Home KRYESORE Mentor Kikia: PD, mos iu qas kësaj proteste!

Mentor Kikia: PD, mos iu qas kësaj proteste!

Të gjithë jemi fajtorë që e shkatërruam këtë gjeneratë

Ky është brezi i ri, që nuk e ka përjetuar kapërcyellin e epokave në 1990. Por ky është brezi që ka provuar ti vënë mësuesit në rresht, që në klasë të pestë, për të shkuar në mitingjet e PD-së dhe PS-së. Ky është brezi që ka dëgjuar(me prova bindëse) se, që të fillosh punë duhet të jesh në FRESH, LRI dhe FRPD. Ky është brezi që prindërit po i nxisin të mësojnë gjermanisht, pasi e ardhmja e tyre nuk është më këtu. Ky është brezi që për pedagogë kanë edhe nga ata që doktoraturat i kanë marrë copy-paste apo i kanë blerë në universitetet-punishte. Ku është brezi i viteve 2000, por që mëson në standarte cilësore shumë më të dobëta se ato të 50 viteve më parë.

Ky është brezi, para të cilit të gjithëve ne duhet të na vijë turp që ia shkatërruam vendin ku ata lindën, ia shkatërruam shkollën, shpresën për të ardhmen dhe perspektivën e jetës.

Para tyre nga presidenti, kryeministri, ish-presidentë e ish-kryeministra, ministra e ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, gjykatës, e prokurorë, gazetarë e dreqi me të birin bashkë, që në këto 28 vjet kanë kontribuar në degjenerimin e këtij vendi dhe kësaj shoqërie, pra të gjithë ne, duhet ulim kokën, pa patur kurajë për ti parë në sy.

Nëse ndërgjegja e këtij brezi është zgjuar, atëherë udha e mbarë!

Shembni çfarë ju mendoni se ju ka zënë rrugën. Ne nuk mundëm të bëjmë më shumë e më mirë.

Ju të opozitës, që fërkoni duart ndërsa shikoni këtë energji që u derdh rrugëve të Tiranës sot, jeni po aq fajtorë para kësaj gjenerate. Mos i shikoni këta të rinj si shkallë ku do të vini këmbët tuaja të pista për të hipur në pushtet. Bëni tutje nga ajo rrugë ku të rinjtë kanë vendosur të ngrejnë zërin e tyre, për të patur një arsim më dinjitoz. Nuk është rruga juaj ajo.

Ani, edhe nëse e kanë gabim. Është më mirë ti shikojmë të rinjtë të protestojnë, sepse mbetëm duke i parë vetëm duke ikur rrugëve të botës.

Shpërndajeni këtë thirrje. Le të jetë një himn për të rinjtë dhe një shuplakë për ne të tjerët.

Share: