A e keni menduar ndonjëherë çfarë i lidh Shqipërinë me Kubën? Nuk është e shkuara komuniste. Por, në një studim të fundit, renditen në të njëjtin nivel të moderuar të sigurisë për të udhëtuar në to. Me një atmosferë përkeqësuese të pasigurisë që po zhvillohet sot në mbarë botën, tani më shumë se kurrë më parë njerëzit kërkojnë vende më të sigurta për të jetuar dhe për të udhëtuar. Duke qenë edhe pranë festave, ku shumica e njerëzve mendojnë që të udhëtojnë, po ju sjellim një raport të fundit të përpiluar nga Safearound.com, e cila shfaq 25 vendet më të sigurta në botë. Shqipëria nuk bën pjesë në këtë kategori. Sipas renditjes, Shqipëria mban vendin e 40 nga 162 vende të studiuara, për nga siguria për të udhëtuar në të. Në rajon, Kroacia dhe Serbia shfaqen më mirë, respektivisht e 19-ta dhe e 36-ta në listë. Më e ‘rrezikshmja’ konsiderohet Kosova, e renditur e 125-a në listë.
Sipas Safearound, kryeson listën Islanda, Danimarka dhe Austria. Pas tyre vijnë respektivisht Finlanda, Singapori dhe Zelanda e Re. Sipas renditjes, 80 % e shteteve më të sigurta, janë europiane dhe në këtë listë kryesojnë shtetet skandinave. Të fundit në listë janë vendet kryesisht me konflikte të brendshme apo luftë, si Afganistani, Republika qendrore e Afrikës, Sudani dhe Siria (e 162-ta). Studimi thekson se një renditje e tillë ndihmon të vështrosh për temat e përbashkëta në këto shtete për të gjetur atë që potencialisht mund ta bëjë botën tonë një vend më të sigurt në tërësi. Ndër pikat me interesin më të lartë, janë lidhjet midis sigurisë dhe pasurisë së brendshme përkatëse të vendit për frymë, qasjes arsimore, sistemeve të drejtësisë penale dhe mirëqenies sociale.
SafeAround ka përpiluar dhe analizuar të dhënat nga disa burime publike për të bërë një indeks sigurie që lejon të renditen vendet e botës më të sigurta (100 = plotësisht i sigurt; 0 = shumë i rrezikshëm). Këto burime marrin parasysh të gjitha llojet e kërcënimeve të tilla si krimi, vrasjet, vdekjen në rrugë, shfaqjen e sulmeve terroriste dhe luftërat, për të ndërtuar renditjen e vet të qyteteve më të rrezikshme në botë./Monitor