Ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar ish Presidentin historik Ibrahim Rugova.
Lama ka shkruar se, Rugova ishte një lider i veçantë dhe paqësor, që nuk arriti ta shoh të realizuar ëndrrën e tij Kosovën e pavarur.
Ja postimi i plotë:
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte një lider i veçantë, paqësor, properëndimor pa asnjë luhatje, vizionar, intelektual, qe udhëhoqi popullin e tij ne periudhën më të vështirë të historisë, në periudhën e aparteidit. Për këtë ai fitoi respektin e të gjithë botës. Për këtë bota i hapi dyert për ta pritur si prijësin e një populli që nuk figuronte në hartën gjeografike të shteteve, e që vuajtjet e tij shekullore ishin të panjohura. Këtu në Itali kam takuar shumë njerëz që e njohin dhe e kujtojnë me shumë respekt. Po kështu edhe në Vatikan, me të cilin krijoi lidhje të veçanta, të cilat edhe sot janë të gjalla. Respekti për Rugovën u pa në ditën e varrimit të tij, kur dhjetëra personalitete të politikës ndërkombëtare erdhën për ta nderuar, dhe mijëra qytetarë prisnin në radhë për t’i bërë homazhe, në temperatura shumë të ulëta. Rugova nuk arriti ta shohë të realizuar ëndrrën e tij, Kosovën e pavarur, mirëpo historia duhet t’ia njohe meritën si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës./bota sot