Home Gjeo-Ekonomia Hyn në fuqi ndalimi i importit, pas 2 dhjetorit nuk mund të...

Hyn në fuqi ndalimi i importit, pas 2 dhjetorit nuk mund të zhdoganoni…

Qytetarët që kërkojnë të blejnë një makinë të përdorur, nuk mund ta zhdoganojnë në doganën shqiptare pas 2 dhjetorit.

Me vendimin e ri të qeverisë, në vendin tonë do të lejohet të importohen vetëm makina të përdorura “euro 4”, pra të prodhuara pas vitit 2008. Importi do të jetë i ndaluar për makinat që janë mbi dhjetë vjet të përdorura apo që i përkasin standardit “euro 1”, “euro 2” apo “euro 3”.

Vendimi i qeverisë që ndalon hyrjen e importit të makinave të përdorura të prodhuara para vitit 2008, përcakton gjithashtu se për import makinat e reja duhet të plotësojnë standardin “euro 5”. “Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri”, thuhet në vendim. Për makinat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, duhet të përmbushin normën “euro 5” për import.

I njëjti rregull vlen edhe për mjetet e tjera të reja. “Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1 me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Europian”, përcakton vendimi i Qeverisë. Për motorët e përdorur, furgonët dhe autobusët, vendimi përcakton se duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet nga data e regjistrimit për herë të parë në Shqipëri.

“Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri”, thuhet në vendim.

Nga rregullat e reja të importit nuk do të penalizohen të gjitha makinat. Vendimi i Qeverisë përcakton se makinat me vlerë muzeale përjashtohen nga kriteret e reja të importit. Konkretisht, ky vendim përcakton se nuk zbatohet për importin e: automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë: automjetet e prodhuara deri më dhjetor 1970; automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë; automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale. Por importi i makinave ka shënuar rritje në 5 vitet e fundit.

Referuar shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për vitet 2012-2017 në total janë importuar 268,558 makina. Numri më i lartë i makinave të importuara është në vitin 2012, me 52,124 makina. Në vitin 2017, nga jashtë janë importuar 46,779 mjete. Motoçikletat, ashtu si dhe makinat, numrin më të lartë të zhdoganimit e kanë pasur në vitin 2012, ku u zhdoganuan 4,609 motoçikleta.

Në vitin 2017 janë zhdoganuar 3,235 motoçikleta. Trend rritës nga viti në vit ka shënuar edhe importi i furgonëve. Numri më i lartë i furgonëve të zhdoganuar është në vitin 2017, ku u zhdoganuan 658 furgonë. /panorama

Share: