Ditët e fundit, Forumi i Politikave të Integrimit/EU Policy Hub (EUPH) ka ndjekur me vëmendje protestat në rritje të studentëve shqiptarë për përmirësimin e gjendjes së arsimit në vend. Me shqetësim të thellë dhe besim të madh, vërejmë se sot, plot 28 vite nga 8 dhjetori 1990, studentët vazhdojnë të udhëhiqen nga thirrja: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.
Duke pasur parasysh problemet e rënda me të cilat vazhdon të përballet arsimi shqiptar, në mënyrë të veçantë: financimin e ulët publik të arsimit dhe kërkimit shkencor (të fundit në rajon, me vetëm 3.1% të PBB — nga të cilat 1% të shpenzuara drejtpërdrejt nga familjet për pagesa tarifash), kostot e larta të studimeve në raport me nivelin e ulët të të ardhurave në vend (të parët në rajon, me 3.9% të totalit të shpenzimeve familjare që shkojnë për arsim), mangësitë e theksuara në infrastrukturën dhe mjetet didaktike të kampuseve universitare (nga auditorët e mbingarkuar, te mungesa e internetit dhe burimeve bibliotekare online), korrupsionin në nivele ende alarmante (70% e studentëve mendojnë se është i pranishëm në programin e tyre të studimit), si edhe problemet me konceptimin dhe zbatimin e reformës aktuale në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, ne i gjykojmë këto protesta të drejta dhe koherente.
Në përputhje me misionin e EUPH për promovimin e vlerave dhe standardeve europiane në shoqërinë shqiptare, monitorimin e ecurisë së procesit të integrimit të vendit në strukturat europiane, si edhe nxitjen e politikave që ndihmojnë integrimin, ne mbështesim fuqimisht protestat studentore dhe u bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe gjithë politikëbërësve në vend që të dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe të punojnë menjëherë për shndërrimin e tyre në politika të qëndrueshme afatgjata për rritjen e cilësisë në arsim dhe kërkimin shkencor, në përputhje me standardet më të mira europiane. Në veçanti, ne kërkojmë:
● Rritjen urgjente të mbështetjes financiare publike për arsimin dhe kërkimin shkencor në vend deri në nivelin e mesatares së vendeve të BE-së, me 5.1% të PBB për arsimin dhe 0.5% të PBB për kërkimin shkencor të lidhur me të;
● Ndërhyrjen urgjente në infrastrukturën dhe mjetet didaktike të kampuseve universitare, veçanërisht në bibliotekat fizike dhe ato virtuale, deri në plotësimin e kushteve që janë normale për çdo universitet europian;
● Zbatimin e politikave urgjente për ndëshkimin e korrupsionit në arsim;
● Rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në bashkëpunim të plotë me studentët, pedagogët, ekspertët dhe të gjitha grupet e interesit.
Së fundi, ne mbetemi të hapur të ofrojmë aftësitë tona profesionale në dispozicion të hartimit të këtyre politikave dhe të vendosur në monitorimin dhe oponencën profesionale ndaj këtyre politikave në vazhdimësi.
Rruga drejt Europës kalon nga të rinjtë! Rruga drejt standardeve europiane kalon nga arsimi dhe kërkimi shkencor cilësor!
#mestudentet 🇦🇱🇪🇺
EU Policy Hub