Home KRYESORE Majko para-lajmeron sukses ne krijimin e Fondit te Zhvillimit të Diasporës

Majko para-lajmeron sukses ne krijimin e Fondit te Zhvillimit të Diasporës

Krijimi i një agjencie të re publike si Fondi i Zhvillimit të Diasporës është një ngjarje e veçantë. Ai nuk është një strukturë administrative e rëndomtë, patur prasysh se për realizimin e tij janë investuar institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, nga ekzekutivi deri tek Kuvendi i Shqipërisë.

Fondi i Zhvillimit të Diasporës do të jetë një nga tre strukturat kryesore bashkë me Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrën e Botimeve të Disporës, të cilat do të aplikojnë politikat e reja shtetërore për diasporën shqiptare.

Funksionimi i Fondit të Zhvillimit të Diasporës është i bazuar në një ligj të vecantë. Me ligjin nr 32 dt 7. 06. 2108 “Për Fondin e Zhvillimit të Diasporës” ai ka garancitë e nevojshme juridike të një intitucioni publik jobuxhetor i cili kërkon të hapë një faqe të re marrëdhëniesh me donatorët e interesuar.

Fondi i Zhvillimit e filloi funksionimin e vet me programin e parë të miratuar nga qeveria shqiptare me vendimin Nr 611 dt 17. 10. 2018 për financimin e Projektit “Diaspora për Zhvillim”. Ky është një program trevjeçar me një vlerë të përafërt prej 10 milionë euro. Ai është shprehës i seriozitetit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës dhe Planin e 72 masave të veprimit që shoqëron atë.

Fondi është një krijim ambicioz, dhe po aq një platformë e hapur bashkëpunimi për projekte të cilat kanë lidhje me realizimin e një marrëdhënie të konsoliduar midis vendlindjes dhe Diasporës.

Shqipëria ka pasuri intelektuale dhe financiare të konsiderueshme në Diasporën shqiptare. Për shumë arsye, ato janë ende të paorganizuara, patur parasysh vetëm të ardhurat e remitancave të cilat vijnë nga migracioni në Shqipëri.

Fondi përfaqëson një përpjekje serioze për të mbushur vakumin e mungesës së partneritetit edhe me shoqërinë civile në vend. Ai do të ketë ambicien të gjenerojë informacion dhe mekanizma të cilat do të ndihmojnë strukturën e ekonomisë së vendit.

Krijimi i Fondit të Zhvillimit për Diasporën është shprehë i faktit se migracioni shqiptar po del nga faza e stanjacionit të pas viteve 90-të në Perëndim. Ai ka filluar të organizohet dhe ambiciet e tij janë të mirëkuptueshme.

Kërkesa për të qenë e pranishme në politikën dhe ekonominë e vendit të Diasporës shqiptare do të ketë vetëm pasoja pozitive. Ajo do të nxisë në krijimin e standarteve të cilat jeta sociale shqiptare i jeton si një shoqëri ende e paintegruar në familjen europiane. Shtetasit e saj në një numër të madh janë tashmë qytetarë të Perëndimit, jo vetëm si mbajtës të pasaportave europiane. Kjo jetë e “dyfishtë” nuk ka pse shikohet si “krizë”. Ajo mund të kthehet në një energji stimuluese për Shqipërinë dhe statusin e saj në procesin e integrimit europian.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit nëpërmjet projekteve të ndryshme do të tentojë të krijojë një rrjet të dobishëm informacioni dhe komunikimi të profesionistëve në Diasporë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër do të asistojë në krijimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Kjo e fundit do të përbëjë një ngjarje të rëndësishme ekonomike kur të realizohet. Ajo është vlerësuar si e tillë edhe nga marrëveshja ndërshtetërore që dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovë kanë firmosur në takimin e fundit.

Të dashur miq,

Fondi i Zhvillimit për Diasporën sot ka një kundërshtar. Ai është pritshmëria e lartë në rezultatet e punës. Shpresoj dhe uroj që Fondi dhe drejtuesit e saj të dinë të vetëorganizojnë punën dhe të tejkalojnë pengesat e natyrshme të realizimit të një projekti kaq ambicioz.

Fondi nuk është përcaktuar si një veprimtari standarte administrative sepse ai është më shumë se kaq. Fondi nuk është buxhetor dhe ligji i lejon fleksibilitet të cilin do t’ja kishin zili institucione të tjera. Ai hap një periudhë të re për fushatat e donimit për projekte të ndryshme edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit. Edhe për këtë arsye, transpareca e punës së Fondit është një kusht i rëndësishëm i cili do të përfshijë si ekzekutivin ashtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Jam i bindur se po diskutojmë një model suksesi. Aftësia njerëzore vlen ta çojë atë përpara. I uroj stafit punë të mbarë dhe të mos përsërisin të njëjtin gabim dy herë. Vonesa është “armiku” zyrtar i Fondit në rrugën të cilën ai sapo e ka nisur.

*Fjala e plotë e Ministrit Majko në aktivitetin e prezantimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporen

Share: