Home KRYESORE Trump përgëzon Shqipërinë për dëbimin e diplomatëve iranianë

Trump përgëzon Shqipërinë për dëbimin e diplomatëve iranianë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër të cilët akuzohen për komplote terroriste brenda vendit tonë.

Letra është bërë publike nga amabsada amerikane në Tiranë, e cila përgëzon qeverinë shqiptare për veprimet kundër regjimit iranian. Ambasada shpreh mbështetje për Shqipërinë, duke e cilësuar aleat strategjik.

Letra është publikuar nga ambasada amerikane në Tiranë:

“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik. Në vijim gjeni një letër të Presidentit Donald Trump në të cilën falënderohet Qeveria e Shqipërisë.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”.

Share: