Home KRYESORE Kjo qeveri do e pësojë si Titaniku. Nga Dr. Enriko Ceko

Kjo qeveri do e pësojë si Titaniku. Nga Dr. Enriko Ceko

Kjo qeveri do e pësojë si Titaniku. Ju e dini ç’farë i ndodhi Titanikut. Një anije e madhe, luksoze, që shkëlqente nga jashtë dhe që nuk tregonte dobësitë e saj, brenda së cilës ishin futur disa nga njerëzit më të pasur në botë, që kishin arritur të paguanin edhe biletën më të shtrenjtë, për të bërë udhëtimin e parë me këtë anije, një udhëtim madhështor, në të cilin, shoqëroheshin nga qindra të varfër, që kishin paguar me paratë e kursimeve të jetës së tyre të vështirë, biletën e qendrimit në hambaret e anijes, në një udhëtim që do i çonte në fund të detit.

Dhe ne të gjithë e dimë ç’farë ndodhi. U përplas me arrogancë të shfrenuar dhe me një mendjemadhësi mediokre me një ajsberg dhe u fundos. Tashmë është në fund të detit. Në ditët tona kemi organizuar disa ekspedita nënujore për të shkuar e për të parë këtë anije në fund të detit, për të mësuar edhe më shumë nga historia e saj dhe e atyre që u fundosën së bashku me të, në mënyrë që të mos gabojmë përsëri.

Sot, Shqipëria ngjan tërësisht me një ajsberg dhe qeveria e saj me një Titanik. E kemi thënë disa herë, maja e ajsbergut është teatri. Një e shtata. Vetëm një e shtata që duket. Gjashtë të shtatat janë poshtë, nuk duken. Gjashtë të shtatat janë studentët, që protestojë për kushtet mjaft të këqija të jetës së tyre studentore dhe të jetësës së tyre në pëgjithësi dhe të familjeve të tyre. Gjashtë të shtatat janë fermerët e Shqipërisë, të cilët nuk kanë para të blenë plehrat kimike dhe të paguajnë për shërbimet bujqësore e punimet me traktor e makineri të tjera bujqësore. Gjashtë të shtatat janë punëtorët, që janë të papunë. Gjashtë të shtatat janë intelektualët e nëpërkëmbur. Gjashtë të shtatat janë populli shqiptar që kërkon prosperitet, paqe dhe liri.

Përballë Ajsbergut kemi Qeverinë, që lundron në ujrat e kaosit dhe anarkisë, në një luks të shfrenuar, me qeveritarë e familjarë të tyre, që kanë çanta super të shtrenjta, me pallto super të shtrenjta, me këpucë super të shtrenjta, me makina super të shtrenjta. Tashmë Titaniku shqiptar është goditur nga Ajsbergu. E ka marrë të çarën e madhe dhe të gjithë po numërojnë orët dhe minutat që kjo qeveri të shkojë në fund të detit, duke marrë me vehte kapitenin, anëtarët ekuipazhit dhe të tjerë të marrosur pas saj.

Kjo qeveri, që në ditët e para të veprimtarisë së saj e paracaktoi fundosjen me turp dhe këtë sepse gjatë këtyre pesë viteve ka mashtruar faktorin ndërkombëtar. Kjo qeveri për pesë vite ka mashtruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo qeveri për pesë vite ka mashtruar Aleancën e Atlantikut. Kjo qeveri për pesë vite ka mashtruar Britaninë e Madhe. Kjo qeveri për pesë vite ka mashtruar Bashkimin Evropian.

Si ka mashtruar. Ka mashtruar se gjasme po bën reforma.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në sistemin zgjedhor. Kjo reformë është një reformë e mbështetur në mënyrë të fuqishme nga OSBE-ja, SHBA dhe Aleanca e Atlantikut. Draft Kodi Zgjedhor aktual nuk garanton liri, barazi dhe standarde në zgjedhje dhe kjo për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes aktuale, korruptive dhe arrogante.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në drejtësi dhe e ka vonuar atë. Reforma në drejtësi është një reformë e mbështetur në mënyrë të fuqishme nga SHBA dhe Aleanca e Atlantikut. Ku jemi sot? Përse është vonuar kaq shumë reforma në drejtësi? Dhe vetëm me mbështetjen e aleatëve është arritur që këto ditë të përcaktohen anëtarët e KLD dhe KLGJ.
Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në arsim. Reformën në arsim e ka mbështetur në mënyrë shumë të fuqishme Britania e Madhe dhe e mbështeti këtë reform për të bërë një arsim modern evropian dhe jo një arsim që t’ja kemi zili edhe vendit më të humbur të Afrikës.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën e pushtetit vendor, e cila u trumbetua si një fitore e madhe e mendimit politik liberal, ku sipas saj nga mbi 380 bashki e komuna do formoheshin 68 bashki, për një manaxhim më të mirë të burimeve njerëzire, financiare dhe natyrore. Ku jemi sot? Një dështim total. Pjesa më e madhe e prokurimeve publike të pushtetit vendor janë të dyshimta dhe abuzimet me financimet kanë sjellë dëme të pallogaritshme në buxhetin e shtetit dhe për qytetarët, që nuk kanë përfituar atë që pritej nga kjo reformë.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën e rendit publik, sepse dy nga ministrant e rendit publik kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa në vend lulëzon krimi, korrupsioni, trafiku illegal i substancave narkotike dhe qenieve njerëzore.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në politikën e jashtëme. Ne të tërë jemi dëshmimtarë se diplomacia shqiptare ka dështuar në të tëra aspektet, si në aspektin e diplomacisë ekonomike e kulturore, ashtu dhe në aspektin e mbrojtjes së territorit dhe të drejtave të shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në sistemin e bujqësisë dhe ushqimit. Bujqësia shqiptare është në ditët e saj më të këqija dhe tashmë produktet bujqësore dhe blegtorale shqiptare nuk janë konkurruese në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në tregun vendas mbizotërojnë produktet bujqësore të importit. Edhe në fushën e të ushqyerit, cilësia, siguria dhe garancia ushqimore lenë shumë për të dëshëruar.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në sistemin shëndetsor. Në të tërë sistemin e shëndetiëë, si në shëndetin parësor, atë sekondar dhe atë terciar ka korrupsion dhe mungesë të theksuar pajisjesh spitalore dhe medikamentesh, në një kohë që qytetarët e kanë shumë të vështirë të përballojnë shërbimin shëndetsor privat.

Kjo qeveri ka mashtruar me reformën në administratën publike. Reformën në administratën publike e ka mbështetur në mënyrë të fuqishme Bashkimi Evropian. Ku jemi sot? Një administratë publike e korruptuar, e paaftë, e paedukatë, e papërgjegjëshme, e pandërgjegjëshme, e pa trainuar, e mbushur me injorantë e të pashkollë, punonjës që janë të gatshëm që të futin paratë ne xhepat e tyre.

Nuk e keni idenë se si u janë fryrë xhepat e nuk nxënë më, por këta janë të pangopur dhe kjo sepse ata që janë pjesë e kësaj qeverie, që nga kreu e deri në fund kanë tre karakteristika:
E para e punës janë injorantë dhe duke qenë injorantë kujtojnë se janë inteligjientë.

E dyta e punës, duke menduar se janë inteligjientë kujtojnë se do rrinë gjithmonë në pushtet.

E treta e punës, që është edhe e keqja më e madhe, ata kujtojnë se janë të pavdekshëm.
Ashtu mendonin dhe ata që ishin brenda Titanikut, të paktën se nuk do përfundonin në fund të detit pikërisht atë ditë. Por ja që në të vërtetë Titaniku u zhduk në fund të detit së bashku me ata që besuan në ëndrrën e gënjeshtërt të anijes më të fuqishme dhe më të madhe në botë.

Pjesa më e madhe e qenieve të gjalla, dukurive, bizneseve dhe sistemeve në këtë botë e kanë një cikël jete që ka të paktën katër faza, të cilat janë hyrja, rritja pjekuria dhe rënia. Njerëzit inteligjientë e kuptojnë fare mirë se kur ndodhin këto faza në jetën e tyre dhe gjallesave të tjera, në ecurinë e bizneseve, dukurive dhe në zhvillimin e sistemeve, dhe kur fillon të vijë faza e rënies, largohen me kujdes dhe i hapi rrugë cikleve dhe zhvillimeve të reja, duke mbështetur me zgjuarsi ndryshimet graduale në mënyrë që pjesëmarrësit në sistem të kalojnë me sa më shumë përfitime në një gjendje tjetër zhvillimi.

Kjo nuk ka ngjarë kurrë në Shqipëri. Asnjë drejtues në vendin tonë nuk ka përgatitur kalimin e butë në gjendje të reja zhvillimi, por kalimet janë arritur vetëm dhe vetëm me dhunë dhe represion. Kjo e ka çuar disa herë në fund të detit anijen tonë të përbashkët. Tashmë është në dorë të shqiptarëve që të vendosin të mos mbyten së bashku me këtë qeveri të shfrenuar në arrogancën dhe mendjemadhësinë e saj mediokre.

Share: