Home Gjeo-Ekonomia Kompania që kërkon me koncesion Aeroportin e Kukësit, investim 8 mln euro

Kompania që kërkon me koncesion Aeroportin e Kukësit, investim 8 mln euro

Procedura konkuruese për dhënien me koncesion (PPP) të Aeroportit të Kukësit ka kaluar në fazën e vlerësimit të ofertave pas mbylljes së afatit për dorëzimin e tyre në 20 dhjetor. Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se është paraqitur vetëm një ofertë dhe për surprizë nuk është kompania që më herët kishte berë një ofertë të pakërkuar. “Kastrati” shprehu interes për herët sëbashku me T.M.D Systems për të marrë për 35 vjet aeroportin e Kukësit për të cilin iu dha edhe një bonus prej 8 për qind e pikëve me një vendim të veçantë qeverise por duket se është tërhequr nga gara duke mos paraqitur asnjë ofertë.

“Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik në këtë procedurë konkuruese ka përfunduar me datë 20.12.2018. Komisioni, pas hapjes së ofertave konstaton se ka paraqitur ofertën e tij për këtë procedurë një operator ekonomik dhe më konkretisht bashkimi i përkohshëm i shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, ku në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.

Një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqerie/ekspertesh me përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik. Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve.

Komisioni është duke vazhduar shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të paraqitur në formë elektronike nga ky bashkim shoqërisë dhe bën të ditur se oferta financiare e paraqitur nga Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk është: Total vlera e investimit (CAPEX): 7.999.393 euro pa tvsh.

Pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të informojë median dhe opinionin publik në lidhje me vendimmarrjet e mëtejshme të komisionit në këtë procedurë konkuruese” bëri me dije ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bami sh.p.k është një kompani shqiptare e cila sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton të jetë regjistruar në shtator të vitit 1999 me aktivitet kryesisht në ndërtim. Kompania zotërohet në 100 për qind të kuotave nga Besnik Bami dhe sipas bilancit të vitit 2017 të ardhurat ishin në vlerën 1.1 miliardë lekë kurse fitimi para taksave 131 milionë lekë./Monitor

Share: