Home KRYESORE Studenti-Ramës: Ai të vriste në Bulevard, por ti po na vret shpresën!

Studenti-Ramës: Ai të vriste në Bulevard, por ti po na vret shpresën!

Një student e ka bërë për ujë të ftohtë Kryeministrin Edi Rama në auditorin e Universitetin e Vlorës. “Z.Rama ju keni thënë se ai të vret në bulevard (Berisha) por ju po na vrisni shpresën”, i tha studenti i revoltuar.

Më tej u shpreh “u the shokëve të mi,atyre që dolën, komunistë. Unë desha të largohem bashkë me ta. S’mund të na pranojmë këtë. Na thuaj gjëra konkrete këtu. Na thuaj si do zgjidhen problemet tona. Kam menduar disa herë që të iki nga Shqipëria”.

Andi Bërdëllima: Jam student i Drejtësisë. Të gjithë ata që vijnë këtu shprehin atë pjesën e vet politike. Ne ju bëjmë një pyetje dhe ju flisni me përgjigje politike, që për ne nuk janë përgjigje, ne duam përgjigje konkrete.

Rama: Çfarë përgjigje do ti? Më thuaj ti, çfarë do bëjë për pikën e parë.

Andi Bërdëllima: Unë do ta shfuqizoja ligjin për arsimin e lartë. Pse? Sepse unë ka tre vjet që studioj për Drejtësi dhe nuk doja të vija, doja Sociologji. Nuk është faji im që vazhdoj një degë që nuk e dua. Unë jam me mesatare 9.1, motra ime këtu në krah e ka 9.7. Ne paguajmë: 200 mijë unë e 200 ajo, plus librat. Prindërit i kam pa punë, këtë mund ta vërtetojmë kur të doni. Kur vini ju këtu thoni do bëjmë këtë do bëjmë këtë, unë nuk marr vesh asgjë.

Vijnë studentët këtu dhe ju u quani komunistë, pse i quani komunistë? Edhe unë me gjithë shpirt doja të dilja me ata atje…

Rama: Dil

Andi Bërdëllima: Ua thashë këtë si shpresa e fundit. Vërtet ai të vriste në bulevard, por ju të vrisni shpresën. Tani po na vrisni shpresën!

Rama: Tani do më dëgjosh apo do dalësh?

Andi Bërdëllima: Do të dëgjoj njëherë (studentët qeshin)

Rama: Çfarë ka për të qeshur?

Andi Bërdëllima: Unë nuk po qesh. Kryeministri është më i fortë kur është në opozitë. Kur flasim ne nuk duhet duartrokitur, sa flet kryeministri duhet duartrokitur, sepse kur duartrokitet atëherë ndihet që është pak në opozitë. Me vjen shumë rëndë që jam këtu në Shqipëri. Kam pasur disa raste për të ikur jashtë . Më mirë të pastrosh haletë jashtë dhe tja japësh taksën atij, kur e di që të vlerëson, të gjitha shërbimet janë gati. Nëna ime kishte probleme me sytë dhe kur vajti për të lënë takim tek okulisti ja lanë 2 muaj më pas. Pse? Sepse nuk kishte radhë. Na përmendi radhën e qumështit në kohën e Enverit. Ja ku është radha sot. Të shoksh edhe të OSHEE, prap ke radhë. Këto janë shërbimet këtu.

Ju thoni legalizim falas. Babai im mori kredi që morëm çertifikatën pas dy vjetësh që kishim aplikuar.

Rama: Ta shpjegoj unë, mbarove? Unë nuk ju thashë komunista. Nuk jemi në kohën e komunizmit as në bunker. Njerëzit mund të ikin ose mund të vijnë. Jo unë por një superfuqi të vijë këtu nuk e bën Shqipërinë Gjermani as për 5 vjet e as për 10 vjet. Nuk të ofron dot Shqipëria Gjermaninë ty. Është kollaj të thuash këta e kanë fajin, por nëse i marrim gjërat me fakte, krahasuar me ku ishim ku e ku, por krahasuar me ku duam të jemi, jemi ku e ku.

Për të marrë mikrofonin dhe për ti bërë kryeministrit karshillëk është kollaj por nuk zgjidh asgjë. Jeni kapur me ato 8 pika, që nuk dihet kush jua ka vënë, patjetër, por ultimatume nuk ka! Fare! Nuk funksionojnë, çështja është të zgjidhim problemet.

Studenti i përmend shtëpinë në Surrel

Rama: Ku e gjete Iphone, më fal qenka më i madh!

Studenti Andi Bërdëllima: E fitova në një organizatë ..

Rama: Qetësohu thjesht të pyeta për kuriozitet. Kjo është dita juaj.

Andi Bërdëllima: Meqë më pyete po të pyes dhe unë për kuriozitet po për shtëpinë në Surrel? Unë e justifikoj timen por ju si e justifikoni kur keni deklaruar se keni 2 mijë euro.

Rama: Mos bëj Saliu të keqen vëllai. Në Vlorë mund të pranojmë ti nxjerrim sytë njëri tjetrit, por tia nxjerri sytë të bregut këtu. Me mua lufto sa të duash dhe vetëm shëndet të bëhet por mos u bëj si Saliu. Mos e tepro!

Share: