një përgjigje dhënë për Gazetën Express, thotë se në Ballkanin Perëndimor ka bashkëpunim vetëm me Qeverinë e Serbisë, por thotë se ky institut e ndihmon vetëm për çështje të brendshme politike.

“Është e deklaruar publikisht që Instituti ka një projekt qeveritar me Serbinë, duke përkrahur atë në disa sfera të politikës së brendshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Raportohet se “fusha të brendshme” në të cilën e ndihmon Blair Serbinë është edhe çështja e Kosovës.

Kreu i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, ka akuzuar ish-kryeministrin britanik se po fol në emër të Serbisë për çështje të kufirit me Kosovën.

Sipas Jeremiqit, Blair ka pasur edhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për ta bindur atë të zbus qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

“Gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nga zyrtarë shumë seriozë e të lartë, kam marrë vesh se Blairi për këtë shërbim merr para nga Lindja e Afërt. Përmendet edhe shuma prej 150.000 dollarësh në muaj, plus kompensime për punën e kryer, nëse Blair zbaton idenë e Vuçiqit për ‘përkufizim’ dhe Prishtina bëhet anëtare e OKB-së”, ka thënë Jeremiq në televizionin serb N1.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për kontratat kontradiktore që Blair ka pasur, pasi përfundoi karrierën e tij në politikën e Britanisë së Madhe. Ai ka punuar me qeveri të ndryshme, përfshirë edhe atë të Kazakistanit.

Para institutit që e drejton tani, ish-kryeministrin britanik ka pasur kompani tjetër, në emër të së cilës ka lidhur marrëveshje me qeveri të ndryshme. Ka qenë publike marrëveshja dhe afërsia që Blair e ka pasur edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën.

Blair, i cili prej vitit 2013 ka bashkëpunuar me Ramën, në një intervistë për Top Channel, ka thënë se këtë e bën me dëshirë pasi ka një lidhje speciale me shqiptarët për shkak të çështjes së Kosovës.

Ish-kryeministri britanik ka pasur bashkëpunim me Edi Ramën prej vitit 2013. Ky bashkëpunim ka qenë i regjistruar në “Tony Blair Associates”.

Bashkëpunimi mes Tony Blair dhe Edi Ramës ka qenë publik dhe deri në vitin 2016. Pas kësaj periudhe, Blair e mbylli kompaninë e tij. Megjithatë Express mëson se bashkëpunimi mes Blairit e Ramës nuk ka përfunduar aty.

Mbylljen e kompanisë, nga e cila ish-kryeministri britanik fitoi miliona dhe e cila ishte kritikuar shumë për kontratat kontroverse, e pati bërë publike vetë Blair në vitin 2016.

“Tony Blair mbylli kompaninë konsulentë që e hapi në karrierën e tij pasqeveritare. Ai mblodhi milionë funta, duke këshilluar klientë kontroversë, që nga komopanitë e naftës deri tek autoritetet e Kazakistanit”, shkuante The Financial Time në vitin 2016.

Ai deklaroi se ka vendosur që të merret me punë joprofitabile dhe bamirësi. /Express/

Share: