Emërimi i ministrave të rinj dhe shkarkimi i të vjetërve duhet të presë datën 21 janar. Kjo, pasi Kuvendi ka mbyllur sesionin e vjeshtës dhe fillon punën të hënën e tretë të muajit janar.
Në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, ku flitet për sesionet e punimeve të Kuvendit, sanksionohet se: Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit.
Fillimi i çdo sesioni të ri parlamentar bëhet me seancë plenare të Kuvendit”. Për rrjedhojë, deri në mbledhjen e Kuvendit, ministrat e rinj nuk mund të bëhen pjesë e kabinetit qeveritar si titullarë të institucioneve ku janë propozuar. Krahas kësaj, te neni 98 dhe 99 i Kushtetutës, sanksionohet procedura për emërimin dhe shkarkimin e ministrit.
Duke qenë se Kryeministri Rama ka shkarkuar publikisht 7 anëtarë të Këshillit të Ministrave, por jo zyrtarisht, ai duhet t’i paraqesë Presidentit Meta kërkesën për ndryshimet në kabinet, konform neneve 98 dhe 99 të Kushtetutës, ku theksohet se:
“Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”.
PROCEDURA
Ndryshimet në kabinetin e qeverisë Kryeministri Rama nuk i ka të shpeshta, aq më shumë kur bëhet fjalë për zëvendësime në bllok. Deri më tani, ka bërë 3 ndryshime, një përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, ku shkarkoi disa ministra me argumentin se do të kryesonin fushatën elektorale nëpër qarqe dhe tjetra pas marrëveshjes Rama-Basha, ku u krijuan edhe ministritë teknike.
Ndryshimet e bëra publikisht ditën e premte përkojnë dhe me zëvendësimet më të mëdha të ministrave të bëra deri më tani nga Kryeministri Rama në pesë vite të qeverisjes së tij. Por për zëvendësimin e ministrave, Rama duhet t’i drejtohet shkresërisht Metës, ku të paraqesë edhe argumentet e tij për shkarkimin nga detyra të ministrave. Kjo pasi ndryshe nga rasti më i fundit, ai i largimit të Fatmir Xhafajt, që kishte dorëheqje nga detyra dhe Meta e firmosi direkt, Rama duhet të paraqesë argumentet, pasi në këtë rast flitet për shkarkim nga detyra.
Krahas kësaj, Kryeministri Rama duhet të presë maksimumi 10 ditë në mënyrë që ai të marrë pëlqimin e Metës për të gjithë propozimet e bëra për të marrë poste në ekzekutiv. Kujtojmë se Kryeministri ditën e premte shkarkoi 7 ministra dhe zëvendëskryeministre. Konkretisht, Arben Ahmetajn, Lindita Nikollën, Damian Gjiknurin, Ditmir Bushatin, Sonila Qaton, Mirela Kumbaron dhe Senida Mesin.
Ai do t’i zëvendësojë përkatësisht me Anila Denajn, Besa Shahinin, Belinda Ballukun, Gent Cakën, Eduard Shalsin, Elva Margaritin, dhe Erion Braçen. Krahas kësaj, pritet të krijohet edhe një ministri tjetër pa portofol, e cila do të drejtohet nga Elisa Spiropali. / Panorama