Home KRYESORE Mbi 7 orë qëndresë, studentët afat qeverisë deri nesër në orën 16:00

Mbi 7 orë qëndresë, studentët afat qeverisë deri nesër në orën 16:00

Ka zgjatur mbi 7 orë protesta e sotme e studentëve. Ata do të rikthehen sërish nesër, ditë kur do të merret edhe vendimi i vijueshmërisë së protestës nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat.

Ata kanë lënë orën 16:00 të së martës, si afatin përfundimtar kur qeveria duhet të plotësojë kushtet që ata kërkojnë, në të kundër bashkarisht do të vendosin për format e përshkallëzimit të protestës.

Protesta nisi rreth orës 10:00, ku studentët prej 5 ditësh kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave dhe nuk pranojnë të negociojnë.

Me thirrjet: “Turp! Do dalim në rrugë me qindra e mijëra, po s’u hoq tarifa rrëzohet ministria” studentët i janë përgjigjur dhe ftesës së kryeministrit për dialog për të zgjidhur kërkesat përmes transmetimit live në facebook.

Ndërsa për Ramën “është e qartë dhe duhet ta dëgjojnë të gjithë: unë jam me çdo student që do të ishte për veten e tij aty, jo për Lulin jo për Monikën dhe jo për komshinjtë, por për veten e tij dhe shtëpinë të ardhmen dhe prindërit e tij. Jam i vetëdijshëm që dikush është në kërkim të popullit që nuk e ka nga prapa për të hedhur benzinë në një zjarr që kërkon të ndezë”

Rama bëri me faj rektorët e universiteteve për VKM, dhe disa herë u përpoq të nënvizonte se nuk kishte lidhje qeveria me tarifat dhe nëse duheshin plotësuar kërkesat duhej dialog pasi qeveria nuk mund të ndërhynte pasi vendimmarrja ishte e Universiteve të cilat janë autonome.

Studentët nga ana e tyre shprehen se protesta është apolitike dhe shprehen të vendosur për plotësimin e 8 kërkesave: “S’ka negociata, vetëm vendimmarrje! ”

Protesta është paqësore dhe studentët bëjnë thirrje për bashkim të qytetarëve por dhe studentëve të tjerë. Ajo u mbyll në orën 17:20, ku studentë pastruan territorin përpara ministrisë.

Share: