Home KRYESORE Qeveria e Sigurisë Juridike! Nga Arian Galdini

Qeveria e Sigurisë Juridike! Nga Arian Galdini

Gjatë 2 vizitave të mia të fundit në Washington DC dhe në Bruksel, pata mundësinë të takoj vendim-marrës dhe politikëbërës të niveleve më të denja të mundshme për një politikan nga Ballkani.

Mesazhi që u çova të gjithë miqve e zyrtarëve me të cilët bashkëbisedova ishte vetëm një: Ju lutem mos negocioni Reformën në Drejtësi dhe produktin e saj, me elitat vendase të Tiranës. E mos u shqetësoni nga ritmika, ligjërimi dhe agresiviteti i konfliktualitetit që ata do të prodhojnë në javët e muajt në vijim, sepse ata nuk kanë më militantë që luftojnë për ta. Kanë vetëm “mercenarë” të cilët ose duhet ti paguajnë, ose joshin e gënjejnë. Me “mercenarë” u shkon kostoja e lartë sepse do tu duhet të paguajnë kesh (cash). Çdo pagesë që ata bëjnë sot do tu lërë gjurmë nesër kur drejtësia të meret drejtpërdrejtë me ta. Lërini të gabojnë. Mos negocioni e as mos ndërmjetësoni më për ti paqtuar, sepse këta i kanë edhe paqen edhe konfliktet të dakordësuara e bazuara në një konsensus negativ.

Përgjigja e unifikuar që kam marë ka qene: Till the end… Pra Reforma në Drejtësi do të shkojë deri në fund, e panegociuar, e patunduar dhe e ashpër deri në paimagjinueshmëri.

Andaj, për mua nuk ka më mëdyshje.

Reforma në Drejtësi do të funksionojë dhe sundimtarët e plaçkëbërësit e politikës shqiptare do të ballafaqohen në mënyrë të pashmangshme me drejtësinë.

Kësisoj, nën këtë dritë, edhe ndryshimet e Qeverisë Rama dje, nuk janë aspak një habi as publike e as politike.

Edi Rama e di mirë sepse ia kanë thënë dhe përsëritur papushim se çfarë duhet të bëjë për të hapur negociatat me BE këtë qershor që po vjen.

Të gjithë Ministrat që largoi dje, Edi Rama u përpoq ti largonte gjatë verës e madje edhe në fillimvjeshtë.

Por nuk ia doli dot.

Ministrat rezistuan fort bashkë me dinamikat klanore dhe investiturat përkatëse oligarkike.

U desh manovra e konsensusit negativ me palën kundërshtare politike, që Edi Rama ti vendoste Partinë dhe Oligarkët e madje edhe Strukturën Kriminale Mbështetëse, me shpatulla për muri, nën trysninë e dorëzimit total, e për tua shqitur nga duart bashkëqeverisjen me ta.

Edi Rama e dinte se Qeveria e derisotme i ishte shndërruar në një barrë të rëndë penale.

Në çdo mbledhje Qeverie ai shihte fytyra viktimash të nesërme të cilat ose do ti duhej ti përcillte nga Ministria në burg, ose do ti duhej të ndahej me ta sot që ti shpallte armiq nesër kur gjithësesi burgu të hapë dyert për ta.
Edi Rama ka zgjedhur mes kostove penitenciare.
Po ti përcillte nga Ministria në burg, zhurma e prangave do të ishte mu para fytyrës së tij.

Kështu të përcjellë me lavdërime e duartrokitje, ai mendon se e ka më të lehtë të distancohet prej tyre e të mos dëgjojë atë kërcëllimën e prangave aq afër.

Ndryshimet në Qeveri nuk janë shenjë force.

Mos u gaboni.

Janë shenjë frike.

Po ta ndiqni strategjinë e Edi Ramës, ai gjithmonë e ka nisur me kompromise të mëdha ndarjeje pushtetesh derisa në fund ka ngritur lakun e mbytjes së tjetrit dhe daljes krejt vetëm e me gjithë pushtetet në duart e tij.

Kështu ka bërë me PS, me klanet brenda PS.
Fillimisht ndau pushtet me shumëkënd aty për ta mbytur mitin e Fatos Nanos.

Pastaj pasi e kishte zhbërë Nanon, nanoizmin dhe nanoistët, ia nisi të segregonte të gjithë figurat përfaqësuese në PS, derisa mbeti vetëm me Pandin në përcjellje dhe Braçen në lakim.

Edhe kur mori Qeverinë, ia nisi të qendërzonte propagandën tek Endri Fuga.

Pastaj kur fitoi tepsinë krejt i vetëm në 2017, përqendroi të gjitha paratë, financimet, operacionet politike, qeverisëse dhe financiare në 4 a 5 superministra.

Pasi të gjithë u mësuan me pak duar dhe sidomos pasi superministrat u ekspozuan e dolën krejt zbuluar, kemi mbërritur në pikën, kur tani Edi Rama mund të transferojë gjithçka si në një qark të mbyllur, mirëfunksional, gati gati sektik, tek vetja e tij.

Ministrat e rinj i duhen si siguri juridike.

Ata nuk do bëjnë dot më as sekserët.

Ata janë pjesë e kortezhit që varroset bashkë me Faraonin kur ai “vdes”.

Pyetja që lind është shumë e thjeshtë: A i shërben Shqipërisë një qeveri e tillë e sigurisë juridike për Rilindjen?

Kam bindjen e plotë se jo.

Shqipëria ka nevojë për Qeveri të Integritetit, e jo të Sigurisë Juridike.

Edi Rama besoj që e di që mund të fitojë kohë vetëm në raport me partnerët e tij të konsensusit negativ, por është krejt krejt jashtë kohës së re që po vjen.

Arian Galdini

Share: