Home KRYESORE Magjistratët padisin në gjykatë Arta Markun, KLD, Këshillin e Ministrave

Magjistratët padisin në gjykatë Arta Markun, KLD, Këshillin e Ministrave

Pasi i ishin drejtuar fillimisht me një letër të hapur Arta Markut dhe Ilir Metës, 16 magjistratë i janë drejtuar Gjykatës Administrative për të zgjidhur jo vetëm çështjen e emërimit, por edhe të pagës.

Ata ishin në pritje për t’u emëruar prokurorë e gjyqtarë, por duke qenë se ende janë të papunësuar, kanë zgjedhur të padisin në gjykatë Kryeprokuroren Arta Marku, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Ministrave. Padia është depozituar më 26 shtator të këtij viti në Gjykatën Administrative, aty ku pritet që gjyqtarja Elvana Çiçolli të vendosë nëse do pranojë ose jo padinë e 16 magjistratëve, të cilët duan të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë.

MAGJISTRATET

Disa nga përfaqësuesit e palës paditëse janë shprehur se vendimi i tyre lidhet me faktin se që prej korrikut, kohë kur ata kanë mbaruar stazhin, nuk marrin më pagesë. E nga ana tjetër, ata thonë se në kushtet kur ka vende bosh, presin që të emërohen në detyrë. Pak kohë më parë ishte KLD dhe Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, që sqaruan arsyet e mosdekretimit, me faktin se ligji i ri nuk ua njeh këto kompetenca, të cilat i kanë kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas legjislacionit, 16 magjistratët, të ndarë në 8 prokurorë e 8 gjyqtarë, pasi mbarojnë shkollën, bëjnë një stazh të paguar me gjysmën e pagës. Në përfundim të stazhit, ata emërohen në detyrë, gjyqtarët nga KLD dhe prokurorët nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërsa, sipas Reformës në Drejtësi dhe ligjeve të reja, këto kompetenca i ka KLP dhe KLGJ. Në kushtet kur këto institucione ende nuk janë krijuar, palët ndajnë qëndrime të kundërta për emërimin e magjistratëve, të cilët në korrik kanë mbaruar stazhin.

PADIA

Më datë 26 shtator të këtij viti, në Gjykatën Administrative në Tiranë është regjistruar padia e 16 magjistratëve, Albjona Papajani dhe të tjerë, kundër Këshillit të Ministrave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Statusi i çështjes është ende në përpunim, ndërsa gjyqtarja që do të shqyrtojë padinë është Elvana Çiçolli. Baza ligjore mbi të cilën është ngritur padia është: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Kodi i Procedurës Civile, Ligji 49/2012, Ligji 96/2012, Ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Ligji nr.88363, datë 01.07.1998 “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, Ligji nr.8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Në maj të këtij viti, magjistratët e rinj i janë drejtuar me një letër Ilir Metës, në cilësinë e kryetarit të KLD-së dhe Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, përmes së cilës u kërkonin këtyre institucioneve të ushtrojnë kompetencat kushtetuese për emërimin e tyre në detyrë. Magjistratët e rinj bënin të ditur në letrën e tyre se, më 30 qershor, ata ndërpresin marrëdhënien me shkollën e Magjistraturës.

Sipas ndryshimeve ligjore pas Reformës në Drejtësi, magjistratët duhet të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Por, për shkak të vonesave të procesit të vetingut për trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, këto dy institucione të reja të sistemit të drejtësisë nuk janë ngritur ende./Opinion.al

Share: