Home KRYESORE Studentët gjunjëzojnë Ramën. Nga Dr. Enriko Ceko

Studentët gjunjëzojnë Ramën. Nga Dr. Enriko Ceko

Rama në gjunjë përpara studentëve. Ata i dhanë atij shpullën e fundit. Kjo është një qeveri e gjunjëzuar sepse ka shumë probleme me funksionimin e institucioneve, legjislacionin dhe me aktorët në treg. Studentët e shndërruan protestën në revoltë dhe kjo sepse Qeveria nuk plotësoi kërkesat e tyre. Revolta e studentëve është një revoltë jopartiake. Revolta e studentëve është politike, sepse nëpërmjet saj kërkohet mendësi tjetër në politikat arsimore në vend.

Pikërisht kjo revoltë rinore tregoi se në Shqipëri në lidhje me institucionet ka tre variante. Ato ose nuk kanë ekzistuar kurrë por janë të domosdoshme, ose ekzistojnë por nuk funksionojnë, ose janë mbyllur edhe pse kanë qenë funksionale. Dhe e tërë kjo në dëm të interesave të qytetarëve dhe të interesave kombëtare.

Gjithashtu kjo revoltë tregoi se edhe me legjislacionin në Shqipëri ka tre varinte. Legjislacioni ekziston por nuk është i përshtatshëm, ose egziston dhe edhe pse është i përshtatshëm nuk respektohet, ose në fusha të caktuara nuk ekziston fare.

Revolta tregoi se aktorët në treg, qeveria, bizneset, familjet dhe individi nuk kanë kohezion midis tyre dhe se në treg dhe në vend mbizotëron kaosi dhe anarkia.

Kjo mesa duket për faktin se në përgjithësi ne shqiptarët nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit që na drejtojnë dhe konkretisht këto pesë vitet e fundit njerëzit që drejtojnë vendin kanë formësuar variantin më të keq të qeverisjes që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Them se kemi variantin më të keq të qeverisjes sepse në krye qendron një grup individësh me nivelin më të ulët të shkollimit, që ka patur ndonjëherë qeverisja në vend dhe që si rrjedhim është një qeverisje që ka frikë nga liria, apo liritë e të drejtat e qytetarëve.

Kjo qeveri ka frikë nga diskutimi i lirë i pikëpamjeve dhe ideve midis qytetarëve dhe aktorëve në treg.

Kjo qeveri ka frikë nga liria medias. Fakti që media të ndryshme audiovizive në vend nuk i kanë rezervuar hapsirën e nevojshme zhvillimeve të protestave dhe revoltave në vend tregon më së miri këtë.

Kjo qeveri ka frikë nga liria a votës. Në Shqipëri mungon liria e votës dhe kur them liria e votës e kam fjalën për lirinë e votës për të zgjedhur, lirinë e votës për t’u zgjedhur, lirinë për të numëruar votat, lirinë për të nxjerrë rezultatet e procesit të votimit, etj. Drafti i ligjit ligjit zgjedhor që po përgatitet, mbetet varianti më i keq i mundshëm i organizimit të zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të lira, të barabarta dhe me standarde.

Kjo qeveri ka frikë nga liria ekonomike, sepse është liria ekonomike që sjell liri mendimi dhe veprimi edhe në rrafshin politik. Shqiptarët janë shumë të kufizuar në lidhje me konsumin, krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera evropiane. Shqiptarët janë të privuar nga e drejta për të patur më shumë të ardhura, për të prodhuar, konsumuar, shpërndarë e rishpërndarë të ardhurat, produktet dhe shërbimet, veprimtari që përbëjnë thelbin e ekonomisë.

Kjo qeveri ka frikë nga liria akademike dhe e kanë cënuar shumë rëndë atë me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe me akte të ndryshme nënligjore.

Këto janë vetëm disa nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që janë shkelur me të dyja këmbët në një vend të vogël, me burime të mjaftueshe natyrore e financare dhe me një popullsi që kërkon me ngulm përmirësim të cilësisë së jetës.

Në këto kushte, studentët, por jo vetëm ata, nuk dalin në revoltë thjesht dhe vetëm për përgjysmimin e tarifave të studimit apo për disa kërkesa të tjera që lidhen vetëm me disa çështje arsimore dhe akademike. Jo. Studentët janë në revoltë për të mbrojtur lirinë. Ata janë në revoltë për lirinë e votës, për lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, lirinë ekonomike, lirinë akademike, lirinë e medias, etj, pavarësisht se për momenin nuk po i artikulojnë disi më qartë kërkesat e tyre, dhe për revoltën e tyre ju duhet një mbështetje e gjerë popullore nga e gjithë shoqëria shqiptare.

Studentët janë në revoltë jo vetëm për dështimin e reformës në arsim. Ata janë në revoltë për dështimin e një sërë reformash të trumbetuara me të madhe nga ana e kësaj qeverie paaftë dhe të korruptuar. Reforma në sistemin e drejtësisë, për të cilën ka patur mbështetje të pakufishme nga ana e SHBA-ve dhe Aleanca e Atlantikut, reforma në administratën publike për të cilën ka patur mbështetje të pakufishme nga ana e Britanisë së Madhe, reforma në pushtetin vendor, për të cilën ka patur mbështetje shumë të madhe nga ana e Bashkimit Evropian, etj, janë shembuj të dështimit total të një qeverisjeje të papërgjegjëshme dhe të pandërgjegjëshme, që edhe pse ka patur mbështetje totale si nga qytetarët, ashtu dhe nga ndërkombëtarët, i ka zhgënjyer të tërë me premtimet e shumta dhe rezultatet negative përfundimtare të këtyre reformave të mbetura në letër.

Këto reforma kanë dështuar jo vetëm në rrafshin apo aspektin e organizimit institucional, por edhe në aspektin e cilësisë së përzgjedhjes së individëve të përfshirë në system, që si rrjedhojë ka sjellë dhe bjerrje tepër të dukshme të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Rezultati përfundimtar i kësaj qeverisje dhe reformave të paarritura është gjendja e papranueshme në të tëra fushat e jetës, gjendje që rëndon te fermerët, te bizneset e vogla dhe të mesme, te familjet e thjeshta shqiptare dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në sektorin e arsimit, shëndetsisë, ushqimit, mjedisit, etj, ku edhe pjesa që u takon këtyre sektorëve nga buxheti i shtetit ka ardhur duke u rrudhur nga viti në vit. Kjo për shkak të shpërdorimit, abuzimeve dhe keqmanaxhimit të fondeve të buxhetit të shtetit dhe korrupisonit galopant e mitëmarrjes së shfrenuar në prokurimet publike, koncesionet dhe partneritetet publik – privat, që kanë dështuar që më parë se të lidheshin kontratat përkatëse.

Edhe pse kjo qeverisje është përpjekur që pothuajse çdo javë apo muaj të vitit të godasë qytetarët me taksa, tarifa, tatime e detyrime të ndryshme gjithmonë në rritje, këto shpulla i janë kthyer mbrapsh dhe e fundit është shpulla e studentëve. Është pikërisht kjo shpullë përfundimtare që do mbahet mend shumë gjatë.

Share: