Home KRYESORE Është koha që qytetarët të veprojnë. Të bashkohemi.

Është koha që qytetarët të veprojnë. Të bashkohemi.

Nga Enriko Ceko

“Barka e Rilindjes, që po fut ujë nga vrimat e shumta, po mbytet dhe kërkon të marrë me vehte Shqipërinë dhe shqiptarët”

Në lidhje me qeverisjen ka tre lloj qeverish, qeveri që ndihmojnë në zhvillimin e vendit, qeveri që pengojnë sepse duan të mbushin xhepat dhe qeveri asnjëanëse. Unë mendoj se në këto 106 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar, asnjë nga këto qeveri që kanë qeverisur Shqipërinë nuk ka qenë ndihmuese.

Ose kanë qenw qeveri penguese ose asnjëanëse, kështu që qytetarët kanë qenë të detyruar të ndërmarrin iniciativat e tyre siç e kanë menduar.

Në përputhje me atë se si sillet qeveria ndaj qytetarëve është edhe pronësia dhe manaxhimi i faktorëve të prodhimit. Një qeveri penguese nuk lejon që të shfrytëzohen faktorët e prodhimit, ndërsa një qeveri ndihmuese i lejon qytetarët të shfrytëzojnë faktorët e prodhimit. Konkretisht, pesë faktorët e prodhimit që janë toka, puna, kapitali, aftësia sipërmarrëse dhe inovimi teknologjik, nuk shfrytëzohen në Shqipëri.

Nëse marrim çështjen e tokës, sot doli një rilindas shumë i famshëm dhe dha një lajm shumë skandaloz, ai tha se në Shqipëri ka rreth 4.4 milionë prona të evidentuara, nga të cilat janë të regjistruara 3.8 milionë dhe rreth 6 – 700.000 janë të paregjistruara, ndërsa rreth 2.5 milionë prona janë me konflikte e probleme. Kjo do të thotë se faktorin e prodhimit tokë ne e paskemi shumë problematik, kur kjo qeveri para pesë vitesh morri përsipër që të rregullojë çështjen e tokës, ashtu si edhe qeveria e mëparshme. Pra, ne faktorin e prodhimit tokë nuk e kemi në dispozicion. Pronën nuk e kemi në dispozicion, sepse ne shqiptarët me tokë nënkuptojmë pronën.

Kjo që po ndodh me banorët e ASTIR-it, Shkozës, Laprakës, nëse kemi këtë qeveri, mund të ndodhë me të tërë ata që kanë zbritur në Ultësirën Perëndimore, që nga Shkodra e deri në Nartë të Vlorës. Është e njëjta situatë, ata kanë zbritur atje, kanë ndërtuar pa leje, pa dokumenta, prej vitesh dhe më vonë disa prej tyre kanë bërë legalizime.

Në lidhje me faktorin e prodhimit punë, kemi një problem shumë të madh, shqiptarët po largohen nga Shqipëria. Vetëm në pesë vitet e fundit janë larguar 560.000 qytetarë se nuk ka punë. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë pranon se produktiviteti i punëtorëve shqiptarë ka rënë nga rreth 15 Euro në ditë në 5 – 10 euro në ditë, që është edhe produktiviteti më i ulët në Evropë. Një lajm shumë i keq ky për produktivitetin dhe faktorin e prodhimit punë.
Në lidhje me faktorin e prodhimit kapital, kush e ka kapitalin në Shqipëri? E kanë disa familje të mëdha dhe disa biznese shumë të fuqishme. Populli shqiptar nuk është se ka ndonjë kapital, që të sjellë zhvillim.

Nga ana tjetër, në lidhje me faktorin e prodhimit aftësi sipërmarrëse këta qeveritarë i thonë popullit shqiptar: meqë ke aftësi sipërmarrëse po të lemë të lirë të merresh me drogë. Aq keq ka shkuar puna sa kjo çështja e drogës është kthyer në një problem shumë të madh në vend dhe në rajon, duke e bërë Shqipërinë një faktor që ndikon negativisht në aspektet gjeopolitike në rajon.

Kur flasim për inovimin teknologjik, përderisa nuk kemi aftësi sipërmarrëse, tokë, kapital dhe punë, atëhere edhe inovimi teknologjik nuk funksionon dhe nuk ka se ku të zhvillohet. Kështu pra, mos shfrytëzimi i këtyre pesë faktorëve të prodhimit përbën në të vërtetë edhe pesë dështimet e mëdha të kësaj qeverie.
Nëse diskutojmë edhe buxhetin e vitit 2019, është një buxhet që nuk ofron asnjë mundësi për Shqipërinë dhe shqiptarët për zhvillim. Nuk ka asnjë mundësi për të sjellë rritje ekonomike.

Një buxhet që është i përqendruar vetëm në mbushjen e xhepave të qeveritarëve.

Si rezultat nuk mund të shtyhet më me këtë qeverisje. Kësaj qeverie i është çarë varka me një dyzinë me vrima dhe po i hyn e del uji nga të tëra anët. Kjo është një varkë e mbytur. Kjo është një qeveri e dështuar. Është një nga qeverisjet më të këqija që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Kjo është një qeverisje pa vizion dhe pa objektiva strategjike. Kjo është një qeverisje që po cënon dhe pavarësinë e vendit dhe territorin e Shqipërisë.

Është koha që qytetarët të veprojnë.
Të bashkohemi.
Ju faleminderit.

Share: