Home Gjeo-Ekonomia Në pritje të Hahn, deputetët e Listës Serbe ngujohen në kuvendin e...

Në pritje të Hahn, deputetët e Listës Serbe ngujohen në kuvendin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe u kthyen në kuvendin e Kosovës për të qëndruar aty, siç thonë, në pritje të Komisionerit Europian të Zgjerimit, Johanes Hahn, i cili viziton Prishtinën të hënën.

Në një deklaratë të kësaj force politike thuhet se ligjvënësit në fjalë këmbëngulin për një takim me Hahnin, në mënyrë që ta informojnë mbi atë që e konsiderojnë një “krizë humanitare” e cila kërcënon popullin serb për shkak të vendimit të Prishtinës për të vendosur taksën prej 100% ndaj produkteve serbe.

Në arsyetimin e këtyre deputetëve, një lëvizje e tillë praktikisht bllokon shpërndarjen e ushqimit, ilaçeve, shtypit dhe produkteve të tjera të nevojshme.

Lajmin ngujimit e konfirmoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas mbledhjes së Shtabit të krizës në Mitrovicën Veriore, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

“Si përfaqësues politikë legjitimë të popullit serb, ata duan t’i tregojnë personalisht komisionerit Hahn për veprimet anti-serbe të Prishtinës, përmes të cilave nxitet kriza humanitare e drejtuar kundër serbëve në hapësirat e Kosovës”, ka deklaruar Rakiç.

Ai theksoi se deputetët po bëjnë luftë në mënyrë paqësore dhe demokratike, me kërkesën që fëmijët e tyre të kenë të drejtën për një jetë të mirë, për trajtim mjekësor dhe për një të ardhme.

Qeveria e Kosovës e rriti taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nga 10 në 100%, si kundër-përgjigje ndaj fushatës agresive të Beogradit për Kosovën, por veprimi i saj ka ngjallur reagime të mëdha./Opinion.al

Share: