Angela Merkel nuk njihet si një politikane që ofron shumë mbi jetën e saj private. Për të rëndësi ka cilësia e qeverisjes dhe jo fakti se ajo është kancelarja e parë e qeverisë gjermane. Por duket se kësaj here ajo ka vendosur të tregojë diçka më shumë.
Si rrallëherë më parë në një intervistë të gjatë me gazetën e përjavshme «Die Zeit» Merkel foli në veten e parë, shpalosi kujtime mbi të kaluarën, feminizmin, qeverisjen e vendit nga një grua dhe mbi gardërobën e saj e atë të burrave të politikës duke treguar dhe eksperienca personale.
Merkel tha se rrënjët e saj janë të rëndësishme për të dhe ajo nuk i mohon.
“Gjermania Lindore është pjesë e biografisë sime. Të gjitha rrënjët e mia janë të rëndësishme për mua, ato gjermanolindore bëjnë pjesë aty. Por, as nuk merrem gjithë ditën me to, as nuk i mohoj”.
E pyetur nëse është e vetëdijshme se shumë gra në Gjermani kanë një lidhje emocionale me të, Merkel u përgjigj:
“Ndjej një respekt të caktuar ndaj faktit që unë përpiqem ta kryej punën siç duhet, por unë nxis dhe shumë reagime negative tek të tjerët. Të dyja këto reagime mund të vijnë nga gratë dhe nga burrat. Kështu ndodhi gjatë krizës së euros dhe po ashtu gjatë çështjes së refugjatëve”.
Merkel shpjegoi gjithashtu se përse nuk angazhohet për një aleancë mes grave siç ekziston njëfarë vëllazërie mes burrave dhe pse nuk pranon të quhet feministe.
“Unë u drejtohem rrallë grave, sepse unë nuk jam vetëm kancelare federale e grave, por kancelare e të gjithë njerëzve në Gjermani. Për mua feministe janë gratë si Alice Schwarzer. Apo Marie Juchacz, e cila bashkë me gra të tjera para 100 vitesh u angazhuan dhe fituan të drejtën e votës. Unë nuk dua të stolisem me merita që nuk i kam. Unë nuk mund të them që kam luftuar si to gjatë gjithë jetës për të drejtat e grave. Por, natyrisht si çdo grua edhe unë në rrugën time jam munduar që një ditë të kemi vërtet barazi të gjinive. Jo vetëm si kancelare, por edhe më herët si fizikante kam bashkëpunuar me shumë burra. Barazia në të gjitha fushat mua më duket thjeshtë e logjikshme. Këtë nuk duhet ta përsëris pandërprerë”.
Merkel pranoi se bie dakord me mendimin e Mbretëreshës holandeze Máxima, e cila mendon se me feminizëm kemi të bëjmë kur angazhohesh që burrat dhe gratë të kenë shanse të barabarta në jetë.
Intervista kishte edhe momente gazmore.Pyetjes a është bërë grua pasi është zgjedhur kancelare, Merkel iu përgjigj: “Jo, kurrsesi, edhe më herët kam qenë grua”.
Në vazhdim Merkel tha: “Që prej kohës kur isha studente e fizikës burrat në universitet i kam përceptuar si shumë dominues. Në politikë kjo më është shfaqur më ndryshe. Fushëpamja ime ndaj disavantazheve që i presin gratë është zgjeruar, sepse kam arritur të shoh shumë segmente të jetës”.
Merkel pohoi se në një pikë e ka pasur më të lehtë si kancelare. “Nga një kancelar tradicionalisht pritet që gruaja në krahun e tij të angazhohet në aktivitete vullnetare. Në rastin tim dhe të burrit tim nuk ka qenë kështu. Ai bën punën e tij si shkencëtar, unë bëj punën time”.
E pyetur se si negocion një grua me burra dhe si komunikon me ta në situata konflikti, Merkel u përgjigj: “Një zë gruaje nuk është aq i errët dhe i fuqishëm sa një zë burri. Të demonstrosh autoritet për gruan është diçka që duhet ta mësojë”.
Kancelarja tha se natyrisht që ka pasur edhe debate mbi mënyrën si ajo vishet.
“Për një burrë nuk është fare problem që 100 ditë me radhë të veshë një kostum të errët, por kur unë brenda dy javësh vesh katër here të njëjtën xhaketën qytetarët më dërgojnë letra”. Merkel tha se qytetarët i shkruajnë se u ka rënë në sy se vesh të njëjtën xhaketë.
Merkel shtoi se profesionin e politikanit apo politikanes mund ta ushtrosh vetëm nëse nuk prekesh lehtë nga kritika. Gjithashtu ajo mbrojti sërish vendimin e saj për pranimin e gati një milion refugjatëve nga Siria në vitin 2015.
“Kam reaguar ndaj një situate urgjente humanitare. Sfida ishte aty dhe mua më duhej të veproja. Nuk është befasi që shumë njerëz në vendet e reja gjermane, që dikur i përkisnin Gjermanisë Lindore, do të kenë vështirësi më të mëdha me këtë vendim se në vendet e vjetra. Në Gjermaninë Lindore ka pasur pak përvojë me kultura të tjera” tha Merkel.
Por ajo pranoi se numri i madh i refugjatëve për një vend dhe njerëzit e tij paraqet edhe një mundim të madh./E.M/opinion.al