Viti 2018 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën mund të quhet çdo gjë tjetër, por jo vit suksesi. Vërtet që Shqipëria dhe Maqedonia arritën si vende kandidate që Brukseli në qershor të vitit të ardhshëm të hapë negociatat e anëtarësimit. Por se si do të jenë forcat politike në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve europiane, e nëse do të ketë një shumicë për të hapur negociatat kjo nuk dihet.
Bosnja:
Megjithë miliardat e BE-së, një ushtri të tërë diplomatësh dhe ekspertësh, Bosnje-Hercegovina ofron imazhin e një shteti të dështuar. Për shkak se katolikët kroatë, 15% e popullsisë, ndjehen se janë mënjanuar në zgjedhjet e kaluara, ata bëjnë pakt me serbët ortodoksë të Milorad Dodikut. Ai kërkon ta ndajë që sot pjesën serbe, me rreth 1 milionë banorë nga Bosnje-Hercegovina dhe t’i bashkohet “republikës mëmë”, Serbisë. Kjo bën që të mos dihet se kur do të përfundojë krijimi i qeverisë. Sepse nuk mund të funksionojë një pakt i tillë kundër vullnetit të myslimanëve boshnjakë, që përbëjnë me rezultat të ngushtë shumicën e popullsisë.
Maqedonia:
Me pikëpyetje është po ashtu, nëse Maqedonia deri në atë kohë do të mund të ketë zgjidhur grindjen dhjetëra vjeçare me Greqinë për çështjen e emrit dhe të ketë marrë emrin e ri “Maqedonia Veriore”. Në parlamentin grek një shumicë për këtë është edhe më e pasigurtë se në parlamentin maqedonas.
Kosova:
Por më keq gjendja paraqitet në Kosovë: Qeveria dhe popzita bllokojnë në parlament njëra-tjetrën, duke sjellë një gjendje të paralizës politike. Misioni më i madh i BE për drejtësinë, EULEX pas 10 vjetësh dhe disa aferash korrupsioni brenda radhëve të veta duket sikur është dorëzuar. Popullsia shqiptare në shumicë, përkundër vullnetit të BE-së e dha sinjalin për krijimin e një ushtrie të vetës, dhe vendosi 100% dogana ndëshkuese për mallrat nga fqinji i padashur, Serbia. Dialogu i pasuksesshëm Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE prej vitesh tanimë është ndërprerë.
Shqipëria:
Shqipëria që i ka dalë nami si “Kolumbia e Europës”, ende nuk shënon suksese të ndjeshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër kultivimit të drogës. Edhe reformat politike, si ristrukturimi i drejtësisë kanë ecur ngadalë.
Mali i Zi
Në Malin e Zi negociatat e anëtarësimit nuk kanë ndryshuar asgjë në atë që Milo Djukanovic që në maj u zgjodh president i vendit, përkundër të gjitha rregullave demokratike mbetet në këtë minishtet etaloni i të gjitha gjërave. Ai sundon prej 27 vjetësh e ndjehet ndërkohë kaq i fuqishëm, saqë në fund të nëntorit lejoi arrestimin e kreut të opozitës, Nebojsa Medojevic, megjithëse ai zotëron imunitet si anëtar i parlamentit.
Serbia:
Në Serbi njeriu i fortë që sundon në vend e gjithçka është presidenti, Aleksandar Vuçiq. Ai kontrollon parlamentin dhe drejtësinë, si mediat dhe policinë.