Në këto momente po zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Në fjalën e tij përpara Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u shpreh se Shqipërisë i duhet një brez i ri politikanësh
Ai tha se ky grup duhet të jetë i ri dhe i aftë që të rikthejë shpresën në Shqipëri ndaj dhe PD duhet të jetë e përgatitur për këtë sfidë.
Basha nuk la pa përshëndetur edhe protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, protestën e banorëve të Astirit, por edhe atë të studentëve.
Basha nuk la pa akuzuar edhe qeverinë që ka thyer besimin e shqiptarëve te një Shqipëri ndryshe.
“Ju të rinj nga mosha por edhe nga angazhimi politik që na jeni bashkuar në këto ditë të vështira, ku qeverisjen e dikton krimi, arroganca e jo vullneti për hallet dhe shqetësimet, antivlerat drejtojnë. Dua të ndaj respektin dhe mirënjohjen time, për gjithë betejat e muajt e fundit në mbrojtje të lirisë, pronës, jetës, demokracisë, që janë testamenti politik i PD.
Respekt për protestuesit, e Teatrit, Astirit, studentët. Rinia studentore ka flakur plogështinë dhe po kërkon që gjërat të ndryshojnë. Koha ka filluar të thërrasë në drejtimin e vendit rinisë dhe duket se ajo do të jetë në lartësinë e kohës. Vendi ka nevojë për një mentalitet të ri politik qasje të re, politikë ndryshe. Politika ka qenë shpesh e keqja, pengesë , ndarje sesa bashkim, mjet në duart e disave për të grabitur e sunduar të tjerët. Sot kemi nevojë për një politikë perëndimore, për veprime të vërteta jo parulla e predikime e fjalë në erë, kjo nuk është e lehtë por as e pamundur.
Duhet një brez i ri politik, elitë e re e vendit e aftë për këtë aspiratë të re të ndryshimit. Fitorja më e madhe është përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e madh drejt brezit të ri. Hapja e rrugës për këtë ndryshim të madh arrihet përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik e shoqëror të hapur të lirë e demokratik.
Nga kjo tribunë, ju ftoj në këtë mision të madh për të shpëtuar vendin me të vetmen kurë që ka shpëtuar kombet e përparuara, liri, demokraci dhe europianizëm”, tha Basha