Studentët nuk do të ulen në auditore këtë fillimviti. Ata do ti kthehen sheshit të protestës përpara Kryeministrisë më datë 7 Janar ora 10:00. Në fillim pati një ide për ta zhvendosur protestën tek korpusi, por tashmë thirrjet po bëhen për protestë para selisë së qeverisë.
Siç sqarohet edhe në posterin që po qarkullon prej disa orësh në rrjetet sociale, studentët do të mblidhen pranë universiteteve përkatëse në orën 09.30 dhe në orën 10.00 do të nisë marshimi drejt kryeministrisë.
Kujtojmë se protesta më e madhe studentore e organizuar në vend që prej viteve ’90, nisi më 4 dhjetor dhe u ndërpre më 21 dhjetor 2018. U ndërpre për shkak të festave të fundvitit, por ashtu siç patën premtuar studentët do të kthehen sërish më 7 Janar 2019.
Në fund të vitit që lamë pas, Kryeministri Rama doli me një VKM që parashikonte uljen e tarifave për studimet Bachelor, ndërsa tarifat e Masterit mbeten të pandryshuara. Po kështu ai paraqiti “Paktin për Universitetin”. Por studentët thonë se nuk janë realizuar pikat kryesore. Zgjidhja është anulimi i ligjit për arsimin e lartë, pasi qeveria mund ti ndryshoje vendimet e saj, tha studenti Igli Tola në një dalje televizive.
“Deri tani nuk kemi marrë një përgjigje shteruese dhe propozimi për paktin e universitetit nuk ezauron të gjitha kërkesat tona. Jemi të detyruar që në datë 7 të rinisim protestat.
Është lënë evazive pjesmarrja e studentëve nga 10% në 20% në senatin akademik në universitete. Po ashtu dhe për pëfshirjen e një studenti nën organin drejtues të shtetit ,siç është Bordi i Administrimit.
Ne duhet të kemi një ligj të ri i cili do të hartohet me të gjitha faktorët e impaktit. Duhet hartuar një ligj i ri, i plotë, që ti shërbejë Shqipërisë për brezat e ardhshëm. Ligji për Arsimin e Lartë duhet të shihet në mënyrë thelbësore.”- u shpreh studenti Igli Tola./opinion.al