Home KRYESORE Ja cili është shkaku i revoltave të studentëve! Nga Dr. Enriko Ceko

Ja cili është shkaku i revoltave të studentëve! Nga Dr. Enriko Ceko

Studentët e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë në Shqipëri janë të revoltuar. Ata prej ditësh janë në një revoltë politike dhe jo partiake, të pa parë e të pa dëgjuar më parë në Shqipëri, revoltë që tregon se brezi i ri e ka kuptuar fare mirë lidhjen që ekziston midis cilësisë së arsimit dhe cilësisë së jetës, cilësisë së nivelit të arsimit në përgjithësi dhe arsimit të lartë në veçanti me gjendjen e ekonomisë së një vendi, lidhje të cilën e kanë evidentuar prej kohësh edhe studiues të shumtë. Është pikërisht kjo lidhje që ka bërë të mundur që pothuajse në të tëra programet qeveritare të vendeve të zhvilluara si SHBA, Francë, Gjermani, Britani e Madhe, etj, të përcaktohet mjaft qartë rëndësia e të tëra niveleve të arsimit në përgjithësi dhe rëndësia e arsimit të lartë në veçanti për arritjen dhe qendrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe të zhvillimit.

Edhe vende të tilla si Afrika e Jugut, Kina, India, etj, dhe, mjaft vende të pazhvilluara, kryesisht afrikane, me shpejtësi po shkëputen nga grupi i vendeve të pazhvilluara, pikërisht për shkak të kuptimit dhe realizimit të lidhjes midid arsimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, që në fund të fundit shprehet në të ardhurat individuale dhe rritjen ekonomike të qendrueshme.

Koncepti i forcimit të mëtejshëm të lidhjes midis zhvillimit ekonomik dhe cilësisë së arsimit dhe qendrueshmëria e kësaj lidhjeje janë theksuar edhe më shumë në debatet kryesore të forumeve ndërkombëtare, në të cilin marrin pjesë së bashku me dijetarët më në zë të ditëve tona edhe përfaqësues të niveleve të larta të shumicës së qeverive të vendeve të ndryshme të botës, që debatojnë dhe diskutojnë për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat përballet bota sot.

Në të tëra vendet që kanë nivel të lartë papunësie, nivel të lartë borxhi publik dhe nivel të lartë deficiti buxhetor, kombinuar këto me nivel jo të përshtatshëm të parametrave të tjerë makroekonomikë dhe nivel jo të mirë të parametrave politikë, socialë dhe kulturorë, ka një diferencë të madhe midis asaj ç’ka studentët (punëmarrësit e ardhshëm) mësojnë në shkollë dhe asaj ç’ka kërkon tregu dhe ç’ka kërkojnë punëmarësit nga punonjësit e tyre.

Kjo vjen për shkak se ideologjitë, mjetet, teknikat dhe praktikat e të mësuarit me mënyra tradicionale kanë dështuar në vazhdimësi që të pajisin punëmarrësit e ardhshëm me njohuritë e së tashmes dhe njohuritë e së nesërmes dhe kjo vërehet më së shumti në edukimin profesional dhe të specializuar të mesëm dhe të lartë.

Kjo gjendje ecën së bashku me mungesën e përmirësimit të kushteve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në botë dhe në rastin më të keq edhe me përkeqësimin e nivelit të papunësisë, borxhit publik, deficitit buxhetor, inflacionit, etj. Aq më keq paraqitet gjendja ekonomike në përgjithësi dhe gjendja konomike dhe sociale e studentëve në veçanti në vendet ku edhe kushtet e të nxënit dhe cilësia e mjediseve dhe e mjeteve të të nxënit është e keqe, siç është edhe rasti i Shqipërisë.

Zyrtarisht, edhe në Shqipëri, në pothuajse 5 vitet e fundit ka një përkeqësim të dukshëm të parametrave makroekonomikë, kryesisht të borxhit publik, deficitit buxhetor, papunësisë, etj, bashkëshoqëruar me një rritje të nivelit të krimit në përgjithësi dhe të krimit te të rinjtë dhe të miturit në veçanti. Konkretisht, në Shqipëri borxhi publik (mbi 70%) dhe deficiti buxhetor (mbi 3%), e kanë kaluar prej kohësh nivelin e përcaktuar si kufi për pranimin e vendit në strukturat evropiane. Niveli i papunësisë në Shqipëri është zyrtarisht rreth 15 – 16% dhe papunësia midis të rinjve është zyrtarisht rreth 34 – 35%, por ka zona të vendit ku shifra e paounësisë është shumë e lartë.

Mjafton që të përmendet fakti se në zonat verilindore të Shqipërisë (sipas të dhënave më të fundit), niveli i jetesës është katër herë më i ulët se niveli i jetesës së vendit më të varfër të BE-së dhe është pikërisht grupmosha e të rinjve që e ka shumë të vështirë të gjëjë punë, jo vetëm për shkak të gjendjes ekonomike aktuale, por edhe se kjo grupmoshë nuk po mundet që të fitojë aftësi të reja, të cilat nuk i merr aktualisht në shkollë dhe që nuk mund të fitohen pa kryer një investim të përshtatshëm në trainime dhe në riaftësim professional, kryesisht kjo nëpërmjet kurseve afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata, kurse të cilat nuk ofrohen nga shkolla e lartë, por nga organizma të tjera operuese në tregun e edukimit përgjatë tërë jetës, organizma që në Shqipëri mungojnë ose janë me pakicë.

Kësaj gjendje i duhen shtuar edhe aspekte të tjera problematike të kushteve të bërjes së biznesit në Shqipëri.

Mjaft i dukshëm është fakti i papërshtatshmërisë së nivelit të edukimit të brezit të ri me njohuritë që kërkohen realisht nga punëdhënësit sa, edhe në Shqipëri, ka mjaft punëdhënës që deklarojnë se e kanë të vështirë që të gjejnë punonjësin e përshtatshëm për këtë apo atë vend pune dhe kjo sepse ka një diferencë shumë të madhe midis aftësive që kërkohen nga bizneset dhe aftësive që ofrojnë aktualisht punëmarrësit.

Por, më e keqja është se subjektet e edukimit në nivelin e mesëm dhe të lartë, si ato të karakterit profesional dhe ato të karakterit të përgjithshëm dhe atij shkencor, ende nuk kanë gjetur rrugët, mjetet, mënyrat, teknikat dhe praktikat për të përcjellë te nxënësit dhe studentët e sotëm dhe ata të së ardhmes të atyre njohurive teorike dhe atyre aftësive praktike që kërkohen sot si në tregun e punës në vend, ashtu edhe në tregun global të punës në Evropë dhe përtej.

Kjo mund dhe duhet që të përmirësohet e rregullohet duke bërë të mundur që kandidatët e sotëm për punë të kenë aftësi kooperuese, aftësi për të komunikuar dhe aftësi për të zgjidhur problemet, aftësi që mund dhe duhet të zhvillohen nëpërmjet asaj që quhet të mësuarit social dhe emocional (social and emotional learning – SEL), që, duke u kombinuar me aftësitë e tjera, bën të mundur që studentët e sotëm të jenë të suksesëshëm në ekonominë dixhitale në zhvillim të mëtejshëm dhe të vazhdueshëm.

Punëdhënësit e sotëm kërkojnë që punëmarrësit të kenë tre lloj aftësish: aftësi bazë, aftësi kompetencash dhe aftësi karakteri. Aftësitë bazë duhen për të zgjidhur problemet që dalin përpara në operimet e punës së përditëshme, aftësitë e kompetencave duhen për t’u përballur me ndryshimet e vazhdueshme të mjedisit politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe aftësitë e karakterit duhen për të arritur ndërthurjen e punonjësve me mjedisin në ndryshim.

Ndër aftësitë bazë renditen pasja e njohurive të mira sociale dhe kulturore, njohuri në matematikë, aftësi kompiuterike, njohuri financiare dhe manaxheriale, etj. Ndër aftësitë e kompetencave renditen aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, aftësitë në zgjidhjen e problemeve, krijueshmëria, komunikimi, etj. Ndër aftësitë e karakterit renditen kurioziteti, iniciativa, durueshmëria, adaptimi, lidershipi, arsyetimi mbi bazën e shqetësimeve sociale, kulturore dhe mjedisore, etj.

Studentët që gjenden dhe studiojnë në një mjedis ku mbizotëron të mësuarit social dhe emocional, kanë arritur që të kenë rezultate rreth 11% më të larta në shkollë se sa studentët që mësojnë në mënyrë tradicionale dhe kjo sepse të mësuarit social dhe emocional i drejton kandidatët e ardhshëm për punë drejt përfitimeve afatgjata, duke sjellë një nivel më të lartë punësimi dhe plotësim edukativ, duke i pajisur ata edhe me aftësi lidershipi dhe dëshirë për të patur kuriozitet, që janë shumë të rëndësishme që studentët të mësojnë edhe më shumë në lidhje me punët e tyre të mundëshme, që do bëjnë në të ardhmen. Nga përgjigjet që kanë dhënë pothuajse 200 manaxherë të kompanive të ndryshme që operojnë në vende të ndryshme të botës në një pyetësor për aftësitë që këta manaxherë kërkojnë që punëmarrësit të kenë, del se këto aftësi me të cilat duhet të jenë të pajisur studentët e pesë viteve të ardhëshme (pra, bëhet fjalë për vitin 2020 e përtej), janë: zgjidhja e problemeve komplekse dhe kontrolli i cilësisë, të menduarit kritik, krijueshmëria, manaxhimi i njerëzve, koordinimi me të tjerët, inteligjienca emocionale, të gjykuarit dhe marrja e vendimeve, orientimi nga shërbimet, aftësitë negociuese dhe fleksibiliteti në njohuri, kur ndër aftësitë që kërkonin këta manaxherë deri përpara vitit 2015 nuk renditeshin aftësi të tilla si koordinimi me të tjerët, inteligjienca emocionale dhe fleksibiliteti në njohuri, ndërsa zgjidhja e problemeve dhe kontrolli i cilësisë, të menduarit kritik dhe krijueshmëria nuk ishin në krye të listës, por diku nga fundi i 10 aftësive kryesore që kërkoheshin për një punëmarrës të edukuar dhe të aftë për të përballuar ndryshimin dhe zhvillimin.

Pra, me këtë ndryshim pothuajse të menjëhershëm të aftësive që kërkohen në tregun global të punës përpara sistemit të edukimit të vendit tonë del një detyrë shumë e madhe për t’u përshtatur me zhvillimet bashkëkohore dhe për të ofruar shërbim cilësor edukimi si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat të arsimit të lartë, pa lënë pas dore edhe nivelet e tjera të arsimit, që furnizojnë me studentë shkollat e larta publike dhe private në Shqipëri, sepse vetëm pas dy a tre vitesh nga sot, në tregun ndërkombëtar të punës, 1/3 e aftësive që sot konsiderohen si të rëndësishme, do të ndryshojnë dhe, nga ana tjetër, deri në vitin 2020, Revolucioni i Katërt Industrial do sjellë së bashku robotikën e avancuar, inteligjiencën artificiale, makinat që mësojnë, materiale të avancuara, bioteknologji, metoda te reja transporti, etj, etj, të cilat, pa njohuri dhe pa aftësi bazë, aftësi kompetencash dhe aftësi karakteri do jetë shumë e vështirë që të përballohen dhe, nëse nuk përballemi me këto, do e kemi shumë vështirë që të jemi konkurrues në një treg përherë e më tepër global.

Këto zhvillime do të ndryshojë shpejt mënyrën tonë të jetesës dhe mënyrën tonë të të mësuarit. Disa lloje punësh do zhduken, disa të tjera do jenë më pak të kërkuara dhe disa lloje të reja punësh, që sot ndoshta nuk ekzistojnë, do të fillojnë të bëhen edhe më shumë të kërkuara nga ana e sektorit publik dhe atij privat. Është mjaft e dukshme se forcave të punës të së ardhmes do t’ju duhet që të jenë të kompletuara sa më shumë të jetë e mundur për të qenë konkurruese në një treg global në zgjerim.

Ndër sektorët dhe industritë që do ndryshojnë shumë në të ardhmen e afërt janë media, turizmi, shërbimet financiare dhe investimet, gjenetika, sektori i shëndetësisë, bujqësia dhe ushqimi, sektori i veshjeve, teknologjia e informacionit, etj dhe së bashku me to edhe inteligjienca artificiale, printimi 3D, materialet e avancuara, e të tjera si këto tre të fundit, që, edhe pse janë në fazat e hershme të zhvillimit, shumë shpejt do bëhen pjesë e jetës tonë të përditëshme.

Ndryshimi nuk pret për ata që nuk duan të ecin shpejt dhe kjo kërkon që drejtuesit e sektorit publik dhe privat, edukatorët, qeveritarët, etj, të jenë proaktivë në aspektet e qasjes bashkëkohore dhe moderne të zhvillimeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë nga e ardhmja e afërt, për të qenë sa më shumë konkurrues si individë dhe si komb në një treg përherë e më të ashpër global në prag të Revolucionit të Katërt Industrial, sepse roli i qenieve njerëzore në realizimin e produkteve dhe shërbimeve pritet të jetë në një zhvillim edhe më të madh, por kjo kërkon potenciale për njohuri të reja dhe jo siç është vepruar deri më sot kur janë bërë përpjekje në vazhdimësi thjesht për ruajtjen e raportit punë / kapital, pa i vënë theksin zhvillimit dhe të të mësuarit përgjatë gjithë jetës të burimeve njerëzore.
Në ditët tona dhe në vazhdim, shkurtimi i vendeve të punës sjell vështirësi në përzgjedhjen e njerëzve më të aftë për kryerjen e punëve dhe kjo e shtyn konkurrencën për vende punë që të kërkohen punëmarrës që kanë talente për punë dhe kjo përforcohet edhe më shumë në ato lloj punësh që kërkojnë talente që lidhen me informatikën, matematikën, inxhineritë, etj.

Çdo sektor kërkon burime të sigurta punonjësish që të jenë të pajisur me aftësitë që duhen në Shekullin XXI. Edhe në punët që do kërkohen më pak do jetë e vështirë për të gjetur punonjësin e përshtatshëm sepse specializimi do rritet dhe kjo sjell vështirësi në rekrutimin e njerëzve me nivel pothuajse të njëjtë edukimi.
Për këto arsye dhe me modelet e biznesit në ndryshim, është e nevojshme që subjektet e arsimit të mesëm dhe të lartë publik dhe privat në Shqipëri të synojnë ofrimin e edukimit, trainimeve dhe kualifikimit përgjatë tërë jetës të forcave të punës dhe pajisjen e tyre me njohuri të reja, kompletuar me aftësi të forta emocionale dhe sociale.

Në fakt edhe në ditët tona, studentët që sapo mbarojnë studimet e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë. Nën këto kushte, çelësi për rritje ekonomike dhe zhvillim të qendrueshëm mbetet investimi te talenti, njohuritë dhe aftësitë e burimeve njerëzore dhe inovimi në fushën e edukimit në të tëra nivelet e padyshim edhe në arsimin e lartë, dhe, kjo, mesa duket përbën në fakt një çështje kritike për interesat tona të përbashkëta publike në aspektin kombëtar dhe interesat tona private në aspektin individual.

Njohuritë, të nxënit dhe kompetencat janë thelbi i reformës në arsimi në të tëra nivelet, dhe, në rastin e Shqipërisë, duket se këto tre elemente kryesore të kurrikulës së shkollës janë në pikëpyetje, shto këtu edhe kushtet aspak të përshtatshme të mjediseve të institucioneve edukuese dhe të mjediseve ku jetojnë studentët, kushte që e rendisin arsimin (kryesisht atë publik) në Shqipëri në fund të listës, krahasuar me vendet e tjera.

Pra, mesa duket studentët e kanë kuptuar shumë më mirë se qeveria se jeta e tyre varet shumë nga ajo ç’ka mësojnë në shkollë. Nëse në shkollë mësojnë se si të korruptojnë mësuesin me mitdhënie, atëhere mitëmarrja ka për të qenë kryefjala e administratës publike. Nëse studentet mësohen të shesin trupin për një notë kaluese, atëhere kjo ka për të ndodhur edhe me dhurimin e vendeve të punës si në administratën publike ashtu dhe në sektorin privat.

Nëse studentët mësohen të fitojnë shkollën me njohje personale apo me lidhje farefisnore, atëhere nepotizmi dhe lidhja fisnore do mbizotërojnë në jetën politike, ekonomike, sociale, juridike, sportive, kulturore, mjedisore në vend dhe si rezultat as që kemi për të patur rritje ekonomike dhe zhvillim të qendrueshëm.
Mendësia se zgjidhja qendron te disa pika minimaliste që mund t’u plotësohen studentëve, është fatale për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Siguria, prosperiteti dhe paqja, që janë edhe objektivat tona si individë dhe si komb, nuk mund të arrihen pa një arsim modern, ku fëmijët dhe të rinjtë të jenë në qendër të vëmendjes dhe kjo është edhe arsyeja kryesore se përse përpjekjet për të mashtruar fëmijët e studentët dhe të afërmit e prindërit e tyre me marketing qeveritar e fjalë boshe kryeministrore nuk shërbejnë për asgjë veçse për shtim të frymës së revoltës mbarë popullore.

Arroganca e pushtetit është ajo dhe vetëm ajo që protestën e studentëve e ka kthyer në revoltë. Është kjo arrogancë e pushtetit, së bashku me mendjemadhësinë e opozitës, që revoltën politike, jo partiake të studentëve po e kthen në një revoltë së cilës po i bashkohen nga dita në ditë edhe elemente të tjera revolte nga shtresa të tjera të popullsisë, të cilat gjejnë dhe shikojnë te studentët frymën e prosperitetit dhe angazhimit qytetar, për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe për të patur një të ardhme më të sigurt dhe të garantuar në Shqipëri.

Është kjo revoltë që tashmë ka marrë përmasa qytetare. Shkaku nuk qendron thjesht te Ligji Nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Shkaku nuk qendron vetëm te Ligji special për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental. Shkaku nuk qendron vetëm te praktikat korruptive për kryerjen e investimit te Unaza e Madhe.

Shkaku nuk qendron vetëm te koncesionet, prokurimet publike dhe partneritetet publik-privat që dështojnë pa filluar mirë. Shkaku nuk qendron vetëm te çmimi i karburanteve. Jo. Aspak.

Shkaku kryesor, dhe, ndoshta i vetmi, është vetëm kryeministri, sepse është ai që bën veprime që nuk i përshtaten jo burrit të shtetit, po as edhe një politikani mediokër. Një politikan, sado mediokër qoftë, bën përpjekje dhe kërkon zgjidhje afatshkurtëra, ndërsa një burrë shteti shikon përtej, drejt sigurisë, prosperitetit dhe paqes së vendit dhe të shtetasve të cilëve u shërben, dhe, të qenit një politikan mediokër dhe aq më tepër të qenit një burrë shteti mesa duket sheshit nuk janë cilësi themelore apo dytësore të Edi Ramës.

Share: